“Referendum për hapjen e kutive të votimit”

Një grup qytetarësh në Tiranë kanë paraqitur pranë KQZ-së një kërkesë për organizimin e një referendumi, ku qytetarët të ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara. Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t'i përgjigjen me PO ose JO. Këto pyetje janë: A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s? A duhet rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile? A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja? Andi Gjoliku, një nga nismëtarët e kërkesës për referendum, thotë se ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës dhe se kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep Kushtetuta. Grupi i qytetarëve është në pritje të përgjigjes që duhet t'i japë KQZ-ja, e cila, sipas ligjit, duhet ta bëjë këtë gjë brenda 20 ditësh. Andi Gjoliku i tha BBC-së, se dhunimi i së drejtës për të vetëvendosur përmes referendumit do të pengonte ëndrrën europiane. Por shqyrtimi i kërkesës së qytetarëve pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta marrë në muajin shtator, pasi në gusht i gjithë institucioni është me pushime. Me një urdhër të brendshëm, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, i ka lejuar administratës të drejtën e pushimeve të plota gjatë muajit gusht, çka bën me dije se akti i asgjësimit të fletëve të votimit nuk do të ndodhë përpara muajit shtator. Ndërkaq, Presidenti i Republikës duhet të shpallë brenda 8 shtatorit datën e zgjedhjeve të reja lokale të vitit 2011. Sipas ligjit, pas kësaj fletët e votimit të zgjedhjeve të mëparshme asgjësohen. çështja e fletëve të votimit vazhdon të jetë nyja gordiane në mosarritjen e marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës për kapërcimin e krizës politike në marrëdhëniet mes tyre. Opozita kërkon që transparenca e zgjedhjeve të kaluara të shtrihet deri te fletët e votimit, të cilat, sipas saj, komisioni hetimor parlamentar duhet t’i rinumërojë sa herë materiali zgjedhor nuk e plotëson transparencën. Por, shumica këmbëngul në qëndrimin e saj, se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në përputhje me ligjin ekzistues, i cili parashikon djegien e fletëve të votimit. Edhe pse dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve ende nuk është firmosur, pezullimi i punës nga administrata e KQZ-së dhe largimi i anëtarëve të tij për pushime edhe si e tillë, jep një mesazh politik. Urdhri është shoqëruar me detyrimin për t’u paraqitur në punë në datën 1 shtator, muaj në të cilin administrata e KQZ-së, sikurse bëhet e ditur, nuk do të ketë të drejtën e konsumimit të pushimeve apo lejes. Ky ritëm i përshtatur pune zgjidh debatin e nxehur kohë më parë për djegien e fletëve të votimit, të cilat për të përdorur një term që fiton kuptim paradoksal, janë “ngrirë” kësaj radhe nga përfaqësuesit e djathtë. Konteksti problematik i krijuar nga politika për sa u përket negociatave gjen një përgjigje konkrete, e cila edhe pse varet nga akti i kreut të shtetit në vetvete, sinjalizon edhe vullnetin e shumicës së djathtë për ta shtyrë më tej këtë çështje. Prezenca në KQZ e nëpunësve të administratës është aktualisht në kuotën minimale dhe kjo i jep një “siguri” shtesë opozitës për fatin e administrimit të fletëve të votimit, ku strehohet e vërteta e shumëkërkuar e 28 qershorit. Mes dy partive që negociojnë dhe japin propozime të reja, mes një debati që vijon ende të riprodhojë të njëjtat dilema që kanë humbur peshën e vet, institucioni që mbikëqyr zgjedhjet në Shqipëri ka ulur gatishmërinë, duke e bërë djegien një veprim të pamundshëm për arsye logjistike. Nga vendimi për djegien e fletëve e deri në kryerjen konkrete të këtij akti qëndron një praktikë dhe procedurë e hollësishme, që kërkon angazhimin e plotë të institucionit dhe që për herë të parë ka gjasë të monitorohet deri në detaje.
#