E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 2011-a, një vit historik për shqiptarët

29-12-2011 / Gazeta 55

Në analizën vjetore të kryeministrit, qëndresa e kushtetueshmërisë më 21 janar, garantimi i standardeve me 8 maj si dhe bumi turistik përbëjnë suksesin e spikatur të një viti që nuk u kushtëzua nga kriza ekonomike botërore. Berisha rikonfirmon bindjen se ekonomia nuk do të bjerë në recesion gjatë vitit tjetër dhe se do të hulumtohen mundësi të reja për shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit
Deklarata/ “Përdhosja e kushtetutës nuk e kthen dot zyrën e presidentit as në parti të madhe e as në parti të vogël”

Kryeministri: “Shqipëria s’do preket nga recensioni ekonomik. Reformat që u kërkohen vendeve në krizë, Shqipëria i ka kompletuar vite më parë. Objektivat e dy viteve të ardhshme – kompletimi i projektit ‘Shqipëria nën asfalt’”

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në analizën vjetore të qeverisë, se viti 2011-të rezulton i shkëlqyer për vendin në disa tregues specifikë, ku rezultatet janë konkrete dhe frytdhënëse.
Gjatë konferencës tradicionale me mediat, shefi i ekzekutivit shpalosi bilancin qeveritar përgjatë këtij viti, duke deklaruar se 2011-a regjistrohet në muret e kohës si një arritje e sistemit. Për kryeministrin Berisha, viti që po lëmë pas konstatoi funksionimin e reformave të qeverisë dhe realizimin e pikësynimeve, ndër to projektin madhor, “Shqipëria – vend i zhvilluar”.
“Mendoj se ky vit dhe ato që vijnë kanë e duhet të kenë një etalon të qartë të vlerësimit të tij: sa u zhvillua Shqipëria këtë vit, çfarë u realizua këtë vit, në projektin ëndërr të të gjithë shqiptarëve Shqipëria - vend i zhvilluar. Në këtë aspekt, ky ishte një vit, pa mëdyshje, i shkëlqyer, për të cilin çdo shqiptar duhet të falenderojë veten e tij, të falenderojnë njëri-tjetrin, Zotin dhe funksionimin e reformave të ndërmarra, të cilat e bëjnë vitin 2011 të regjistrohet në muret e kohërave si një nga vitet e suksesit të sistemit dhe një nga vitet e suksesit të madh në të gjitha fushat. Mund të them se viti 2011 ishte një vit i denjë për prag 100 vjetorin e Shqipërisë. Ishte një vit me kontribute thelbësore për projektin madhor të këtij vendi ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’, ishte një vit, nga i cili shqiptarët shohin më kthjellet, më larg, më qartë se kurrë, horizontin që do të arrijnë në vitin 2012”, u shpreh Berisha.
Kryeministri solli në vëmendje se ky vit nisi me disa ngjarje të pamotivuara, të cilat siç tha ai, morën përgjigjen kushtetuese dhe ligjore.
“Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore. Ngjarje që testuan e provuan funksionimin e kushtetutshmërisë së vendit. Ngjarje që morën përgjigjen më kushtetuese e ligjore. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor, për të dhënë një herë e përgjithmonë mesazhin se në këtë vend askush e kurrkush nuk mundet që një qeveri të zgjedhur me votën e lirë ta nxjerrë nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë”, tha kryeministri. Berisha u ndal dhe te mos – marrja e statusit të vendit kandidat në BE gjatë 2011-ës.
Sipas tij, ishte vota bllokuese e opozitës ajo që la Shqipërinë edhe për një vit tjetër pa statusin.
“Këtë vit, Shqipëria e nuk mori statusin e vendit kandidat dhe kjo, sepse opozita shqiptarë, në një akt paprecedent në historinë e Europës vendosi të përdorë votën e saj për të bllokuar ligjet. Shqipëria nuk e mori statusin jo se nuk u hartuan ligjet, pasi ato u hartuan dhe për to u shpenzuan miliona euro e dollarë nga partnerët tanë europianë e amerikanë, për hartimin e tyre u angazhuan ekspertët më të mirë të Europës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ato nuk u votuan, sepse opozita, me një qëndrim politik të verbër në vlerësimin tim, mendoi se duke bllokuar votimin e  tyre, do të mund të dëmtonte qeverinë dhe do t’ia faturonte asaj në zgjedhjet lokale bllokimin që ajo i bënte statusit të kandidatit. Sërish ky është një vit i madh, sepse një kundërshti kaq madhore, pavarësisht nga motivi absurd, puro shqiptar, u zgjidh realisht nga shqiptarët, të cilët me votën e tyre, më 8 maj të këtij viti, i dhanë mësimin më të merituar atyre që përdorën votën për t’u bllokuar atyre rrugën. Sot, faktikisht, opozita punon normalisht në parlament. Ka pranuar një marrëveshje të ofruar dy vjet më parë. Javën e kaluar, opozita solli kandidaturën e saj për Avokatin e Popullit dhe jam shumë i kënaqur dhe i vendosur si qeveri që të bëjmë gjithçka që ky funksion jashtëzakonisht i rëndësishëm për të drejtat e liritë e qytetarëve të përmbushet në standardet më të mira dhe është në vlerësimin tim pozitiv që Avokati aktual i Popullit është i propozuari i opozitës”, theksoi Berisha, duke u shprehur optimist për realizimin e reformave të integrimit në të ardhmen.
Kryeministri vlerësoi se arritje të mëdha gjatë këtij viti pati në të gjitha fushat, ndërsa një rëndësi të veçantë i kushtoi zgjedhjeve lokale si dhe procesit të regjistrimit të popullsisë, Censusi 2011. Për kryeministrin, zgjedhjet për pushtetin vendor kaluan një nga testet më serioze të demokracisë, atë të ngushtësisë në garë.
“Viti pati dy ngjarje e zhvillime të tjera të mëdha, në të cilat u testua dhe u provua sërish funksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, në këtë vend. Këto ishin zgjedhjet e 8 majit. Zgjedhje, ku, pavarësisht nga përpjekjet, nga zhurma e nga qëndrime kundërthënëse, ngadhënjeu rendi kushtetues i këtij vendi dhe e drejta kushtetuese  e qytetarëve shqiptarë për të votuar, numëruar e vlerësuar vota e tyre. E vërteta është se në këto zgjedhje, institucionet kushtetuese të vendit kaluan një nga testet më serioze për çdo vend demokratik, për shkak të ngushtësisë së garës. Direktivat e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, të dhëna muajin e fundit, faktojnë katërcipërisht qëndrimin e drejtë që ne mbajtëm duke mbrojtur ato parime që nuk mund të shkelen kurrë. Mund të kishte ndonjë zbrazëti të lehtë ligjore, por nuk kishte absolutisht, asnjë mangësi në parimet që ne mbrojtëm. Dhe fakt është se këto ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që vlerësohen si kompetitive e transparente, me gjithë disa probleme që janë plotësisht të adresueshme. Në këtë proces, mazhoranca, me përpjekjet e reformat e saj, mori vlerësimin më maksimal në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi, 12 për qind më shumë vota, 19 deputetë të konvertuar në votim politik nga vota e përgjithshme e partive, fitore në shkallë vendi në bashki e komuna. Kjo mazhorancë mori në qytetin e Tiranës, në të katër garat, 10 900 vota më shumë. Përpjekje absurde për të bllokuar rezultatin, për të bllokuar numërimin e votave, disa skena të rrethimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk realizuan qëllimin e tyre. Ligji e vetëm ligjit ngadhënjeu”.
Sa i takon regjistrimit të popullsisë dhe banesave, kryeministri tha se rezultatet e publikuara deri më tani, janë historike për vendin.
“Pas 10 vitesh, për të mos thënë pas 99 vitesh jetë si shtet i pavarur, Shqipëria zhvilloi këtë vit, censusin e plotë, në liri të plotë. Ajo ka sot fotografinë më të bukur të qenies së saj kombëtare dhe materiale. Për herë të parë, qytetarët shqiptarë u regjistruan me standardet më të avancuara të kohës dhe me teknologjinë më të avancuar të kohës. Rezultatet e para janë historike. Ato faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. Ato faktuan se shqiptarët, në këto 10 vite, ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpi për veten e tyre, më shumë se të gjitha kombet e tjera në 20 vite të marra së bashkua, më shumë se 98 për qind e kombeve të tjera në 38 vite të marra së bashku dhe se në banesa, që është pasuri themelore, ata lënë mbrapa jo një, por minimalisht 3 vende anëtare të OECD-së dhe të Bashkimit Europian. Shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin gjithsej 255 banesa për njëmijë banorë, sot kanë 380 banesa për njëmijë banorë. Shqipëria pas 99 vitesh zhvilloi censusin e plotë në liri të plotë, ka foton më të bukur kombëtare dhe materiale. Qytetarët u regjistruan me teknologjinë më të avancuar të kohës dhe rezultatet e para janë historike. Ato rezultate faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. Ato faktuan se shqiptarët në këto 10 vite ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpitë për veten e tyre, më shumë se të gjitha kombet e tjera në 20 vitet e marra së bashku”, tha Berisha.
Kryeministri i kushtoi një hapësirë të veçantë situatës ekonomike dhe raporteve të agjencive ndërkombëtare të vlerësimit, lidhur me stabilitetin financiar. Berisha garantoi se ekonomia shqiptare nuk do bjerë në recension, sepse ka integruar modelin ekonomik ndër më të suksesshmit, falë reformave eficente.
“Ky ishte një vit i madh sepse ky është viti që ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës më të madhe ekonomike në Evropë dhe botë. Viti mbyllet me një deficit buxhetor 3.5%, ndër më të ulëtit në Evropë, mbyllet me një borxh 59 për qind. Stabiliteti i ekonomisë shqiptare u konfirmua nga agjencia e vlerësimit Moody’s dhe Standard & Poor’s si dhe mjaft agjenci të tjera ndërkombëtare. Studimi i OECD-së thotë se të investosh në Shqipëri, është 5 për qind më e lehtë se të investosh në vendet e OECD-së. Reformat, konsolidimi i tyre, zbatimi i tyre bën që Shqipëria të kapë pozicione të frytshme në rrugën e saj të zhvillimit”, theksoi kryeministri, duke shtuar se eksportet gjatë 2011-ës janë rritur me 3 herë krahasuar me vitin 2006.
Në rezymenë e fund vitit, Berisha tha se suksese janë shënuar sa i takon reformave në arsim, ndërsa vlerësoi rritjen e numrit të studentëve në universitetet e vendit.
“Shqipëria tejkalon numrin mbi 140 mijë studentë dhe ecën e sigurt drejt objektivit maksimal, me 150 mijë studentë”.
Në fushën e shëndetësisë Berisha vlerësoi ligjin për sigurimet shëndetësore, si një nga arritjet kryesore të reformave në sistem.
“Është bërë një punë e madhe për kostifikimin, proces ky themelor për reformat, kostifikimin e të gjitha shërbimeve. Në spitale janë instaluar aparaturat më moderne, të teknologjisë së fundit. Raportet flasin se vdekshmëria në Shqipëri është më e ulët se e vendeve të tjera ish komuniste. Shumë inkurajuese janë të dhënat për shëndetin e gruas. Këto të dhëna e rendisin Shqipërinë në një nga pozicionet më lakmuese në Evropë”, tha ai.
“Shqipëria në moshën dixhitale”, për kryeministrin Berisha ka hedhur zhvillime të jashtëzakonshme për vitin që po lëmë pas.
Berisha garantoi furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, pavarësisht thatësirës së tej zgjatur. Për këtë, KESH ka importuar energji elektrike deri në 17 milionë kilovat/orë në ditë, ndërsa qeveria ka mbuluar me garanci sovrane kreditë e KESH-it në rreth 100 milionë euro.

Infrastruktura
Infrastruktura ka shënuar hapa galopantë gjatë këtij viti. Janë asfaltuar dhe janë në ndërtim e sipër 1400 km rrugë, autostrada, superstrada, rrugë dytësore, rrugë tretësore. “Kurrë ndonjëherë nuk ka patur punime më të mëdha dhe intensive në infrastrukturë sesa këtë vit. Ky vit ka qenë vendimtar në finalizimin brenda dy viteve që vjen të projektit ‘Shqipëria nën asfalt’, i cili do t’u bëjë të mundur qytetarëve shqiptarë, nga çdo cep i vendit, 60 për qind të kohës, koha është e çmuar për secilin, por edhe kostot më të vogla. Brenda dy viteve shqiptarëve do të udhëtojnë në vendin e tyre, si në njërin prej vendeve më të zhvilluara të Evropës. Përcaktimi ynë është t’u kursejmë shqiptarëve 60 për qind të kohës, si treguesi më përcaktues. Janë ndërtuar 104 ujësjellësa në mbarë vendin. Shqipëria ka një nga standardet më të mira me furnizimin me ujë të 98 për qind të popullsisë. Janë 14 vepra të pastrimit të ujërave të zeza që kanë përfunduar ndërtimin apo janë në ndërtim e sipër. Në harkun kohor dy vjeçar, brigjet shqiptare do jenë brigjet më të pastra të Mesdheut. Dhe ky është një realitet i cili finalizohet brenda dy viteve”, tha kryeministri.

Turizmi
Për Shqipërinë, turizmi mbetet industria më e rëndësishme fitimprurëse edhe për vitin e ardhshëm.
Kryeministri vlerësoi se ky sektor ka njohur zhvillime të mëdha, pasi gjatë 2011-ës, Shqipëria është vizituar nga 4 milionë turistë. Perspektiva e re turistike e Shqipërisë, krahas turizmit detar, është ai malor që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.
“Turizmi ka qenë një fushë tjetër që ka njohur zhvillime të mëdha. Një lajm të madh për Shqipërinë e shqiptarët shënoi ky vit, si viti i parë në historinë e tyre që ata lëvizin të lirë në zonën Shenjen në Europë. Kjo është arritje e  madhe në jetën  e tyre. Mbi 450 mijë shqiptarë vizituan zonën ‘Schengen’, të pajisur me dokumentet më të sigurta të identitetit dhe mbi 4 milionë e 1 mijë qytetarë të huaj apo shqiptarë në emigracion erdhën në Shqipëri si turistë e vizitorë, një shifër rekord kjo në historinë  e këtij vendi. Imagjinoni një vend, në të cilin në vitin 2004  trokisnin në dyert e tij gjithsej 300 mijë turistë e vizitorë. Cila do të ishte ajo imagjinatë që do të thoshte se në vitin 2011, nga 300 mijë do të kishte një kapërcim, një bum të paimagjinueshëm prej 4 milion e 1 mijë vizitorësh. Ata që i vunë kurorën Shqipërisë si Miss bota për vitin 2011, në rrafshin turistik, ata ishin profetë të vërtetë. Lonely Planet nuk gaboi. Ai e shpalli të tillë një vit më parë dhe kjo u faktua katërçipërisht. Ajo që më emocionon në mënyrë të posaçme janë njoftimet e fundit se Bjeshkët e Nemuna po shpallen destinacioni më i preferuar turistik në llojin e vet, në ecje, në Britaninë e Madhe dhe kjo po përhapet. Ato po shpallen Himalajat e Europës, destinacion magjepsës dhe ju i keni lexuar këto të dhëna. Bota po njihet jo vetëm me magjinë e brigjeve të këtij vendi, por edhe me bukuritë mahnitëse të kreshtave, maleve e luginave të Alpeve dhe vargmaleve të tij të panumërta. Hapet në këtë mënyrë një kapitull i ri, i madh, i turizmit malor, të cilin ne jemi zotuar ta ndjekim me të gjithë potencialin. Nga maja e Çajupit, në Valbonë, infrastruktura po ecën me shpejtësi drejt destinacioneve më të mira turistike malore. Do të vendoset edhe ligji që përjashtohen 8 vjet nga taksat investitorët në këto zona”.

Mbrojtja e Mjedisit
Kryeministri u ndal te ligjet e miratuara na parlament, për mbrojtjen e mjedisit. Sipas Berishës është transformuar tërësisht baza ligjore dhe falë kësaj, Shqipëria renditet e 23-ta në botë për pastërtinë e tij.
Sa i takon ligjit të “Mbetjeve”, kryeministri garantoi edhe njëherë se është i standardeve më të mira ndërkombëtare dhe se nuk synon importin e mbetjeve të rrezikshme, por ndalimin e tyre.
“Një paketë ligjore e plotë, e standardeve më të mira evropiane, që reformon tërësisht qëndrimin ndaj mjedisit, është miratuar nga parlamenti. Së fundmi, ne miratuam dhe ligjin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Historia  e tij e zhurmës  mund të thuhet se është “shumë zhurmë për asgjë”. Siç u faktua, ky ligj është në të gjithë faktorët,  një nga ligjet më të mira, i standardeve më të mira, i cili ka qëllim para së gjithash dhe mbi të gjitha të mbrojë këtë vend nga importi i mbetjeve te rrezikshme dhe unë jam shprehur që çdo vendim qeverie për importin, jam i gatshëm që, para se të firmoset ta bëjmë objekt debati me shoqërinë civile, pasi unë, duke lënë mënjanë krahun antiglobal të saj, për pjesën tjetër kam respektin më madh, pasi ata janë studiues shumë të dobishëm, të përgjegjshëm, japin alarmin dhe i shërbejnë shumë interesit publik me qëndrimin e tyre”.

Shqipëria jeshile për prodhimin e energjisë së rinovueshme
“Reformave të thella do t’i nënshtrohet sistemi i ujërave, administrimi i tyre, i pyjeve dhe në tërësi do të bëhet gjithçka që Shqipëria të ecë në rrugën e zhvillimit jeshil, si forma më e mirë e zhvillimit, më e shëndetshme dhe më e qëndrueshme. Shqipëria i ka të gjitha kushtet, fatmirësisht është vendi i rezervave të mëdha në burimet energjetike të energjisë së rinovueshme dhe ne po bëjmë gjithçka për shfrytëzimin racional të tyre”.

Bujqësia
“Janë 2-3 fishuar eksportet e frutave, perimeve, zarzavateve si asnjëherë më parë. Ka një rënie në 40 për qind në importet e ushqimeve bazë sepse ato po zëvendësohen me prodhimet e vendit. Bli shqip është motoja më e mençur, më e shëndetshme dhe më e sigurt për qytetarët shqiptarë. Le të shohim çdo lloj forme, çdo lloj ngjyre, ushqime të shijshme si të Shqipërisë nuk kanë për të qenë. Prodhimet e vendit janë bërë preferencë absolute për tryezat e qytetarëve të këtij vendi. Dy mijë ha drurë frutorë janë subvencionuar nga qeveria, ullinj dhe arrorë. Garantoj fermerët se Ministria e Bujqësisë ka marrë udhëzime të qarta të paguajë projektet e tyre, ndërsa kemi rritur me 2 herë fondin për pyllëzimin me dru frutorë të Shqipërisë. Këto dy projekte, ulliri dhe arrorët, në 10 vite do ta bëjnë Shqipërinë një vend tjetër, do ta shndërrojnë në një vend të prodhimeve të mëdha. Natyrisht Shqipëria s’mund të bëhet një ullishte me Greqinë, Italinë, Spanjën, por Shqipëria mund të bëhet një Kaliforni e vogël në Evropë, në vendin më të rëndësishëm të eksporteve në Evropë”.

Policia e Shtetit
Policia e Shtetit këtë vit ka dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizimit. Përballoi në kushte standarde, qindra e qindra protesta, përfshirë dhe ato të dhunshme. Policia e Shqipërisë, është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtare. Ka dhënë goditjet më eficente në luftën kundër krimit të organizuar. Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve, fitoi admirimin e madh të të gjitha forcave politike, qytetarëve të këtij vendi dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat. Lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsionit, meritë kjo kryesisht e Policisë Kriminale. 70 prej tyre vazhdojnë të ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët mbahen në arrest.

Kryeministri Berisha i përgjigjet interesit të medias, pas përfundimit të analizës vjetore të Qeverisë

Cili është parashikimi juaj dhe i qeverisë që drejtoni për vitin 2012, në raport me krizën europiane, duke pasur parasysh që edhe vende si Britania e Madhe i tremben një recesioni të mundshëm?
Natyrisht që kjo krizë, e cila do jetë e zgjatur, nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, njëra prej të cilave është ekonomia shqiptare. Por jam i bindur se Shqipëria nuk do të njohë recesion. Nëse ju i ndiqni reformat që u kërkohen vendeve në krizë, ato janë reforma që ne i kemi kompletuar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e pohon këtë në mënyrën më të qartë. Reformat që ndërmori qeveria shqiptare, thotë Fondi, mbrojtën më mirë se në çdo vend tjetër ekonominë nga recesioni.  E kam theksuar shumë herë se ne nuk i ndërmorëm këto reforma për të parandaluar krizën, por i ndërmorëm ato, për të instaluar një model ekonomik, të cilit i besonim. Ky model është shumë funksional dhe e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me administratën më të vogël në botë. Ky model e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me qeveri dorë-shkurtër ndaj ndërhyrjes në ekonomi. Ky model ka bërë që Shqipëria, në një rast unik, pa pasur, për shembull, një burim të papritur të ardhurash, të garantojë  nga 2006 në 2008, mbi 8 miliardë dollarë më shumë në buxhetin e shtetit. Kjo është rezultat i këtij modeli. Para këtij modeli ishte Shqipëria tjetër, ku 1.4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve dhe zyrtarëve. Unë jam i bindur se nuk do të biem në recesion. Së dyti, këtë bindje unë e bazoj edhe te një përkujdesje e madhe, një vëmendje absolute që ne po tregojmë. Një vit më parë, ne shkuam në parlament për të bërë shkurtime. Në rast se ju kujtohet, ka pasur vite, kur ne kemi shkuar për të bërë zgjerime, ndërsa vjet shkuam për shkurtime. Dhe në shkurtimet tona, ne ishim seriozë. I shpallëm, i realizuam ato dhe arritëm në finish, pikë për pikë ashtu siç i parashikuam. Ka një dikaster që kontrollon Thesarin.  Jam i bindur edhe  në qëndrim tonë të rreptë, rigoroz e të disiplinuar, që nuk do lejojmë që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion. Përveç krizës, këtë vit kemi pasur edhe importe të mëdha energjie, por sërish rritja ekonomike është garantuar dhe nuk ka kërcënime për recesion.    
 
Meqenëse jemi në prag festash, a do të nxirrini on line një kartolinë për të uruar shqiptarët? Këtë gjë e ka bërë homologu juaj në PS...
Si komunikim on line unë mbaj mesazhet e celularit, sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e larta në Shqipëri, është 140 për qind.  Interneti është më i kufizuar, rreth 50 për qind. Në qoftë se interneti do të arrijë në ato shifra që unë e gjykoj se çdo qytetar do mund të më drejtohet mua, do kaloj me kënaqësi në Tëitter, sepse varianti me sms, ç’është e vërteta, është më i mundimshëm. Kështu që unë nuk bëj kartolina on line, por bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave dhe kjo është një kartolinë zyrtare që unë e dërgoj si kryeministër.
 
Reforma zgjedhore këto dy vite është lidhur ngushtësisht me integrimin dhe është vendosur gjithnjë si kusht për integrimin. Deri në fund të tetorit, kohë kur u bllokua statusi, ju keni qenë të gatshëm të bëni gjithçka  dhe të toleroni deri në kufijtë që ju lejonte Kushtetuta. Tani , kur është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe opozita po bashkëpunon, a jeni të gatshëm të toleroni gjithçka, me kusht që reforma të arrihet deri në mars, apo do t’ia lini këtë aftësisë së opozitës për të arritur në kompromis?
Në rast se ju kujtohet, oferta ime ka qenë e tillë. I kam ofruar opozitës që, në rast se dëshironte, të hartonte vetë të gjithë Kodin Zgjedhor dhe ne ta  votonim në parlament pa asnjë kusht, pasi të merrte viston nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR, sepse unë kam bindjen më të madhe se nuk do të servirin asgjë që nuk është në standardet ndërkombëtare. Por opozita e ka refuzuar këtë. Përse e refuzoi? A ka ofertë më bujare mbi tokë, se kjo? Ky është maksimumi i të gjitha maksimumeve. Ajo e refuzoi, sepse e dinte se do ta shkruante dhe unë do ta votoja. Ajo do t’i humbte zgjedhjet dhe do të bëhej pastaj qesharake edhe në sytë e botës, sepse do t’i thoshin se edhe me Kodin që hartove vetë i humbe zgjedhjet. Ndaj, ata thanë se do ta bëjmë bashkë. Por, nëse e bëjmë së bashku, ky proces bëhet mbi bazën e respektit reciprok. A mundem unë t’u them bashkëpunëtorëve të mi, shkoni dhe uluni me bashkëpunëtorët e zotit Rama, me moton Signorsi. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse ky është edhe dinjitet njerëzor dhe nuk mund t’i kërkosh kurrë një bashkëpunëtori gjëra që bien në kundërshtim me atë. Ata e kanë pranuar këtë variantin e dytë. Deputetët tanë, përfaqësuesit tanë janë aty dhe po punojnë. Unë nuk kam asnjë paragjykim, përkundrazi kam një vlerësim për ekipin, qoftë për ekipin e tyre, qoftë për ekipin tonë. E them haptas këtë, sepse janë njerëz që e njohin lëndën. Në rast se dëshirojnë të bëjmë reformën, kam bindjen më absolute se ajo bëhet plotësisht. Unë kam thënë këtë rezervë: nëse do ta bënin vetë reformën, unë fjalën që kisha dhënë, do ta mbaja. Por ata nuk e morën për ato arsye dhe tani, unë jo çdo gjë e pranoj. Edhe ata jo çdo gjë e pranojnë. Unë nuk përpiqem t’u diktoj atyre. Por me kompromis ky proces arrihet dhe unë them se  nuk ka vështirësi.
 
Ju thoni që Presidenti e ka kthyer institucionin e presidencës në një zyrë partiçke të vogël dhe jeni deklaruar se Presidenti i ardhshëm do të jetë përfaqësues i mazhorancës. A do të rrezikonte që kjo ta kthente zyrën e presidentit në zyrën e një partie të madhe?
Kam deklaruar se do të zbatohet Kushtetuta. Kushtetuta përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit, cili është mekanizmi i zgjedhjes së Presidentit. Çdo koment, jashtë kuadrit kushtetues, është absolutisht jo produktiv. Për ata që janë të interesuar në doktrinë, dua të theksoj se një nga 3-4 shtyllat më themelore të sistemit demokratik, për shembull, zgjedhjet e lira janë një shtyllë dhe pa to nuk ka demokraci, një tjetër, nga më themeloret dhe risitë e 120 viteve të fundit, është kushtetutshmëria. Kushtetutshmëria është shtyllë jetike për funksionimin e një demokracie, në mënyrë që të mos ndodhin deformime, siç mund të ndodhin. Kjo shtyllë është konsoliduar gjithnjë e më shumë, gjatë shekullit që shkoi dhe vazhdon ende, si shtyllë kryesore. Lexoni Kushtetutën tonë. Në nenin 3 të saj thuhet se në themelet e këtij shteti qëndrojnë lirinë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe respektimi i institucioneve kushtetuese të tij. Konstitucionalisti i ka vendosur në të njëjtin nen. Pra, zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrimi i tij është i përcaktuar në Kushtetutë. A kthehet ajo karrige në parti të madhe apo të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të madhe dhe as për parti të vogël. Ajo është për Presidentin e Republikës, të cilit Kushtetuta i thotë se do të mbash këto qëndrime. Unë jam ish President dhe jam bërë President pas një viti karrierë politike. Unë kisha një libër në tryezën time dhe në këtë libër ishin ligjet kushtetuese të vendit. Ato nuk mund të cenohen as në frymë e as në germë. Ky është i gjithë problemi. Ato shënojnë, regjistrojnë konsensusin më të gjerë, kontratën e qytetarëve me shtetin. Ndaj unë i qëndroj Kushtetutës. Çdo person duhet të qëndrojnë në përputhje me Kushtetutën.  Unë jam Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe kam një ligj mbi të cilin funksionoj, krahas prerogativave kushtetuese. Unë jam i detyruar çdo ditë t’i respektoj. Mos harroni se këtë vit qeveria ka shqyrtuar dhe miratua 980 akte,  100 urdhra, 127 ligje, që të gjitha këto janë detyrimisht të bazuara, në germë e në frymë, me ligjet kushtetuese.
 
Dëgjuam të gjitha arritjet e realizuara për 2011-ën si dhe parashikimet për vitin 2012. Për të qenë pak më vizionar, për zgjedhjet e vitit 2013 në ç’formë ose me ç’teze do t’u kërkonit votën shqiptarëve?
Lidhur me arritjet e vitit 2011, dua t’ju them se më vjen keq, pasi për arsye kohe nuk arrita të paraqes absolutisht as 1/5 e tyre. E them këtë me sinqeritet. Por do të jenë të gjithë ministrat respektivë që do të listojnë të gjitha arritje e tyre para jush, në bilancin që ata do të bëjnë gjatë javëve të para të janarit.
 
Folët për dixhitalizimin, a do ta përdornit vetë Tëitter-in?
Siç e thashë, aktualisht mua më mban të lidhur me qytetarët, ndër të tjera, mesazhi i celularit, i cili, për hir të së vërtetës, më harxhon jo pak kohë, pasi, sado që duket i thjeshtë, sërish është më i komplikuar se Tëitter dhe Facebook, në rrafshin kohor. Me sms mua më duket se komunikoj me numrin më të madh të mundshëm të shqiptarëve. Kjo më konsumon një kohë jo të vogël, më bën të përqendrohem e të jem disponibël, natyrisht, nuk e realizoj dot on line këtë. Ka njerëz që mund të më bëjnë mesazh në mëngjes e presin përgjigje të menjëhershme, por kjo është e pamundur për mua dhe përgjigjen e jap në darkë, ose ndonjëherë edhe të nesërmen, sipas ngarkesë së punës që kam. Megjithatë, do të doja dhe nuk e përjashtoj as Tëitter-in e as Facebook-un si formë komunikimi, por mbase në të ardhmen, kur teknologjia 3G apo 4G të ketë penetruar gjerësisht në të gjithë abonentët. Atëherë, unë detyrimisht do të kaloj në forma të tjera. Realisht mesazhi nuk më lodh, por ta them haptazi, gjithashtu më harxhon kohë më shumë. Ndërkohë Tëitter është më i thjeshtë, e ka mekanizma më të përshtatshëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›