Blaz Slishkoviç jep dorëheqjen nga Tirana

Blaz Slishkoviç nuk është më trajneri i Tiranës. Boshnjako-kroati është larguar përfundimisht, duke lënë një imazh të shëmtuar në Shqipëri, e duke konfirmuar se “jeta” e një trajneri të huaj te Tirana është shumë e shkurtër, parë dhe historinë e paraardhsëve të huaj të te 23-herë kampionët, hungarezit Miklosh Temeshvari, boshnjakut Enver Haxhiabdiç dhe italianit Leonardo Menikini.
Baka, i famshëm për disiplinën ekstreme dhe brutalitetin e jashtëzakonshëm me median, gjatë një konference të sajuar me urgjencë shtypi, bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj “klaneve”, që sipas ish-trajnerit të Bosnjë-Hercegovinës, ekzistojnë dhe punuan me keqdashje te Tirana. “Detyrohem të jap dorëheqjen pas rezultateve negative. Objektivi im personal, por dhe i klubit ishte dalja kampion, por mesa duket në këtë situatë zgjidhja më e mirë ishte largimi im”, - u shpreh Slishkoviç, ku vulën e vuri barazimi i shëmtuar 2-2 kundër Partizanit të vendit të fundit, ndaj të cilit edhe mund të humbiste, nëse sulmuesi më i mirë aktual i Tiranës, Migen Memelli nuk do të shpikte dhjetë minuta para përfundimit të takimit golin e barazimit.
Gjithsesi, ish-trajneri i Hajdukut të Splitit dhe Zrinjski Mostarit e la shenjen e vet në futbollin shqiptar, duke fituar një trofe ndërkombëtar, “Taçi Oil Albania Reads”, edhe pse ai kishte një nuancë lokale. “Fitorja me Milanin ishte një nga gëzimet e mia më të madha me Tiranën”, - tha Slishko, duke iu referuar fitores 2-1 në “Qemal Stafa”, më 14 tetor, kundër një klubit me më shumë tituj ndërkombëtarë në planet, në një takim të jashtëzakonshëm të bardhebluve kundër emrave të tillë si Ronaldinjo, Shevçenko, Inzagi, Ambrozini, Maldini, Sedorf e të tjerë.
Tirana gjatë drejtimit të ish-lojtarit të Hajdukut të Splitit në Kroaci, Peskarës në Irali dhe Olimpikut të Marsejës në Francë, në 14 ndeshjet e zhvilluara shfaqi dy fytyra të një kontrasti ekstrem.
Në shtatë javët e para kryesonte bindshëm, me pesë pikë më shumë se Vllaznia (17, Tirana; 12 Vllanznia), ndërkohë që në shtatë javët e dyta realizoi vetëm një fitore, atë kundër Lushnjës (1-0), dhe kjo falë autogolit të lushnjarit Laert Ndoni.
Në 14 javët e zhvilluara deri tani, Tirana e Slishkoviçit fitoi 6 takime, barazoi po 6 dhe humbi 2 ndeshje, ato me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” dhe Teutën në “Qemal Stafa”, duke u renditur në vendin e dytë me 24 pikë, katër pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë (28 pikë), ndaj së cilës bardhblutë barazuan në dy përballjet e para, 0-0 në “Loro Boriçi” dhe 1-1 në “Qemal Stafa” në fazën e dytë. Gjithsesi, Slishkoviç, i cili të martën kërcënoi edhe një gazetar sportiv për shkak të fotografive të realizuara nga ky i fundit, lëshoi edhe batutën e fundit. “Nëse do të më thërrasin sërish për të drejtuar një klub futbolli në Shqipëri, do ta bëja me kënaqësi”.
HISTORIA E TRAJNERëVE TE HUAJ TE TIRANA
Tirana ka parë në drejtimin e saj, përveç emrave më të spikatur të trajningut shqiptar, edhe katër trajnerë të huaj, duke filluar nga hungarezi Miklosh Temeshvari (2000-2001), boshnjaku Enver Haxhiabdiç (2002-2003), italianin Leonardo Menikini (2005) dhe tani kroato-boshnjakun Bllazh Slishkoviç. Hungarezi Miklosh Temeshvarit fitoi Superkupën në vitin 2001, ndërkohë që boshnjaku Enver Haxhiabdiç fitoi Kupën e gazetës “Sport ekspres”, ndërsa Blaz Slishkoviç fitoi trofeun ndërkombëtar “Taçi Oil Albania Reads” përballë Milanit.
Të katër trajnerët e huaj të mëparshëm i bashkon, përveç faktit se kanë drejtuar skuadrën më të pasur në Shqipëri, edhe një statistikë e dhimbshme: asnjë nga ata nuk arriti ta përfundojë sezonin, duke u larguar për shkaqe që lidhen si me rezultatet (jo fort të mira), por dhe me atmosferën “vrasëse” të ambientit bardheblu. Këtë gjë e provoi i pari hungarezi “lektori i FIFA-s”, Miklos Temeshavari (sezoni 2000-2001), kur i punësuar nga presidenti i atëhershëm i Tiranës, miliarderi egjiptian El-Sajed, kërkoi disiplinë të fortë te Tirana. Përfundimi: i larguar pas 8 muajsh. Të njëjtin fat pësoi më pas edhe profesori boshnjak Enver Haxhiabdiç (sezoni 2002-2003), që u rezistoi klaneve të bardhebluve vetëm 5 muaj. Temeshvari ishte një teknik i FIFA-s, i cili u jepte leksione trajnerëve në seminare të organizuara nga FIFA. Punoi me Tiranën në kohën e presidentit El-Sajed, por nuk e pati të gjatë kohën e qëndrimit, madje nuk e përfundoi as sezonin. U largua pas një rezultati negativ në Berat me Tomorin (1-0, java 21 e sezonit 2000-2001). Atë vit Tirana humbi kampionatin, teksa u rendit e dyta pas Vllaznisë. Pas largimit të profesorit hungarez, një boshnjak do të guxonte të drejtonte klubin e famshëm shqiptar.
Enver Haxhiabdiç ishte një teknik mbi nivelin e teknikëve shqiptarë. Ishte njeri i qetë. Nuk arriti ta kuptonte kampionatin shqiptar dhe mentalitetin e futbollistëve që drejtonte. U largua pas një ndeshjeje derbi Partizani-Tirana, ku bardheblutë humbën 0-2 (java e 9-të, sezoni 2002-2003).
Në sezonin 2005-2006 italiani Leondardo Menikini u bë trajneri i dytë i huaj që drejtoi një skuadër shqiptare, pas Ticiano Gorit, i cili drejtoi për një gjysmë sezoni Partizanin (2002). Menikini ishte një trajner i vërtetë profesionist, një teknik karizmatik. Realizonte stërvitje në mënyrë profesionale, solli elementin teknik italian në Shqipëri. Erdhi për një projekt të madh. Nuk u kuptua aq sa duhet dhe u largua pas katër muajsh, pas një barazimi të bujshëm Tirana-Shkumbini 4-4 në “Selman Stërmasi” (java 11, sezoni 2005-2006).
Edhe Blaz Slishkoviç dha dorëheqjen, por në javën e 14-të pas një barazimi të dhimbshëm më Partizanin, 2-2.
Trajnerët e huaj të Tiranës
1. Miklos Temesvari, Hungari (Tirana): 2000-2001
2. Enver Haxhiabdiç, Bosnjë (Tirana) : 2002-2003
3. Leonardo Menikini, Itali (Tirana) : 2005-2006
4. Bllazh Slishkoviç, Bosnjë-Kroaci (Tirana): 2007-2008
E Merkure, 10 Dhjetor 2008