Reflektim pas turpit të KOKSH-it/ Në fillim ishte dhunaNjë nga nxënësit e Jezu Krishtit, Gjoni, shkroi “në fillim ishte fjala”, por asambleja olimpike shqiptare doli krejt në kundërshtim nga librat e shenjtë

Bledar KUKA - “Olimpizmi kërkon të krijojë një mënyrë jete të bazuar në gëzimin e përpjekjeve, vlerave edukative të shembullit të mirë dhe respektit për parimet etike themelore dhe universale”. Kjo është fjalia e dytë e pikës së parë të parimeve themelore të olimpizmit, sanksionuara në Kartën Olimpike. Nuk di nëse asambleja e mbetur në tentativë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ofroi një mundësi të tillë gëzimi, lumturie apo vlerash edukative.
Në një vend ku të gjithë ish-presidentët e KOKSH-it, me përjashtim të Domit dhe pjesërisht të të ndjerit Jorgoni, ishin të komanduar nga partia-shtet, është e natyrshme që procesi demokratik të epet, t’i lëshojë pe autoritarizmit, që nuk pëlqen konkurrencën e projekteve dhe të ekipeve (stafeve apo shtabeve, merreni si të doni), por pëlqen t’i besojë kulisave ku loja “më jep, të jap” luhet në nivelin më të ulët.
Bashkësia (apo komuniteti) sportive përjetoi çarjen e vitit 2004 kur disa federata vendosën të mos njihnin Asamblenë e KOKSH-it dhe organet drejtuese të dalë prej saj. Federata Shqiptare e Futbollit, ajo e boksit, peshëngritjes dhe atletikës deklaruan në fund të tetorit 2004 se nuk i njihnin zgjedhjet në Asamble, duke u shprehur me përfaqësuesit e tyre, Armand Duka, Edmond Stafa, Esat Ademi dhe Artan Shyti.
Nëse në atë kohë u protestua me konferenca shtypi, më 6 dhjetor 2008 u gjykua si më e përshtatshme dhuna. Pa kaluar në dënimin e shkeljeve, mostransparencës, ndikimit politik e të tjerave si këto, në radhë të parë mendoj se duhet dënuar prerë dhe pa ekuivok përdorimi i dhunës, si mjet i palejueshëm sidomos në nivele të tilla si asambleja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
E thënë kjo, puna nuk mund të quhet e përfunduar. Unë ndjej (dhe besoj e ndajnë këtë ndjesi edhe të tjerë me mua) një mpleksje interesash dhe individësh mes sportit dhe politikës, mes politikës dhe sportit. Dikush mund të thotë se nuk ka asgjë të keqe që politika të mendojë për olimpizmin dhe sportin në përgjithësi, sepse kjo mund të jetë një ndihmë e madhe nga njerëz të fuqishëm dhe me pushtet.
Parimisht, vlen e kundërta. Olimpizmi, duke e ndjerë zëniefrymën nga politika, kërkon të pavarësohet gjithnjë e më shumë, një proces që në Shqipëri është në hapat e parë. Olimpizmi e kërkon bashkëpunimin me institucionet publike si dhe ata privatë, por si bashkëpunim të barabartësh jo si hierarki ku shteti dhe politika të diktojnë. Bashkëpunimi kërkohet për të vënë sportin në shërbim të njeriut (karta olimpike).
Sipas mendësisë ende të prapambetur politike në Shqipëri, pushtimi i institucioneve sportive, përkatësisht KOKSH-it, nga “njerëzit tanë” bëhet për të krijuar vende pune për militantët, që mund të ndodhë të jenë edhe të zotë (por që gjithnjë kanë kufizimin e militantizmit), për të zgjeruar bazën partiake me qëllimin më të lartë, marrjen e sa më shumë votave në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse e ulim nivelin e diskutimit nga parimi tek thashethemet, që jo gjithnjë mund të mos jenë pjesë e së vërtetës, vërejmë se për të dy kandidatët kanë dalë “këngë” e “bejte” të tilla. Dikush e ka lidhur fatin me kreun e pozitës, dikush tjetër me atë të opozitës. Dikush pretendon karrike deputeti dhe dikush tjetër kërkon të nxjerrë përfitime nga donacionet e dhëna për figura pushtetarësh.
Problemet që dolën në asamblenë e KOKSH-it treguan qartë se nuk ishte punuar si duhet qoftë për statutin, qoftë për mënyrën e përfaqësimit të sportistëve olimpistë apo qoftë edhe për mënyrën sesi do të bëhej sigurimi i veprimtarisë. Ka një kaos të qëllimshëm në proceset tona zgjedhore, që tregon qartë paaftësinë për të bashkëpunuar mes dy palëve të kundërta. Kjo është një mbetje e fortë e diktaturës.
Ne kemi një problem njerëzor në sport dhe në politikë. Ne kemi një mungesë përpunimi të aftësisë për t’u organizuar dhe mungesë aktivizmi politik. Njerëzit tanë nuk e kuptojnë sesa të rëndësishëm janë forumet sportivë, ashtu si edhe ato politikë ndaj edhe “zullumet” më të mëdha bëhen dhe mbeten pa ndëshkuar. Nuk mund të ketë demokraci në KOKSH dhe sport pa pjesëmarrje të gjerë, bash kjo është demokracia.
Në manualet moderne shkruhet qartë se vetëm një demokraci aktive mund të shpëtojë thelbin demokratik në një shoqëri apo bashkësi përballë trysnisë së njerëzve të fuqishëm, të pasur. Një problem i madh i yni është se përgjithësisht ne jemi pasive, rrjedhojë e shekujve të kaluar nën motot fataliste “këtë e dinë ata lart”, që nga perandori i Romës, sulltani i Turqisë e deri tek diktatori Hoxha.
Shpëtimi i vetëm i institucioneve sportive është hyrja në pjesëmarrje aktive në to e njerëzve me më shumë integritet moral dhe profesional, e sa më shumë të tillëve, mundësisht e të gjithëve. Ata duhet të flakin tej idenë e papjekur dhe tmerrësisht të dëmshme të “politikës si diçka e pistë”. Janë forumet, që dalin nga zgjedhjet, ata që drejtojnë një shoqëri, pra ja ku qenkan kaq shumë të rëndësishme.
Mu për këtë qëllim, njerëzit më të pastër, më të zot, më të përparuar duhet t’i sulmojnë në mënyrë demokratike këto forume për t’i bërë funksionale, për t’i bërë kështjella mbrojtëse të sportit, jo Bastija të mbretërve të sotëm të politikës apo të atyre që e shohin veten të lidhur me politikën dhe jo me projektet zhvilluese. Bëhet fjalë për të shpëtuar të ardhmen sportive të fëmijëve të sotëm dhe atyre që do të lindin.
E Merkure, 10 Dhjetor 2008