E Diel, 1 Nëntor 2026

Referendumi i Papandreut shkakton reagime ne tregjet nderkombetare

Pas vendimit të kryeministri grek Papandreu, për zhvillimin e një referendumi ndaj paketës ndihmëse europiane dhe masave antikrizë, janë ngjallur reagime të forta në tregjet ndërkombëtare, në shoqërinë dhe politikën greke por edhe në qëndrimet e analistëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.

Sipas tyre, vendimi do të çojë në zgjedhje të parakohshme dhe daljen e Greqisë nga Eurozona.

Vendimi i kryeministrit grek, Papandreu, për referendum mbi ndihmën e BE dhe masat shtrënguese, ka tronditur rëndë bursat ndërkombëtare.

Javën e kaluar, liderët evropianë vendosën të reduktojnë me 50% borxhin e Greqisë si dhe forcimin e fondit të shpëtimit.

Por ky veprim është vënë në dyshim nga Athina, nëse marrëveshja do të shkojë përpara për parandalimin e krizës.

Për këtë, Papandreu ka deklaruar se do të kërkojë një referendum popullor.

Referendumi do të paraprihet nga votëbesimi i qeverisë dhe shumica e analistëve shprehën shqetësim se ajo mund të pasohet nga zgjedhjet e reja dhe falimenti i Greqisë.

Analistët thonë se vendimi i kryeministrit, Jorgo Papandreu për të thërritur një referendum mund të rezultojë në zgjedhje të parakohshme pasi qytetarët të lodhur nga programet e shtrëngimit të ekonomisë mund të refuzojnë marrëveshjen dhe të falimentojnë vendin.

Investitorët globalë janë të shqetësuar se lëvizja greke mund të dëmtojë përpjekjet e Evropës për të ndalur kontaminimin e Italisë e cila në ditën e premte regjistroi pikën më të lartë të interesit në historinë e eurozonës për bonot 3 vjeçare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›