Reflekton Aliçka, "ripunon" ndërkombëtarët
Ambasadori prezanton në Paris romanin e ripunuar "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë"
Dy vjet pas botimit të romanit "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" autori Ylljet Aliçka e hedh në qarkullim të ripunuar.
Por prezantimi do të bëhet tek "ndërkombëtarët" në vendin ku prej më shumë se një viti Aliçka përfaqëson si diplomat Shqipërinë, në Paris. Më 15 mars, të dielën, ora 17.30 shoqata kulturore "Les albanais de France" në bashkëpunim me botuesin e romanit "Toena" organizojnë këtë paraqitje në Qendrën e Artit dhe Kultures në Montmartre.
Romani u prit shumë mirë nga kritika, por jo dhe aq nga ata të cilëve u adresohej, burokratët ndërkombëtarë në Shqipëri, pjesë e administratës të të cilëve Aliçka ka qenë deri vonë, në Tiranë.
Ndoshta këtu konsiston edhe reflektimi për ripunim apo "korrigjim" të veprës e cila në thelb trajton një subjekt provokues e cinik. I cilësuar "një libër që blasfemon arrogancën "elitare" të një pjese të opinionit ndërkombëtar" pikërisht për këtë mision është vlerësuar për transmetimin e një fryme kritike ndaj kulturës së nënshtrimit.
Aliçka ka një përvojë personale në ato rrethe dhe zyra ndërkombëtarësh por merret me mend tashmë opinioni që kanë ndërkombëtarët për Shqipërinë e shqiptarët.
Sipas autorit, nami i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po ndotet ca më shumë seç e meritojmë dhe më tepër se sa një deficiti demokratik kjo është më së shumti pasojë e një deficiti komunikues.
Njohja e problematikës shqiptare, nuk mund të bëhet e sforcuar apo me improvizime emocionale për të kërkuar mundimshëm simpati ndërkombëtare.
Romani "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" përfaqësoi Shqipërinë në Çmimin Letrar "Ballkanika" (romani më i mirë i vendeve të Ballkanit) për vitin 2007.
Si burokrat Ylljet Aliçka ka përvojën e drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve në vitet 1992-1997 dhe më pas përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë deri në vitin 2007 ku u emërua ambasador i Shqipërisë në Francë dhe UNESKO.
Është autor i disa botimeve didaktike. Karriera e tij si shkrimtar nis relativisht vonë, më 1996 kur boton vëllimet në prozë "Tregime", "Kompromisi" (2000), "Parullat me gurë" (2003) dhe së fundi romanin e parë "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë". Tregimet i janë botuar në gjuhët frënge, polake, në italisht dhe anglisht.
Aliçka është njëherësh skenarist i filmave "Slogans" me regji të Gjergj Xhuvanit, "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit premierën e të cilit do ta shohim së afërmi.
Berat: Dinastia e Qyprilinjve në syrin e studiuesve
Një konferencë shkencore për rolin dhe kontributin e Qyprilinjve në Perandorinë Osmane. Studiues vendas dhe të huaj i kanë kushtuar një ditë më parë në vendin e origjinës, në Berat konferencën "Dinastia e Qyprilinjve në Perandorinë Osmane".
Prof. Dr. Kristaq Prifti referoi për temën "Vendi i Qyprilinjve në historinë e ish-Perandorisë Osmane", prof.
Ferit Duka u ndal tek Perandoria Osmane në kohën e Qyprilinjve, ndërsa dr. Irakli Koçollari tek burimet osmane dhe greke për Qyprilinjtë. Fakte të reja sollën referencat e prof. dr Shaban Sinanit ish- drejtor i Arkivit të Shtetit.
Pjesëmarrësit i përshëndeti kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, sepse është bashkia që brenda këtij ka organizuar këtë konferencë shkencore, e dyta pas "Berati për shpëtimin e hebrenjve"
Shtëpia e lindjes së Kadaresë, në rikonstruksion
UNESCO shpall tenderin ndërkombëtar për fazën e dytë të punimeve rikonstruktuese në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Ndërsa gjatë vitit të kaluar u përdorën 10 milionë lekë për ringritjen e banesës së djegur dhe kryerjen e punimeve në çati, 160 mijë dollarë të akorduara nga qeveria në kuadër të projektit "Ringritja e Qendrës Historike të Gjirokastrës" do të përdoren për përfundimin e të gjithë këtij rikonstruksioni, për ta kthyer më pas në një bibliotekë ndërkombëtare.
Data 23 mars është afati përfundimtar që të gjitha kompanitë e interesuara, si vendase ashtu edhe të huaja të kryejnë.......................... aplimiket e tyre.
"Shpresojmë që me mbylljen e procedurave tenderuese, shumë shpejt të fillojë puna në këtë objekt mjaft të rëndësishëm për qytetin e Gjirokastrës.
Vlen të përmendet këtu edhe interesimi i vetë shkrimtarit Ismail Kadare që këtij objekti t'i jepet fizionomia e duhur",- është shprehur drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, Rajmond Kola.