E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rendim pas çdo vote, për një fitore të sigurt në 2013-ën

29-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha festojnë me gratë dhe vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, festat e fundvitit 

Gratë dhe vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare zgjodhën mbrëmjen e djeshme për të festuar dhe uruar njëra-tjetrën për Vitin e Ri që po vjen. Kësaj feste dhe këtij urimi i është bashkuar edhe kryeministri Berisha, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat demokrate dhe ato në mbarë Shqipërinë për Vitin e Ri 2013. Të pranishme ishin dhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, Kryetarja e LDGSH zonja Albana Vokshi, si dhe drejtuese dhe anëtare të tjera të LDGSH.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryeministri Berisha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre, të cilat me përkushtim dhe seriozitet kanë bërë gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike gjatë këtyre 22 viteve. Kryeministri u shpreh se, të gjitha fushatat  elektorale të fituara nga Partia Demokratike janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja e madhe e të rinjve dhe grave të Shqipërisë. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që në të gjitha reformat e mëdha të kryera në këto vite, ai ka patur fatin të ketë bashkëpunëtore të shkëlqyera, të cilat me përkushtim, me ndershmëri dhe mençuri  japin dhe kanë dhënë një kontribut madhor në reformat transformuese të vendit.

Gjithashtu kryeministri ka kërkuar nga gratë dhe vajzat, që të vazhdojnë të mbështesin dhe të punojnë për Partinë Demokratike, pasi tashmë vendi ka hyrë në një fushatë elektorale dhe se Partia Demokratike në këto zgjedhje  shkon si një forcë politike me arritje, të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Kryeministri Berisha ka kërkuar që të punohet fort me çdo vote duke trokitur në çdo shtëpi, portë dhe zemër të çdo zgjedhësi, për të shënuar në zgjedhjet e ardhshme fitoren e sigurt.

Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

Erdha sot këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të thellë para jush, para atyre qindra dhe mijëra vajzave dhe grave, nënave dhe motrave, të cilat me përkushtim, me guxim, me sakrificë, me vendosmëri, kanë bërë gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike këto 22 vite. Kanë bërë gjithçka për shndërrimin në realitet të programit transformues epokal të kësaj partie. Kanë qenë në distancë  forca më e fuqishme mbështetëse e Partisë Demokratike,  që në vitin e parë të themelimit të saj deri në ditët e sotme.

Të gjitha fushatat  elektorale të fituara nga Partia Demokratike janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja  eprore e të rinjve dhe grave të Shqipërisë, ky është realiteti i pamohueshëm i verifikuar dhe i faktuar shumë e shumë herë në garat elektorale.  Të gjitha reformat e mëdha të kryera në këto vite kanë patur fatin e madh të kem bashkëpunëtore të shkëlqyera, që në vitin e parë si president i këtij vendi, deri në ditët e sotme, të cilat me përkushtim, me ndershmëri, mençuri  japin dhe kanë dhënë një kontribut madhor në reformat transformuese të vendit.

Dua të them këtu se në këtë shoqëri, në të cilën për hir të së vërtetës babëzia dhe korrupsioni përbën një problem serioz, antidodi më i mirë është emërimi i grave dhe vajzave në postet më kyçe, pasi shkalla dhe probabiliteti i korruptimit të tyre është disa herë më i ulët sesa i burrave. Por ajo që kanë vajzat dhe gratë , jashtëzakonisht  të rëndësishme, të çmuara dhe jetike për Partinë Demokratike, është përkushtimi i tyre ndaj vlerave që mbron dhe zhvillon kjo parti. Ndaj dhe unë krahas urimit tim më të përzemërt për ju, për të gjitha vajzat dhe gratë e Tiranës dhe  mbarë Shqipërisë, në administratë, në biznes, në çdo detyrë që ndodhen kam bindjen time të punoj me përkushtimin më të madh, në fushatën zgjedhore që ka filluar. Kjo është një fushatë, në të cilën ne si forcë politike pa diskutim  shkojmë me arritje të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Natyrisht pushteti ka edhe problematikat e veta. Por unë dua t’ju them ju se, mandati 2009-2013 është një mandat, në të cilin Partia Demokratike në krye të një koalicioni ka bërë me shumë se kurrë në historinë e këtij vendi, për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për shkollimin e qytetarëve shqiptarë, për shërbimin shëndetësor të qytetarëve shqiptarë, për rrugët, për infrastrukturën, pra ka bërë më shumë se kurrë, për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar.  Sot ne shkojmë kudo. Ishte rastësi dje kur përfaqësues i opozitës mu drejtuan dhe tha; ku janë ato rrugë?  Pasi fillova ti numëroj rrugët dhe rrugicat, uli kokën dhe nuk e desh më veten. Dhe i thashë vetëm një pjesë ne fakt. Ne kemi bërë investimet më të fuqishme në të katër anët  e vendit, investime të cilat janë transformuese, për Shqipërinë. Natyrisht ne nuk kërkojmë votën kurrë për ato që kemi bërë, por ato që kemi bërë janë hipoteka e besimit ndaj nesh. Ne kërkojmë votën për një projekt të ri, projekt në të cilin ne shndërrojmë Shqipërinë përfundimisht në vend të zhvilluar, projekt në të cilin ne zotohemi  se do të bëjmë gjithçka, që Shqipëria në të gjitha aspekt te renditet ne grupin e vendeve te zhvilluara. Ajo sot renditet në disa nga grupet me sensitive në grupin e vendeve të zhvilluara, por ajo me mandatin që vjen do të  vendoset përfundimisht në grupin e tyre. Mund t’ju kujtoj vetëm  dy projekte madhore, TAP –in dhe Kaskadën e Devollit, mjaftojnë ato të dyja për të lartësuar Shqipërinë në nivele të larta të zhvillimit. Por këto janë veçse dy nga qindra e qindra projekte, të cilat do të realizohen në mbarë vendin. Ndaj dhe unë kërkoj që të fillojmë menjëherë punën dhe puna jonë është një punë e adresuar kryekëput tek votuesit.

Ne patëm një beteje të vështirë, beteja më e vështirë e Partisë Demokratike ka qenë  beteja për Tiranën, sepse ish-kryetari i bashkisë kishte një ushtri të paguar prej 5200 vetësh,  të cilët i kishte shndërruar në ushtarë që zbatonin vetëm urdhra partiakë. Por ne ia dolëm dhe e them me bindje se ishte një fitore historike e Partisë Demokratike shembja e murit të bashkisë së  Tiranës. Arsyeja ishte se Tirana ishte shndërruar në një mburojë të krimit të organizuar ekonomik të kupolës së Partisë Socialiste. Ia dolëm, sepse rendëm pas çdo vote. Shumë nga ju keni qenë në zona të caktuara. Rendja pas çdo vote, takimi dere më derë me zgjedhësit është rruga me e sigurt e një fitoreje të thellë, shumë më të madhe se dy fitoret e fundit. Unë mund t’ju njoh juve me rezultate  e një seri studimi e opinionesh, ato tregojnë Partinë Demokratike në kuotat më të larta që nga viti ’96 e deri më sot. Këto polle të bëra jo nga një, por disa forca kryesore politike dëshmojnë se Partia Demokratike është në një distancë të ndjeshme, forcë e parë politike ne vend, por ne nuk duhet të merremi me Pollet, ne duhet të merremi me dyert e apartamenteve, shtëpive, zemrat e qytetarëve tanë. Unë dua të jem i hapur këtu, ju jeni më të saktat. E nisëm ne, e keni provuar  në zgjedhjet e fundit. Jo gjithnjë gjinia tjetër kishte bërë atë që thoshte, kurse gratë në mënyrë të shkëlqyer. Është një punë jo e palodhshme, një punë e lodhshme, por një punë jetike për fitoren tonë. Unë  do ta ngre këtë dolli për ju për bashkëshortët tuaj, fëmijët  tuaj, familjet tuaja, për të gjitha gratë dhe vajzat  në Shqipëri kudo që janë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›