E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vota jonë, pro imunitetit, vetëm pas shqyrtimit të paketës

Gazeta Shqip

Lideri i opozitës: Nuk ka kushtëzim. Të ezaurohet procedura parlamentare

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se opozita do të votojë pro heqjes së imunitetit, variantin që është arritur në konsensus ndërmjet relatorëve Pandeli Majko dhe Edi Paloka, pasi të ezaurohet shqyrtimi i paketës së drejtësisë së paraqitur nga PS, ku kërkohet zgjedhja e kryeprokurorit dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese me 3/5 e votave. Në një intervistë për Vizion Plus, Rama thekson se opozita e ka kryer detyrën e saj që Shqipëria të marrë statusin kandidat në BE, tani qeveria ka radhën e detyrave të saj.

Shumica, përmes kryetarit të grupit parlamentar, zoti Patozi, ka kthyer një përgjigje të qartë se nuk do të votojë paketën e opozitës për reformën në drejtësi. A do të jetë vota kundër e mazhorancës për propozimet e PS-së, një kushtëzim për votën tuaj në Parlament për çështjen e imunitetit? Apo janë dy çështje të ndara?

Më lejoni tju them që në vitin e sapombyllur politik, Partia Socialiste ka bërë për hir të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe të mosdështimit për herë të tretë radhazi me turp të Shqipërisë, aq sa asnjë forcë politike nuk ka bërë këto 20 vjet, e aq më tepër pastaj në opozitë. E kemi bërë me vetëdije të plotë. Kemi marrë edhe kosto politike të ditës, pasi përfaqësojmë një popull opozitar me të drejtë të revoltuar çdo ditë nga keqqeverisja. Nuk do të lëmë pa bërë asgjë që duhet dhe që ne mund të bëjmë për ti dhënë Shqipërisë shans deri në minutën e fundit që të marrë statusin e vendit kandidat. Nuk ka kushtëzim, aq më tepër që varianti i miratuar për kufizimin e imunitetit është variant i propozuar nga ne. Nuk ka surprizë, do të thosha, se nuk mundet dot që Saliu dhe të tijtë ta pranojnë që të humbasin monopolin e përzgjedhjes së gjyqtarëve, të cilët u duhen pastaj për tu mbrojtur nga ligji. Nga ana tjetër është e pamundur të parafytyrohet që ata të pranojnë njëkohësisht që të gjykohen, jo në Gjykatën e Lartë, por si gjithë qytetarët e këtij vendi në të gjitha nivelet e gjykimit dhe po ashtu të pranojnë që Rregullorja e Kuvendit të jetë konsensuale. Por ka një gjë, që këtu ndahemi, ky është një vizion diametralisht i kundërt me vizionin e tyre për shtetin dhe është një tjetër moment ku njerëzit mund të shohin se ne nuk jemi njësoj. Së fundmi, në këtë paketë nuk e kemi propozuar si një opozitë që sapo është ulur në radhët e opozitës në Parlament, por si një opozitë që pas dhjetë muajsh do të jetë në qeveri. Me vetëdijen se do ta qeverisim Shqipërinë pas 10 muajsh ne, njëkohësisht, kemi paraqitur një paketë që i heq qeverisë disa fuqi të panevojshme për të dhe të dëmshme për sistemin demokratik të vendit dhe i jep më shumë fuqi drejtësisë dhe më shumë fuqi zgjedhësve dhe qytetarëve të këtij vendi, që sot vuajnë dyfish. Nga njëra anë, nga një drejtësi tërësisht e korruptuar, nën ombrellën e marrëveshjes së heshtur me pushtetin, që kur vjen fjala për ti rënë qytetarëve, gjyqtarët mund ti bien sa të duan, sepse qytetarët si mbron kush, e kur vjen fjala për të mbrojtur pushtetarët gjyqtarët janë aty për të mbrojtur pushtetarët.

Po mazhoranca, çfarë duhet të bëjë?

Ndërkohë që janë 12 prioritete, pjesa që ka të bëjë me Parlamentin, me legjislacionin dhe me kontributin e opozitës është thuajse tërësisht e plotësuar. Me votën pro imunitetit, pas ezaurimit dhe diskutimit për paketën kushtetuese kjo konsiderohet e plotësuar edhe me ndonjë element tjetër. Ndërkohë që për sa i përket atyre që kanë të bëjnë me qeverisjen, shqiptarët i shohin vetë sesa shumë janë plotësuar prioritetet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për pronat, për administratën publike e kështu me radhë.

Para dy ditësh, Kuvendi ka shpallur vendet vakante për anëtarët e KQZ dhe kreun e KQZ, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor. A do të ketë PS një kandidat për kreun e KQZ-së dhe nëse po, a ka emra të zgjedhur deri tani?

Sigurisht që ne kemi një ekip, i cili po punon për të identifikuar emrat dhe padyshim do të respektojmë të gjithë procesin, ashtu siç e kemi miratuar në Kodin e ri Zgjedhor.

Marrë me shkurtime

Rama: Vota jonë, pro imunitetit, vetëm pas shqyrtimit të paketës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›