Referendumi për sistemin zgjedhor, Duka: Mandati im fundit si deputet të shërbejë për ndryshimin

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është bërë një nga nismëtarët e ndryshimit të sistemit zgjedhor përmes referendumit, jo për të përfituar personalisht, siç thotë, por për të ndryshuar një sistem të padrejtë, që deformon vullnetin e qytetarëve.
“Karriera ime është e fundit, sepse nuk do të shkoj më në parlament, edhe po të ma ofrojnë pa zgjedhje fare. Ky sistem zgjedhor është i padrejtë. Listat e hapura nuk ekzistojnë. Ka raste që dikush ka marrë 200 vota dhe është në parlament, ndërsa me 9 mijë vota nuk futet dot, se nuk e lejon ky sistem. Vota e qytetarit duhet të shkojë aty ku orientohet. I jep rol të merituar një individi. Kryeministri ka pushtet absolut prej këtij sistemi. Kjo duhet të ndryshojë dhe të ketë nevojë edhe për aleanca me partitë e tjera.”- tha zoti Duka në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
Për nismëtarët e ndryshimit të sistemit, ideale do të ishte një sistem proporcional kombëtar, por duke qenë se ndarja në rajonë e Shqipërisë është e vendosur në Kushtetutë, nismëtarët janë të kufizuar të vendosin numrin e rajoneve.
Nisma e tyre referendare nuk synon të ndërlikohet akoma më shumë me ndryshimin e Kushtetutës, por vetëm me ligjin zgjedhor.
“Ne propozojmë që nga 12 zona te jenë 4 zona e poshtë, që mundësia që votat për disa nga partitë, të jetë sa më e vogël. Probabiliteti që votat të konvertohen në deputetë është më i madh, kur rajoni rritet. Shqipëria një zonë elektorale do të ishte ideale, por kjo kërkon ndërhyrje kushtetuese dhe duhet patjetër dakordësia me Ramën.“- tha Agron Duka në emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/