Samiti i NATO-s në Lituani, agjenda e Ramës dhe çfarë vendimesh pritet që të merren

Samiti i NATO-s në Vilnius, Lituani, pritet të jetë nga më të rëndësishmit, pasi do të paraqitet rinovimi më i madh i planeve ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, nëse Moska do të guxojë të zgjerojë konfliktin.
Në këtë Samit do të marrë pjesë edhe kryemninistri Edi Rama, krahas liderëve të tjerë botëror duke filluar që nga Presidenti amerikan, Joe Biden, ai turk Erdogan, ai francez Makron, kancelari gjerman Scholz, si dhe liderë të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s.
Rtsh.al mëson se fillimisht, nesër (të martën) në orën 13:30 do të ketë një foto familjare, takime informale mes ministrave të mbrojtjes dhe atyre të jashtëm, dhe në orën 14.00 do të nisë Samiti i NATO-s.
Kryeministri, Edi Rama, pritet të ketë një seri takimesh dypalëshe me drejtues të lartë të shteteve anëtarë të NATO-s përgjatë gjithë pasdites. Ndërsa në mbrëmje Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, do të shtrojë një darkë zyrtare për nder të të pranishmëve.
Rama: Do shtojmë shpenzimet për mbrojtjen, gati trupa shtesë nëse na kërkohet
Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Shqipëria mezi e pret Samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius.
“Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor. Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej.”- ka theksuar Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare, në Samitin e Vilniusit, Lituani, do të njoftojë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa ushtarake shtesë për të forcuar praninë e NATO-s.
Çfarë pritet nga Samiti?
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologët e tij të NATO-s kanë vendosur të miratojnë një ndryshim të madh, lidhur me sistemin e planifikimit të aleancës. NATO, si organizatë, nuk i ofron armë apo municione Ukrainës. Por në të njëjtën kohë, ajo po forcon masivisht sigurinë e vendeve anëtare pranë Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë.
Rreth 40,000 trupa janë në gatishmëri nga Estonia në veri deri në Rumani në Detin e Zi. Rreth 100 avionë ngrihen në qiell në atë territor çdo ditë dhe gjithsej 27 anije luftarake janë duke operuar në Detin Baltik dhe Mesdhe. Këto shifra është vendosur që të rriten.
Sipas planeve të reja, NATO synon të ketë deri në 300,000 trupa gati për të lëvizur në krahun e saj lindor brenda 30 ditëve. Planet e ndajnë territorin e saj në tre zona – në veriun e lartë dhe zonën e Atlantikut, një zonë në veri të Alpeve dhe një tjetër në Evropën Jugore.
/rtsh.al/