Virusi i Nilit, udhëzim për “skaner"të meningjitit
Pas lehtësimit nga gripi i derrit A1N1 dhe gjendjes së përhapjes edhe në Shqipëri, një tjetër “flamë”, ajo e virusit të Nilit perëndimor. Mediat greke në fundjavë konfirmuan prekjen e dy rasteve me virusin e Nilit. Nisur nga fluksi i emigrantëve shqiptarë në Greqi drejt vendlindjes, autoritetet shqiptare me nisjen e javës së re kanë diskutuar mbi mundësinë e prekjes së vendit tonë nga ky virus. Dje, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë dërguar në adresë të drejtorive rajonale të shëndetit publik, spitaleve dhe Institutit të Shëndetit Publik një shkresë, nga ku kërkohet gatishmëri.
Konkretisht dje është mbledhur një përfaqësi e komisionit të sëmundjeve infektive dhe është vendosur që autoritetet shëndetësore, edhe në bazë të udhëzimit, duhet patjetër që të shohin me prioritet të gjithë ata pacientë që paraqiten me simptoma të dyshuara. Ata duhet të shihen si mundësi e një meningjiti me origjinë virale.
Udhëzimi“Kemi përgatitur një udhëzim për të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, që nëse në këtë periudhë dikush paraqet simptoma të dyshuara, duhet parë mundësia e një meningjiti me origjinë virale”, sqaroi Pëllumb Pipero. Sipas tij, nëse goditja në tru vazhdon, atëherë pacienti mund të humbë kujtesën dhe shfaq vështirësi në të folur. Ndërsa nëse sëmundja nuk trajtohet, atëherë ajo shkakton bllokim të frymëmarrjes deri edhe gjendje kome. Virusi i Nilit ka angazhuar Ministrinë e Shëndetësisë në vendin tonë, pas dy pacientëve të konstatuar në shtetin fqinj Greqi. Ky virus, i cili është shfaqur në vitin 1937, përhapet nga mushkonjat te njerëzit dhe jo nga njeriu te njeriu.
“Transmetimi i këtij virusi bëhet përmes mushkonjave. Këtë alarm duam të sjellim në vëmendje të opinionit publik. Burim infeksioni janë zogjtë e infektuar, jo njerëzit e sëmurë, të cilët nuk përbëjnë rrezik për të tjerët”, sqaroi Pëllumb Pipero, drejtor i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas Piperos, shfaqja e këtij virusi në Europë, përveç strukturave të shëndetësisë, duhet t’u tërheqë vëmendjen qytetarëve që të jenë të kujdesshëm e të mos neglizhojnë simptomat e para, pasi në një stad më të avancuar virusi mund të hyjë direkt në sistemin nervor, duke ndikuar në tru dhe shtyllën kurrizore. Por ka edhe raste kur virusi nuk shfaq simptoma dhe atëherë është më i rrezikshëm.
Virusi i Nilit futet në grupin Flaviviridae, njohur ndryshe si kompleks virusesh. Shfaqet si në zonat tropikale ashtu edhe në zonat me klimë të butë. Në të shumtën e rasteve infekton zogjtë, qentë, macet, lepujt, kuajt, qelbësin, ketrat.
Pjesa më e madhe e njerëzve infektohen pas pickimit nga mushkonja. Në 90 për qind të rasteve kur prek njerëzit, infeksioni nuk jep asnjë simptomë. Virusi i Nilit të Perëndimit transmetohet nga pickimi i mushkonjave të infektuara, ndërsa është e rëndësishme të theksojmë se pacientët e infektuar nuk e transmetojnë virusin, pra çdo njeri mund të preket, vetëm nëse e pickon mushkonja.
#