E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, plagoset me thikë shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë

Bluzat e bardha të traumatizuara nga ngjarja e rëndë. Policia arreston si autor të ngjarjes Arben Strazimirin

Emanuela Sako

Goditet me thikë shefi i Kardiokirurgjisë. Mëngjesi i djeshëm për Pavijonin e Kardiokirurgjisë ka qenë i pazakontë. Ndërsa të gjithë i kishte marrë rutina e përditshme duke vizituar pacientët, asnjë nuk e kishte vënë re nervozitetin e 35-vjeçarit. Pak sekonda i kanë mjaftuar për ta goditur dy herë në shpatull mjekun Ali Rifatllari. Menjëherë është dhënë alarmi nga infermieret kur kanë parë mjekun të shtrirë dhe të riun që përpiqej të largohej nxitimthi. Arben Strazimiri është arrestuar nga policia pak çaste pas ngjarjes. Burime nga policia pohuan dje për gazetën “Albania” se shkak mendohet të ketë qenë vdekja e një të afërmi të Strazimirit që ishte operuar nga Rifatllari.
Ngjarja
Bluzat e bardha në QSUT u tronditën dje për shkak të sulmit me thikë që iu bë shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë. Kardiokirurgu Ali Rifatllari është plagosur me thikë nga një i afërm i ish-pacientit të tij, në orën 9 të paradites, kur mjeku po shkonte për në punë. Agresori Arben Strazimiri ka pritur para Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme që mjeku të fillonte orarin e punës për ta sulmuar atë. Ndërkohë që mjeku Rifatllari ka parkuar makinën afër spitalit, qytetari i është afruar duke e qëlluar në shpatull. Sipas personave në vendngjarje, mjeku është kthyer për t’u vetëmbrojtur, duke u munduar të kapte thikën për të ndalur sulmin. Por agresori ka qenë i vendosur në aktin e tij dhe e ka plagosur edhe në dorë ndërsa mjeku përpiqej të largonte thikën. Personat që kanë qenë afër janë munduar të t’i heqin thikën nga dora agresorit, duke mos e lejuar që goditjet me thikë të përsëriteshin.
Ndihma mjekësore
Menjëherë pas ngjarjes mjeku i është nënshtruar operacionit nga kolegët e tij, ku gjithçka mësohet se ka përfunduar me sukses. Ndërsa plaga në dorë mund t’i shkaktojë probleme në ushtrimin e karrierës së tij. Drejtoria e QSUT-së u shpreh se Rifatllari ka operuar dajën e agresorit, duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore paraprake siç veprohet për çdo qytetar. Sipas tij, mjeku ka marrë miratimin e personit dhe familjarëve të tij për ndërhyrjen kirurgjikale. Ndërkohë që agresori, duke përjetuar keq ngjarjen për humbjen e dajës së tij 10 ditë më parë, ka fajësuar mjekun që ka kryer operacionin, si shkaktar të humbjes së të afërmit të tij.
Arrestimi
Sipas policisë, Arben Strazimiri, ka goditur me thikë shefin e Kardiologjisë në spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë, Ali Rifatllari, rezulton me probleme të shëndetit mendor. Policia e Tiranës pohoi se ka marrë masën e arrestit për shtetasin Arben Strazimiri, 35 vjeç, banues në Tiranë, si autor i dyshuar për plagosjen me armë të ftohtë të shtetasit Ali Rifatllari, 47 vjeç, shef i Kardiologjisë në spitalin "Nënë Tereza” paraditen e sotme në këtë spital. Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u mundësua nga forcat e strukturave operacionale të policisë, pas marrjes së njoftimit për plagosjen me thikë të shefit të Kardiologjisë, Ali Rifatllari. Nga të dhënat e policisë rezulton se autori i dyshuar i kësaj plagosjeje ka qenë proceduar më parë për “vrasje të mbetur në tentativë”. Gjithashtu, grupi hetimor konkludoi se shtetasi Arben Strazimiri vuan nga probleme të shëndetit mendor. Policia në bashkëpunim me prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Me cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi edhe armën e ftohtë (thikën).

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›