E Diel, 1 Nëntor 2026

Refleksionet e fundvitit 2011

29-12-2011 / Nga Eden Babani

1 - Viti i Vjetër po i lë pas vetes ditët e fundit. Çak-çuk me shkop në dorë, mjekërbardhë dhe kërrusur nga pesha e pleqërisë, një trastë porosish për pasardhësin, ai po çmallet për herë të fundit me viset ku e kaloi jetën e vet sa të shkurtër, aq edhe të gjatë. Po çmallet me male e me fusha, me xhungla e me shkretëtira, me dete e oqeane, me borërat dhe akullnajat e përjetshme, me miliardat e gjallesave që gëlojnë anekënd rruzullit tokësor. Viti i Ri po pret në udhëkryq të shkëmbehet me paraardhësin, të marrë trastën e porosive, ta tokë e t’i urojë Plakut rrugë të mbarë drejt përjetësisë. I çiltër, i pafajshëm dhe i shkujdesur, si gjithçka e porsalindur në këtë botë, Rioshi do të zbresë mes nesh mesnatën e 31 dhjetorit. Edhe ai, me trastën e vet, bartur nga përjetësia, në jetën tonë njerëzore. Çfarë do të na dhurojë më tepër: dashuri apo urrejtje, buzëqeshje apo lot, mirësi apo ligësi? Edhe kështu, edhe ashtu. Pse jo? Ca nga të gjitha. Është cikli i përvitshëm i së mirës dhe i së keqes, të kundërtat universale, të cilat, qysh në krye të herës, nuk i janë ndarë shoqja-shoqes si dy shemra që i përkasin të njëjtit burrë. Mjekërbardhi do t’i lërë Rioshit edhe përvojën e vet, përjetimet e veta, të bukura a të shëmtuara qofshin. Lista do të jetë e gjatë, me gjithçka është arrirë në treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditët e jetës së tij të lodhshme. Jo më pak e gjatë do të jetë lista e të mbeturave pezull, - të bartura, siç thuhet, - të cilat do të kërkojnë përkushtimin, djersën çurg dhe vullnetin e pamposhtur të Rioshit.
Njerëzimi pret, ndërsa shemrat nuk i lëshojnë rrugë shoqja-shoqes.
***
Majin e shkuar, qysh në të ri të vet, Mjekërbardhi i dhuroi  njerëzimit sihariqin e madh: Ossama Bin Laden, “islamisti fondamentalist aparteid”, terroristi që me një të luajtur të gishtit dërgoi në atë botë mijëra e mijëra të pafajshëm, që lëndoi dhjetëra mijëra të tjerë, u nda nga kjo jetë. Allahu, të cilit thoshte se i ishte përkushtuar dhe i shërbente, nuk ia pranoi as përkushtimin, as shërbimin. Jetët që mori në Nairobi, në Dar es Salaam, në New York e gjetkë e gjetkë, i lau me jetën e vet. Pak, por, gjithsesi, ngushëlluese. Cikël që përsëritet herë pas here në histori... U nda udhëheqësi shpirtëror i terrorizmit: “Rroftë drejtësia!” Por: “Njerëz! Jini vigjilentë!”. Shemrat s’i lëshojnë rrugë njëra-tjetrës.
Dhe lista zgjatet... 
Fundi i përgjakur i regjimit të diktaturës në Libi, me ikjen e palavdishme të Gedafit nga skena e aktrimit ndërkombëtar dhe nga bota e të gjallëve, i hapi rrugë vendosjes së demokracisë në brigjet jugore të Mesdheut e më tej, drejt hapësirave të shkreta dhe xhunglave të nxehta të Kontinentit Afrikan. Ndërkohë, fqinjët lindorë të libanezëve po lundrojnë ende në detin e mbarsur me dallgë, në kërkim të një bregu të qetë.
Nëse në Lindjen e Afërme, Iraku ka tashmë një qeveri të ligjshme, dalë nga vota e popullit, shiitët dhe synitët irakianë ende s’i kanë paqësuar mes syresh dasitë dhe urrejtjen ndërfetare. Nëse çështja palestineze po kalon përmes një trajektoreje bisedimesh me ulje e ngritje, me zikzake të njëpasnjëshme, në Siri, përkundrazi, përplasjet mes pushtetit të përqendruar në duart e Bashar al-Assadit dhe opozitës, po prodhojnë dita-ditës qindra të vrarë, jashtë çdo mirëkuptimi e marrëveshjeje për bisedime paqësore. Ca më tej, Talebanët nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga terrori.
Nuk janë më pak të rralla vatrat e tjera të ndezura, shpërndarë anekënd planetit tonë. Komunistët e Koresë së Veriut ia kanë shpëlarë trutë dhe ia kanë shtrënguar rripin deri te s‘mban më popullit të tyre të shtypur. Për këtë shkak dhe të izoluar nga bota, duket se, qysh në të gjallë të Kim Xhong II, filluan të përpëliteshin mes heqjes dorë nga provat termobërthamore dhe lakmisë për ta pasur armën atomike në duart e tyre, si kërcënim ndaj botës demokratike, ndaj Koresë së Jugut dhe Japonisë, në radhë të parë.
Përkundrazi, Irani i Shahëve të dikurshëm Pahlavi, duke përfituar nga burimet e pashtershme të naftës, nuk është veçse një hap larg posedimit të armës së tmerrshme të shfarosjes në masë. Çfarë do t’i sjellë  botës  Rioshi në udhëtimin e vet treqind e kusur ditësh në shoqërinë e çakorduar të liderëve që vuajnë një mori kompleksesh të së kaluarës dhe të së sotmes?
***
Në perëndim të Europës, brigjeve të Atlantikut, belgët duket se e kapërcyen me durim krizën qeveritare, falë shpirtit tolerant e demokrat që i karakterizon. Pesëqind e ca ditë me një kryeministër të dorëhequr, sundoi ligji dhe vetëm ligji. Pesëqind e ca ditë konsultime, pesëqind e ca ditë biseda të lodhshme, përplasje politike në kufijtë e arsyes, shpresa e zhgënjime... Tashmë, përveç të tjerave, flamandëve dhe valonëve do t’u duhet të bëjnë përpjekje të mundimshme që të kultivojnë çka i bashkon e të flakin tej çka i ndan. Ndërkohë do t’u duhet të përballojnë edhe pasojat e krizës ekonomike, në një hap me partnerët e tjerë europianë. Mjekërbardhi përjetoi pjesë nga akti i parë i dramës. Rioshi? Ndoshta, të dytën deri në fund. Ndoshta, pjesë të saj. Gjithsesi, shpresat vdesin të fundit. Pasardhësit e Rioshit do të buzëqeshin...
Ndërkohë, në anën tjetër të Kontinentit të Vjetër, në lindje dhe më tej, drejt hapësirave siberiane, deri në Paqësor, trazirat po tronditin pushtetin e ish-KGB-së së dikurshme sovjetike, të përfaqësuar prej arrivistit kryeneç Putin. Ky funksionar i ish-sigurimit komunist, marksist-leninist i kultivuar, nuk do t’ia dijë as për rritjen masive të pjesëmarrjes popullore në protesta, as për rikthimin e mënyrave staliniste të administrimit të pushtetit, as për këshillat e të urtit Gorbaçov që të heqë dorë një sahat e më parë nga ambiciet e tij për pushtet.
Mos vallë Rioshi do të përjetojë ripërtëritjen e trazirave revolucionare që përshkuan dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar? Mos do t’i shohin sytë krime monstruoze të një regjimi që i shkaktoi njerëzimit të këqija pas të këqijash?
***
Kriza ekonomike e ka ngërthyer për fyti ekonominë botërore. Greqia, Portugalia dhe Irlanda e dhanë së pari sinjalin e alarmit në Europë. Në prag të rrënimit të tyre përfundimtar, partnerët europianë po bëjnë çmos t’ia dalin mbanë dhe të shpëtojnë euron nga falimentimi. Merkel e Sarkozi, po rreken të marrin në duar frerët e kuajve të azdisur të financave europiane, që po e çojnë karrocën drejt greminës. Do t’ia dalin vallë?
Të frikësuar nga humbja e mundshme e pushtetit në rast të masave të rrepta për të shpëtuar ekonominë e tyre nga rrënimi, shumëkujt ndër partnerët më të rinj të Bashkimit Europian, s’para ua ka ënda të vënë financat e tyre nën kontrollin e përbashkët, që të frenojnë inflacionin dhe të garantojnë rritjen ekonomike. Luani Britanik, nga ana tij, është në mëdyshje: të ndrydhet brenda kafazit të vet ishullor, apo të hapet më shumë drejt kontinentit? Cila nga shemrat do të marrë përparësinë?
Në pikun e rrënimit ekonomik të vendit të vet, më kot u rrek greku Papandreu të shfrytëzonte mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht të Kancelares Gjermane. Në fund të fundit, ai u dorëzua përballë rrënimit të pandalshëm, duke ia lënë vendin njeriut të bankave, Lukas Papademos.
Përkundrazi, Zapatero, lider i së majtës spanjolle, dhe Berluskoni, lider i së djathtës së bashkuar italiane, iu shmangën me kohë forcës rrënuese të ciklonit financiar, duke u tërhequr “vullnetarisht” nga pushteti, përballë recesionit në rritje. Por rrugët që zgjodhën për ta dorëzuar pushtetin, ishin të ndryshme. Zapatero, ndonëse në kulmin e krizës, parapëlqeu zgjedhjet e parakohshme nëntorin e kaluar, të cilat i fituan të djathtët e larguar nga pushteti dy mandate radhazi. Ca muaj më vonë,  Berluskoni, pasi kishte drejtuar Gadishullin Apenin tri mandate jo të njëpasnjëshme (1994–1995, 2001–2006 dhe 2008–2011), u tërhoq përpara trysnisë të së majtës, në kurthin e së cilës ranë edhe ish-aleatët e tij të vjetër, Kazini, nga njëra anë, dhe Fini, nga ana tjetër. Në këto kushte, papritmas, falë lojërave politike rreth tryezës, në pushtet u shfaq edhe në Itali kasta e teknikëve dhe e bankierëve, duke zhvleftësuar një prej parimeve thelbësore të demokracisë, atë të votës së lirë. Meqë Mjekërbardhi nuk arriti, i takon Rioshit, të na vërtetojë se cili ndër dy liderët pati të drejtë: Zapatero, i cili parapëlqeu vullnetin e popullit, ndonëse në kulmin e krizës ekonomike, apo Berluskoni, i cili, ndonëse me mëdyshje dhe ndoshta që të përfitonte kohë, pranoi tautologjinë politike të Presidentit Napolitano, nisur qysh me emërimin e Mario Montit Senator të Përjetshëm?
Gjithsesi, Gulio Ferrara, ish-komunisti i zhgënjyer prej komunizmit, ka kohë që po i bie kambanës së alarmit: ekzekutivi, sado i përsosur qoftë me vlera teknike e profesionale, nuk mund të mbijetojë në boshllëk, pa mbështetjen e politikës, e cila gjallon në parlamentin e dalë prej votës së popullit.
***
 Edhe Kina në rritje ekonomike të pandalshme, po e përjeton krizën botërore sipas mënyrës së vet. Çliruar angazhimesh demokratike të stërholluara, vendi më i populluar i botës po përjeton një amalgamë politike, ku iniciativa e lirë dhe ideologjia tërheqin dhe shtyjnë njëra-tjetrën në të njëjtën kohë. Shemra të një tipi të ri. Përndryshe afro një miliard e gjysmë banorë të Kontinentit të Verdhë do të kridheshin në një anarki të paimagjinueshme. Duke dashur të peshkojë në ujëra të turbullta, falë ekspansionit drejt tregjeve europiane e më tej, Kina bën sikur dëshiron t’i japë një dorë euros në krizë, përballë një dollari amerikan, i cili, gjithashtu, po e ndien tokën t’i rrëshqasë nën këmbë. Ndërkohë, monedha e re sa vjen, po e ndien nevojën e një mbështetjeje, të një banke europiane, e cila do ta merrte në mbrojtje. Mos, vallë, kësaj i trembet kolosi aziatik, ndaj nxiton ta vërë atë nën kontrollin e vet?
2 - Për ne, shqiptarët, shkëmbimi i Mjekërbardhit me Rioshin na ofron një gëzim që s’e kemi përjetuar kurrë. Në shoqërinë e të dytit, do të festojmë nëntorin e ardhshëm Njëqindvjetorin e Pavarësisë. Ardhsh i bardhë, Riosh, dhe paç këmbën e mbarë! Veç mos harro se shqiptarët u lodhën prej ndarjeve. Deri kur do t’i gëzojmë të kremtet tona të përbashkëta në dy kryeqytete të veçanta? Sepse, sado shpesh që të shihemi me njëri-tjetrin, sado shpesh të shkojmë te njëri-tjetri, qoftë për festa ose jo, ndonëse kemi edhe Rrugën e Kombit, kemi edhe vetura, si gjithë bota, kemi edhe plot mundësi të tjera, paradoksi mbetet paradoks. Dy lloj shtetësish, dy emra kryeqytetesh, dy soj flamurësh, dy parlamente, dy qeveri, ani se një kombësi, një gjuhë, një traditë, një rrahje zemre, një shpirt... Po flas vetëm për dy copat më të madha të Atdheut të përbashkët, tashmë të ndara me një kufi shtetëror të pakuptimtë, pa kthyer kryet majtas e djathtas. Sepse, po ta ktheja, druaj se do të mahiteshe, druaj se do të kërkoja prej teje shumë më tepër sesa mban jeta jote prej treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditësh. Të bie ty barra e rëndë të hedhësh ura të reja bashkimi mes nesh, shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetasve të Republikës së Kosovës. Paraardhësi yt i ka hedhur disa. I hodhi gjatë provokacioneve serbe në Mitrovicën tonë shqiptare. E hodhi një edhe  tashti vonë, kur u përurua libri i mrekullueshëm i Blendit... Pastaj, shkallë-shkallë, hap pas hapi. Qëllimit final, do t’ia arrijmë, se “Zoti vetë e tha me gojë...”. Padrejtësitë që na la historia, do t’i ndreqim së bashku. Ne, pjesën tonë, siç e kemi nisur, brez pas brezi.... Ti dhe pasardhësit, pjesën tuaj. 
***
Tirana sivjet, ka shansin e madh të kremtojë shkëmbimin e viteve e stolisur, si gjithë kryeqytetet e botës së kulturuar. Një vit si sot, në kapërcyell të ndërrimit, i gëzohesha Brukselit të veshur me petkun e festës, duke e përshkuar cep më cep, ndonëse nën ciknën e një fundviti nga më të egrit. Ndërsa shëtisja mes turmës së turistëve të huaj në Grand Place a në Europapark dhe gëlltisja një gotë “verë të  nxehtë”, mendja më shkonte te Tirana, qyteti ku kam kaluar jo pak vjet të jetës sime, të rinisë studentore, por edhe të veprimtarisë si gazetar. A thua do të vinte një ditë që edhe Kryeqyteti ynë të dilte nga errësira ku e kishte kredhur kryebashkiaku i saj zemërzi?
Atë mëngjes, tek s’kishin mbetur as dy a tri ditë nga ndërrimi i viteve, në bllokun tim të shënimeve, shkrova: “Sot, ndërsa një grup udhëtarësh prisnim autobusin urban, te këmbët po na vërtitej një pëllumb i bardhë që dridhej së ftohti. Dëbora ka ngrirë në Bruksel. Nuk është aq e lehtë të ushqehen zogjtë, ndonëse ata kanë krahë dhe fluturojnë- cep më cep parqeve të panumërt të kryeqytetit. Një zonjë që, me sa dukej kishte bërë pazarin e ditës, hapi trastën, këputi një copë bukë dhe ia thërrmoi zogut të uritur. Hop këtu, hop atje, pëllumbi e pastroi vendin. Zonja ia shtoi racionin. Pëllumbi kishte ende uri. Një tjetër zonjë - kjo me kone të vogël për dore - hapi çantën dhe thërrmoi një biskotë. Tashmë i ngopur, pëllumbi e la bukën, iu turr biskotës. Të gjithë e ndiqnim me sy skenën. Edhe konia. E mira s’ka fund, tha dikush. As e keqja, shtova unë. Më shkoi mendja tek zogjtë tiranas që gjejnë ushqimin me bollëk, ngase kazanët e plehrave janë sheshit. Më shkoi edhe te qentë rrugaçë që lëvizin tufë-tufë rrugëve të Kryeqytetit tonë, çdo tufë në punë të vet. Po a mund të mos më shkonte te bashkëqytetarët e mi, kur mendova se si shtyhen ata në urbanin Kombinat-Kinostudio, si u dredhojnë makinave në udhëkryqe, në Sheshin Skënderbe të sakatuar, thua se nuk do të gjejë kurrë shërim?”
Erdhi një ditë dhe Tirana u çlirua prej kuçedrës që ia kishte prerë burimet jetësore. Ajo po i rikthehet vetvetes, po e gjen vetveten. Më së pari, Sheshi Skënderbe, simboli i Kryeqytetit. Duke iu gëzuar Sheshit të tyre të grabitur, kryeqytetasit po i gëzohen ndryshimit, votës së tyre të lirë.
I pandreqshmi i larguar nga Bashkia, kurban i politikës së vet miope, le t’i shtjellojë idetë që e frymëzojnë, mbyllur në “kullën” e partisë së tij, të cilën e katandisi mos më keq. Dikur kam pas dëgjuar se mallkimi më i madh është t’i thuash tjetrit “T’u rrittë mendja!”. Atij iu rrit. Kushedi kush e ka mallkuar dhe mallkimi e zuri.
Rrugëtimi  treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditësh i Rioshit përkrah nesh do të na japë përjetime të tjera të rënies nga maja, në humnerë. Bukëshkalët, gjarpërinj që dimrit i mban në gji, kurse verës të helmojnë, do t’i zërë mallkimi i pabesisë. A thua t’i vlejë maska kinse kombëtare e një kinse partie, një presidenti që u ngrit me votën e të vetëve dhe, pastaj, votoi kundër të vetëve, pro njeriut që e pengoi integrimin e vendit në BE, njeriut që e kërkoi pushtetin jo nga vota, por nga gjaku? Këto ditë, Presidenti ynë i çoroditur prej një fundi të pritshëm pa lavdi, në vend që të merrej me  një të diskredituar, i cili nuk guxoi të linte bashkinë edhe pse e shoqja, “e papërgjegjshme”, tentoi të ngrite një stuhi të frikshme me shpërgënj fëmijësh të zhdukur, do të bënte mirë t’i thërriste ndërgjegjes e t’i rikthehej arsyes. Më haptas se kaq, nuk mund t’i jepej Ramës një sinjal bashkëpunimi për të ardhmen. Tashmë, zotit President, i kanë mbetur edhe ca muaj e ca ditë në detyrë. Gjithsesi, nuk është kurrë vonë për të gjetur vetveten. Përndryshe, historia do ta ndëshkojë me damkën e turpit.
***
Viti që po lëmë pas, ishte i begatë me botime, ndonëse jo gjithçka do t’i mbetet trashëgimisë së vyer. Nuk është rasti të reflektoj për numrin e madh të titujve, as për cilësinë e tyre, çka nuk është në kompetencat e mia si vëzhgues. Më mbetet veç të përshëndes botimet e zgjedhura të Shtëpisë Botuese “55”, si ithtar i saj, dhe të reflektoj përciptazi për një botim, të cilin do të më pëlqente ta quaja të vitit.
Në kolonën e veprave të tij mbi gjyqet e diktaturës komuniste, Kastriot Dervishi na dhuroi librin “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”. E dokumentuar deri në detaje, vepra e Dervishit shpalos të vërtetat e një regjimi që hëngri koka njerëzish, pa bërë dallime në ishin ithtarë a kundërshtarë të tij, në i kishin shërbyer apo e kishin dëmtuar “mbretërimin” e njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia botërore. Ajo ka vulosur shpërfytyrimin e njeriut përballë egërsisë. Le të kujtoj, sa për të dhënë një shembull, personalitetin e pëgërë të njërit prej njerëzve që s’u ngop së prodhuari krime, dhe, më në fund, përballë sigurimsave që vetë i kishte drejtuar, që vetë i kishte stërvitur, u shndërrua në bashkëpunëtor i rëndomtë. Ky ishte Mihallaq Ziçishti, njeriu që, më pas, do të drejtonte si i dërguar i Partisë qytete të tilla të mëdha si Korça e Durrësi. Nuk më del nga mendja dëshmia e shkruar e Rexhep Kollit, zëvendësministrit jetëgjatë të Ministrisë së Brendshme, me arsim shtatëvjeçar. Nuk është shpifje e Dervishit që në vende me përgjegjësi, ka pasur edhe injorantë. Jam vetë dëshmitar i hapjes së “shkollës” pa shkëputje nga puna dhe i dhënies së “dëftesave të lirimit” në vitet ’50, disa kuadrove të ushtrisë, të Sigurimit ose të komitetit të partisë në Vlorë, të cilët, më pas, u bënë kuadro drejtuese, deri diplomatë. Botimi integral i  dëshmisë së Kollit – nuhatje e bukur e Dervishit - është sa për të qarë, aq edhe për të qeshur. Mjerë ne, ç’ kemi pasur mbi krye!
***
Ne, shqiptarët themi: “Amanetin nuk e tret dheu”. Pa edhe për ty, Riosh, do të vijë koha e amaneteve. Mos harro se paraardhësi nuk ia doli dot kryeneçësisë së antikombëtarit Edi Rama, i cili u bë pengesë që të plotësoheshin reformat dhe të përmbusheshin kushtet e integrimit në Europën e Bashkuar. Ty të takon të marrësh përsipër barrën e rëndë, çka është plotësisht e mundur, aq më tepër që, i pafuqishëm për gjë tjetër, veç për t’u bërë kurban i vetvetes, udhëheqësi i sajuar i së majtës shqiptare, sa vjen e po izolohet prej atyre të majtëve që u dhimbsen fatet e Atdheut, fatet e Kombit.
***
Mirë se të na vish, Riosh! Ardhsh i bardhë dhe me këmbë të mbarë. Kemi shumë për të bërë së bashku...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›