Padia kundër Topallit, Kushtetuesja rrëzon Tahirin
Masat disiplinore të marra nga Byroja e Kuvendit të Shqipërisë kryesisht kundrejt deputetëve socialistë konsiderohen si të ligjshme nga Gjykata Kushtetuese. Duke shqyrtuar një nga këto raste me kërkesë të deputetit socialist Sajmir Tahiri, i cili gjatë këtij viti ka qenë objekt e këtyre masave, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimet e tij për një proces të parregullt ligjor dhe cenim të aktivitetit legjislativ të deputetit si pasojë e efekteve që kanë sjellë këto vendime. Vendimi për rrëzimin e kërkesës së Sajmir Tahirit është marrë nga mbledhja e kolegjit të gjyqtarëve kushtetues gjatë shqyrtimit paraprak që në datën 22 prill, duke e konsideruar në të njëjtën kohë të panevojshme kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.
Kërkesa
Në seancën e datës 10 shkurt deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës pas një përpjekjeje të këtyre të fundit për moslejimin e zhvillimit normal të mbledhjes, debatuan ashpër, ndërkohë që nuk munguan edhe përleshjet fizike. Si rrjedhojë e një situate të tillë po në datën 10 shkurt me propozim të disa deputetëve të djathtë, kryetarja e Kuvendit thirri mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, e cila morri masën penalizuese për përjashtimin nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve dhe të seancave plenare për një periudhë 15-ditore të tre deputetëve socialistë: Sajmir Tahiri, Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga. Këto masa disiplinore u shoqëruan edhe me sanksionin financiar të ndalimit të pagës për 15 ditë. Në këto kushte deputeti socialist Sajmir Tahiri duke u shprehur kundër një vendimmarrje të tillë paraqiti në datën 7 mars në Gjykatën Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e këtij vendimi të Byrosë së Kuvendit, duke parashtruar një sërë shkaqesh që lidhen kryesisht me parregullsinë e procedurës së marrjes së këtyre masave. Siç theksonte Tahiri në kërkesën e vet dy pasojat e procedimit disiplinor të zhvilluar nga Byroja e Kuvendit, përkatësisht ndalimi i ushtrimit të detyrës dhe mbajtja e pagës së deputetit, janë rrjedhojë e një procesi disiplinor, gjatë të cilit nuk u respektuan as në formë dhe as në përmbajtje kriteret kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Gjithashtu ai pretendonte në këtë kërkesë se përbërja tërësisht disproporcionale e Byrosë së Kuvendit, si autoritet disiplinor, mungesa e informimit të deputetit në mënyrë të hollësishme për natyrën, llojin dhe masën e shkeljes së konsumuar përpara se të merret masa disiplinore, mohimi i të drejtës për t`u dëgjuar, mungesa e procesit kontradiktor, mohimi i të drejtës për t`u mbrojtur dhe mosnjohjes së materialeve akuzuese brenda një afati të arsyeshëm, përbëjnë shkelje të hapur të standardeve kushtetuese që garantojnë zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.
Ndaj ai i kërkoi gjykatës shfuqizimin, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e Vendimit të Byrosë.
Vendimi
Në datën 22 mars Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga Bashkim Dedja, Admir Thanza dhe Petrit Plloçi mori në shqyrtim paraprak kërkesën dhe e diskutoi atë në tërësi, duke vendosur për rrëzimin e saj dhe moskalimin në seancë plenare. Duke argumentuar këtë vendimmarrje, Kolegji sqaron se Gjykata Kushtetuese ka theksuar se cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës, sjell cenimin e realizimit të të drejtave të tjera kushtetuese e ligjore. Për këtë arsye mbrojtja kushtetuese realizohet në rastin e të gjitha konflikteve që janë vendimtare për situatën juridike të një personi. Duke iu referuar rastit në shqyrtim, gjyqtarët sqarojnë se në Gjykatën Kushtetuese është kundërshtuar vendimi i Byrosë së Kuvendit për marrjen e masës disiplinore të përjashtimit të kërkuesit nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve dhe të seancave plenare për një periudhë 15-ditore, shoqëruar kjo edhe me sanksionin financiar të ndalimit të pagës për këtë periudhë. Kolegji vëren se vendimi i Byrosë së Kuvendit, për dhënien e masës disiplinore, nuk është një vendim që çon në ndërprerjen, në mënyrë përfundimtare, të ushtrimit të mandatit përfaqësues të deputetit përkatës. Pra, këto kategori vendimesh nuk janë vendimtare për situatën juridike të këtyre individëve (deputetëve). Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kontrollin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për marrjen e masës disiplinore dhe për rrjedhojë ajo nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare.