Manastiret serbe, ende nën përgjegjësinë e KFOR-it
Policia e Kosovës ende nuk do të fillojë me ruajtjen e Manastirit të Graçanicës, por vetëm do të nisë fazën tranzitore, thotë zëdhënësi i KFOR-it, duke përgënjeshtruar raportimet e disa mediave se "Policia e Kosovës që sot e tutje do të ofrojë siguri për Manastirin e Graçanicës". "Ne sapo kemi filluar fazën tranzitore. Gjatë fazës tranzitore KFOR-i do të vazhdojë të jetë në përgjegjësi të plotë për ruajtjen e Manastirit të Graçanicës dhe Policia e Kosovës do të jetë prezente aty për trajnim dhe të njihet nga afër me punën", thuhet në një reagim të zëdhënësit të KFOR-it. "Pas vlerësimit pozitiv të aftësive dhe eksperiencës së Policisë së Kosovës, kjo fazë tranzitore do të kalojë në fazën ekzekutuese me dorëzimin e përgjegjësisë për ruajtjen e këtij vendi me trashëgimi fetare. Trajnimi dhe vlerësimi i aftësive do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in. Kjo organizatë do të vazhdojë gjithashtu të monitorojë dhe këshillojë Policinë e Kosovës, e cila do të përfundojë në fund të gushtit", sqaron zëdhënësi i KFOR-it, i cili pohon se për fillimin e dorëzimit të përgjegjësisë te Policia e Kosovës opinioni do të njoftohet me kohë.
#