E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refatllarit i besoj jetën dhe Fatit vdekjen



Nga Zija Çela

Sot është dita të flasim për mëkatet tona dhe jo për ato të bluzave të bardha. E di se nuk mungojnë mes tyre, por nëse dikush dëshiron të flasë patjetër sot, le ta marrë gurin në dorë dhe të qëllojë i pari... Çfarë, dora po kullon gjak? Mos u habitni, është gjaku i Refatllarit.
Të ngresh dorën kundër mjekut, është njëlloj si t’i kundërvihesh Zotit. Sepse jetën na e jep Zoti, por një nga detyrat më të rëndësishme, atë të mbrojtjes së saj, ia ka deleguar komunitetit të bluzave të bardha.
E megjithatë mëkati u krye, dje “Nënë Tereza” u godit me thikë. Intelektual humanist për nga formimi dhe profesionist i dorës së parë në kardiokirurgji, Ali Refatllari provoi dje mbi kurrizin e tij gjithë brutalitetin, intolerancën dhe injorancën që helmon ende shtresa të gjera të shoqërisë sonë, por që ne përpiqemi t’i fshehim. I fshehim se na vjen turp nga vetja dhe nga bota, i fshehim se duam të dukemi ndryshe, i fshehim sepse mbartës të tyre janë një pjesë e madhe e elektoratit politik dhe kandari bën hile kur peshohen.
Ne nuk do të shërohemi nga sëmundjet tona, domethënë nga zgjyra jonë, në qoftë se nuk do të guxojmë ta shohim veten në sy.
Dhe po ta shohim në sy, kultura shëndetësore është në nivelin më të ulët. Kjo do të thotë se edhe informacioni përkatës është skandaloz. Çdo operacion në zemër është një shans për jetën, madje është shans i madh. Por çdo operacion i tillë është gjithashtu një ballafaqim me vdekjen. Një zemër që “fle” në akull katër, pesë, gjashtë orë me radhë dhe pastaj duhet të rikthehet në jetë nëpërmjet goditjes elektrike. Por a do të bindet ajo makineri organike aq e thjeshtë, por gjithashtu aq e hatashme? Pra, do të rikthehet, do të fillojë të rrahë përsëri?..
Jo vetëm në repartin e kardiokirurgjisë, që drejtohet nga Ali Refatllari, por edhe në klinikat e huaja, kudo jashtë vendit, ka një probabilitet të caktuar vdekjeje në çdo njëqind pacientë. (Zot, çdo vdekje është e dhimbshme dhe çdoherë, bashkë me të ndjerin, të gjithë vdesim nga pak.) Mirëpo e njohin të vërtetën pacientët tanë përpara se të hyjnë në sallë, e dinë atë fëmijët, prindërit apo të afërmit e tyre?! Këtu përjashtohen gabimet njerëzore, si dhe ato që mund të vijnë nga shkeljet e kodit etik, ato janë të pafalshme. Por nuk përjashtohet kurrsesi vetëdija për ta llogaritur rrezikun. Jo më kot nënshkruhet një dokument zyrtar. Por mbi atë dokument qëndron marrëveshja e ndërgjegjshme (civile) e pacientit me mjekun për t’i hyrë krah për krah një beteje të përbashkët, ku jeta shpesh varet në fije të perit. Asnjë ndërhyrje kirurgjike nuk duhet kryer me frikë, por çdo operacion në zemër është i frikshëm. Ne i marrim spitalet si fabrika të jetës, dhe të tilla janë, dhe të tilla duhet të jenë akoma më tepë. Por janë fabrika që punojnë në tokë dhe jo në qiell, ku Zoti ngjall edhe të vdekurit.
Sot është dita të flasim për mëkatet tona dhe jo për ato të bluzave të bardha. E di se nuk mungojnë mes tyre, por nëse dikush dëshiron të flasë patjetër sot, le ta marrë gurin në dorë dhe të qëllojë i pari... Çfarë, dora po kullon gjak? Mos u habitni, është gjaku i Refatllarit.
Kam qenë vetë pacient i tij para disa muajsh. Kam qenë pacient i tij, kur edhe zyrtarisht m’u ofruan mundësitë për ta bërë operacionin diku jashtë vendit. Ndoshta sot nuk do t’ju përgjigjesha në telefon, sepse mund të isha njëri prej atyre që... Por nëse jeta do të ma përsëriste atë dilemë, njëlloj do të zgjidhja: Refatllarit do t’i besoja jetën dhe Fatit vdekjen.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›