E Diel, 1 Nëntor 2026

Referencë për studiuesit e dizajnit

Libri i autorit Milot Gusia, “Principet e dizajnit grafik”, është referencë e rëndësishme për fillestarët, por gjithsesi edhe për të tjerët që kanë interes për këtë fushë të artit. Nga Rrezeart Galica - Giqi më 03 tetor 2011 në ora 12:03

“Principet e dizajnit grafik” dhe CD-ja multimediale bashkë me të, paraqesin një botim të veçantë e gjithëpërfshirës në fushën e artit.

Në bibliografinë prej katër faqesh mbase më së miri shihet se autori, magjistri i dizajnit grafik, Milot Gusia, ka hulumtuar dhe ka shfrytëzuar literaturë të shumtë për përvetësimin e lëndës dhe për nxjerrjen e shembujve më të mirë të mundshëm, që ky libër të jetë më i afërt e më komunikues me shfrytëzuesin e tij.

Trajtimi i veçantë dhe me kujdes i secilës disiplinë të dizajnit grafik është bërë në nivelin e lartë profesional, kështu që arrin që librin ta bëjë shumë funksional, madje edhe për ata që për herë të parë ndeshen me këtë fushë specifike të arteve pamore.
Në librin “Principet e dizajnit grafik” Gusia elaboron në detaje sferat e dizajnit grafik, duke filluar nga bazat e tij e deri tek ato më specifike, si: anatomia tipografike, principet e faqosjes, hapësira e bardhë, përzgjedhja e imazheve etj. Në pjesën tjetër, ku flitet për dizajnin dhe ngjyrat, autori me përkushtim arrin të shtjellojë prejardhjen e ngjyrës, bazën biologjike dhe llojllojshmërinë. Ndërsa te përgatitja për shtyp (Prepress-i), përkushtimi i autorit fokusohet në ndarjen e ngjyrave si pjesë përfundimtare e intervenimit digjital. Ai flet edhe për makinat RIP të procesimit të shënimeve e deri te përzgjedhja e letrës për shtyp.

Dizajni grafik është i lidhur ngushtë me shtypin dhe te kapitulli që merret me këtë aspekt, autori elaboron degët e shtypit, që plotësohen me historinë dhe përdorimin e teknologjive të sotme moderne.

Simbolet në dizajnin grafik paraqesin veprim të transformuar në një formë grafike. Autori këtu paraqet llojet e simboleve, që nga piktogramet e rebusi e deri te monogrami e stemat heraldike. Edhe logoja zë vend te simbolet. Në libër paraqiten logot më të njohura në botë, duke i klasifikuar ato të ndërmarrjeve ushqimore, turistike, logot dinamike, të animuara dhe logot digjitale. Në fund të këtij kapitulli, Gusia shpjegon ndikimin e stileve dhe interpretimet religjioze të tyre.

“Përmbi dyqind vjet, posterët kanë qenë të ekspozuar në vende publike në gjithë botën. Vizualisht tërheqëse, ata kanë qenë të dizajnuar për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, duke na bërë të vetëdijshëm mbi pikëpamjet e ndryshme politike, për të na nxitur që të vizitojmë një ngjarje specifike, ose për të na trimëruar në blerjen e një produkti ose shërbimi të caktuar”.

Nëpërmjet këtij paragrafi të historianit francez Max Gallo, autori reflekton te lexuesit peshën e goditjes përmes mesazhit që ka posteri në sferën e dizajnit grafik.

Si shembuj të fillimit të përdorimit të tyre, janë paraqitur edhe posterët litografikë të Alfon Mucha-s.

Posteri që e njohim ne sot, e ka prejardhjen që nga viti 1870, kur industria e shtypit arriti perfeksionimin e teknikës së litografisë me ngjyra, gjë që mundësonte shumëzimin e tyre. Vend të posaçëm në këtë kontekst zë edhe përdorimi komercial dhe posterët më të njohur politikë e kinematografikë, por edhe llojet e tyre, si dhe krijimi dhe parimet e dizajnit të posterit.

Autori Gusia merret edhe me broshurat, mënyrat e bërjes së saj, bizneskartat, artin postar si art jokomercial etj., ndërsa te dizajni i ambalazhit, autori tërheq vëmendjen te krijimi i produktit që funksionon fizikisht dhe që është tërheqës vizualisht.

Historisë së Brendingut autori i jep një hapësirë më të veçantë, duke e zbërthyer nga termi, origjina dhe vlerat, përfshirë këtu edhe shembujt e kompanive të mëdha. Autori radhit me kujdes tipat e emrave të brendeve - prej akronimeve, emrave të krijuesve, si dhe personifikimet.

Më në fund, autori i qaset dizajnit të brendingut - ku paraqet diagramin edhe në mënyrë skematike nëpërmjet të cilit reflekton fazat e zhvillimit të koncepteve kreative brenda agjencive të reklamimit në zhargonin e dizajnit.

Sa u përket kohës dhe rrethanave të botimit të kësaj vepre, duhet të theksojmë se ky libër e pa dritën m’u në kohën kur artit pamor në përgjithësi po i ngushtohet hapësira në medie dhe kur në fakt po mungojnë botime të këtilla në gjuhën shqipe. Shpresojmë se në të ardhmen, libri dhe CD-ja multimediale “Principet e dizajnit grafik”, do të jenë referencë e rëndësishme për fillestarët, por gjithsesi edhe për të tjerët që kanë interes për këtë fushë të artit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›