E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksionet e fundvitit - dhjetor, 2012

29-12-2012 / Nga Eden Babani

Po e përcjellim edhe këtë vit shëndoshë e mirë, ndonëse paksa me sikletet e krizës financiare të përbotshme, të krizës së stisur me vetveten ose të ankthit për shkak të apokalipsit, i cili them se kaloi pa na fshikur. Që të bindemi se qytetërimi i stërlashtë Maya e kishte “mosmarrëveshjen” me vetveten, jo me ne, s’na ka mbetur veç një grusht orësh, në krahasim me tetëmijë e shtatëqind e ca që kemi përjetuar qysh nga më i mbrami Vit i Ri (Shën Vasil, i thoshim në fëmijërinë time, në Korçë). Qytetërimi Maya s’është më, i takon parahistorisë. Ne ja ku jemi. I takojmë së ardhshmes.
Këtë fund viti, më ngjiti jashtë mase një mesazh i Kryeministrit Berisha për miqtë e tij të shumtë, bash 21 dhjetorin e sivjetshëm, tek  pritej fundi i botës. Lideri politik shqiptar e kishte hapur ditën me videon tërë ritëm e humor Gangnam Style, të yllit të muzikës pop të Koresë së Jugut, Park Jae-Sang, i njohur me emrin Psy. “Suksesi është si magneti, ndaj e nisa ditën, duke e parë edhe një herë videon në YouTube... Ju si të doni, por unë tani, pas apokalipsit të Maya-ve, e pëlqeva natyrisht dy herë më shumë...”
Nuk di çka ka pasur parasysh zoti Kryeministër me këtë mesazh, por s’nguroj të them se unë e mora për ironi të hollë e tepër të qëlluar. “Maya-t” tona le t’i falen ditës së apokalipsit për “Erën Berishiane”, që, sipas tyre do të ndodhka 23 qershorin e ardhshëm. Me sa duket, ndërsa për shumicën e shqiptarëve po kridhet ajo ditë thellë e më thellë vrimave të zeza të Universit, për “Maya-t” e Bllokut, po vjen si me qenë asteroidi që, siç mendojnë shumë shkencëtarë, i dha fund Erës së Mesozoikut, erës së dinozaurëve, këtu e 65 milionë vjet përpara. 
Mbrëmjen e 20 dhjetorit, ndërsa njerëzimi priste orën e apokalipsit (australianët e kishin pritur e përcjellë me mesazhe të ndërsjella humori nga e gjithë bota), gazetari i njohur italian Bruno Vespa solli për shikuesit e programit “Porta a porta” një dokumentar filmuar vjedhurazi prej stafit të RAI 2 në pyjet e gadishullit të Jukatanit, në Meksikë, pranë kraterit Chicxulub, që mendohet se është hapur nga rënia e asteroidit që solli fundin e dinozaurëve. Një komunitet i vogël italianësh qenkësh ngulur atje për t’i shpëtuar fundit të botës. Nuk dihet pse kanë zgjedhur atë vend dhe si jeton komuniteti, ngaqë gjithçka ata vetë e kanë  kredhur në mister të plotë. Gjithsesi, një ndër të ftuarit e asaj mbrëmjeje, astrofizikan e drejtor i Observatorit Astronomik të Napolit, i vlerësoi simpatikë bashkatdhetarët e vet të ngulur atyre anëve. E kanë bërë llogarinë, ironizoi ai, mbi parimin e njohur të artilerisë, sipas të cilit mundësia e rënies së predhës së dytë në të njëjtin vend ku bie e para, është thuajse zero...
U fol shumë në prag të ditës së kiametit, edhe për fshatin Bugarach me rreth 200 banorë, në Pirenejtë e Francës. Dikur, fshati ka qenë përmendur si vend i sigurt për të veçuar të burgosurit me dënime të rënda, kurse më pas, tërhoqi hippi-të. Që prej fillimit të këtij shekulli, shpellave të Pirenejve ua vunë syrin ata që donin t’i shpëtonin fundit të botës më 21 të muajit që po lëmë pas, me qëllim që të mbronin kryet dhe pasurinë.
Le të shpresojmë se koha e mbetur deri 23 qershorin e ardhshëm, do t’u mjaftojë bllokmenëve tanë të përzgjedhin më të sigurtat guva e bunkerë të trashëguar nga era e Bllokut, në pritje që të krijohen kushtet e “rilindjes shqiptare” të supozuar, ndonëse një krater të hapur ua e ka lënë Enveri në mes të Tiranës, në kujtim të vdekjes së Leninit më 21 dhjetor 1924...
* * *
Lumturisht, viti i 100-vjetorit të Pavarësisë u shënua në analet e historisë sonë kombëtare me madhështi të paprecedent. Duan ose s’duan disa atdhemohues, shqiptarët e shpalosën haptas vullnetin e tyre për bashkim. Ata që mendojnë se mund të fshihen pas ndonjë këshille të importuar prej kushedi se nga, u ngjajnë prindërve të paditur e të pafuqishëm për të edukuar fëmijë, të cilët, në vend që t’u kultivojnë atyre pavarësi, i trembin “Sh-sh-t! Gogoli!”. “Gogolit” i ka perënduar dielli. Ai i përket së shkuarës. Shqiptarët kanë tashmë dy shtete të pavarura, me institucione të pavarura qeverisëse, por, fatkeqësisht, me kufij shtetërorë ndarës. Bash në prag të skadimit të Traktatit të Londrës që i ndau shqiptarët me kufij mes vedi, ky Jubile - 100-vjetori i ndërgjegjësimit mbarë shqiptar, le ta quajmë, - dha sinjale për veprime më të bashkërenduara mes dy shteteve tona të pavarura, çka do të ishte edhe në të mirë të vëllezërve tanë që jetojnë në tri shtete të tjera fqinje, në mos në katër. E drejta për vetëvendosje, tashmë është bërë lajtmotiv ndërkombëtar. Sa i  takon anës sonë, shqiptare, këtë herë Vlora, Tirana, Prishtina, Shkupi... folën pa drojë. “I palodhuri” Dr. Berisha u ftua të merrte fjalën në mitingun madhështor të Shkupit, me  cilësinë e “Kryeministrit të të gjithë shqiptarëve”. Kjo nuk është gjetje e berishianëve të orëve të para. Është e organizatorëve, që padyshim s’ka pse të akuzohen për berishizëm. Lajthitje, do të nguteshin të thoshin atdhemohuesit. Aq sa mund të jetë lajthitje Rruga e Kombit, aq sa mund të quhet lajthitje rrugëtimi me këmbë e me kuaj i shqiptarëve të Preshevës, të Mitrovicës e të viseve të tjera etnike, në Vlorën e Flamurit, Ditën e Madhe të Flamurit, do t’u përgjigjesha. Gjithsesi, Dr. Berisha i foli Kombit me zemër të hapur dhe Kombi e priti fjalën e tij atdhetare zemërhapur...
 * * *
Fatkeqësisht, ky vit, Viti i Madh i 100-vetorit Shqiptar, do të mbahet mend si viti i bllokimit të rrugës drejt familjes së madhe të BE-së. Pasi nuk ia dolën dot me greva të stisura urie, me tentativa për grusht shteti e trazira si ajo e 21 janarit 2011, antikombëtarët dhe mbështetësit e tyre tashmë të dalë boje, iu kthyen bllokimit të reformave. Europa ja ku është. Ajo na pret. Kurse ne na ka zënë “Çështja Fier” dhe alibi të tjera kësisoj.
Nuk është Berisha “alibi” e së majtës për të bllokuar gjithçka, siç mëtonte të na e mbushte mendjen një analist as mish, as peshk, as blu, as rozë, por veç gërnjar e në krizë të plotë identiteti. Nuk është as Rama “alibi” e së djathtës për korrupsionin që, sipas analistit të zellshëm për as ashtu, as kështu, po bëka kërdinë në Shqipëri. Korrupsion ka edhe te ne, siç ka kudo në botë. Alibi e vërtetë janë ata që e patën në dorë drejtësinë dhe e katandisën në ditë të hallit, kurse sot, me ca partiçka paterica të Ramës, i kërkojnë drejtësi Berishës. Alibi e vërtetë janë antikombëtarët që me teoritë e tyre për “identitete kombëtare në proces”, përpiqen të na e zhbëjnë identitetin tonë të krijuar në mijëravjeçarë, qysh se dardha rritej në Dardani, siç rritet sot në Kosovë e në viset etnike të Shqipërisë Lindore; qysh se dardanët i thoshin dardhës dardhë, siç i themi ne sot; qysh se Teuta, Mbretëresha e famshme ilire, kontrollonte Adriatikun, duke vënë në vështirësi Perandorinë e Romës, superfuqi e kohës. Alibi e vërtetë është të zëvendësosh identitetin shqiptar, me identitet kosovar, të shpikësh termin e paqenë “kosovarizmin” për të zhbërë shqiptarizmin. 
* * *
Dimri i sivjetshëm e gjeti kontinentin tonë në valën e zhvillimeve politike që priteshin e nuk priteshin. As gjashtë muaj pas fitores së socialistëve në Francë, Fransua Holand ka zbritur në kuotën më të ulët të përkrahjes nga ana e popullit francez. Duket se politika e tij ekonomike mori teposhtë pa arritur apogjeun. Taksa progresive, tashmë e trumbetuar me të madhe edhe nga ana a socialistëve tanë, bëri që të transferoheshin jashtë vendit shuma të mëdha kapitalesh, çka do të thotë mbyllje e vendeve të punës. Shumë domethënëse lënia e shtetësisë franceze nga aktori i madh Zhérar Depardieu dhe kërkesa e tij për të marrë shtetësi belge.
Fqinji ynë jugor po përpëlitet në një darë financiare të paparë, çka e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e euros. Agjencitë e lajmeve njoftonin se, në pamundësi për të shlyer pagesat, qeveria greke do t’ua presë pensionet afro 18 mijë të ashtuquajturve veri-epirotë. Çfarë do të bënte “Rilindja” e supozuar e socialistëve shqiptarë, nëse pjesëtarët e familjeve të këtyre pensionistëve që bënin si bënin me ca punë nëpër Greqi dhe me pensionet e familjarëve, do t’i vardiseshin së ashtuquajturës Seli Rozë, po të jetësonte Rama ëndrrën e vet për t’u bërë kryeministër? Kreu i socialistëve shqiptarë ka shpallur se, në rast fitoreje më 2013, do t’i pezullonte të gjitha privatizimet e derisotme. Kjo do të thotë të përzësh  investitorët e huaj, çka do të sillte pa pikë dyshimi mbylljen e vendeve të punës, shtimin e ushtrisë së të papunëve.
Ndërkohë, fqinji ynë perëndimor ka hyrë në spiralen e një krize politike, që nuk ka zot të parashikojë se cili koalicion partish do të qeverisë vendin pas zgjedhjeve që do të mbahen në fund të shkurtit të ardhshëm. Mario Monti, i pranueshëm për Europën, ua ka shtrënguar rripin italianëve te s’mban më, që të futë në hulli financat. Profesor, por jo politikan, ky duket se do të ketë përkrahje politike të kufizuar, përderisa refuzoi ofertën e Berluskonit, për të bashkuar të djathtën. Lideri i Partisë Populli i Lirisë nga ana e tij, i papranueshëm për shumë liderë europianë si edhe për liderët e Lega Nord, pasi dalldisi të verë kandidaturën e vet për kryeministër, beson se do të arrijë t’i bindë këta të fundit për të ripërtërirë koalicionin e dështuar para një viti e ca. Demokristiani Kazini dhe Montezomolo, që pretendojnë të zënë qendrën e djathtë, nuk ia dalin dot pa u lidhur ose me të djathtët e Berluskonit, ose me të majtët e Bersanit e të ekstremistit Vendola. Kurse dalja më vete e Lega-s, do të ishte vetëvrasje për partinë e kufizuar në Regjionet e Veriut.
Kështu që, ndërsa njëri opsion përjashton tjetrin, Italia po jep shembullin e pastër se çfarë nuk duhet të ndjekë politika shqiptare. Kjo e vërtetë merr përmasa më të dukshme, po të kemi parasysh se e majta jonë, sikurse ajo italiane, nuk i ofron elektoratit alternativa qeverisëse, përveçse fjalë. Të shmangim Berluskonin, të ndryshojmë Italinë, është thelbi i politikës së Bersanit e Vendolas. Të heqim Berishën, të ndryshojmë Shqipërinë, përsëritin Rama e papagajtë e tij. Më të lajthitur, këta tanët pretendojnë dy mandate që të arrijnë “Rilindjen” e supozuar.
Rilindja parakupton një fund, pas të cilit fillon një erë e re. Ç’rilindje do të prisnim nga “Rilindja” e supozuar e Ramës, kur ne s’jemi veçse në fillim tê rilindjes nga era e komunizmit? Nëse italianët do t’ia gjejnë anën nyjës politike që kanë lidhur vetë politikanët e saj, nyja që mund të lidhin politikanët tanë, do të fund i demokracisë, do të na rikthente edhe një herë Bllokun, kooperativat bujqësore, radhët e gjata për një gjeldeti, për një pako gjalpë, për pesë kokrra vezë a për një dorë fruta të shtrembra e të krimbura. Mos ardhtë kurrë ajo lloj rilindjeje! Ky do të ishte urimi im më i mirë për Vitin e Ri 2013.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›