Hakmarrja, thikë në bark 12-vjeçarit
ADOLESHENTËT/ Një 13-vjeçar është rrahur dy ditë më parë nga shoku i lagjes dhe ka vendosur të marrë hak
Pas ngjarjes, djaloshi është frikësuar nga gjaku dhe ka mbetur pa lëvizur deri në momentin e ardhjes së familjarëve
ELBASAN - Shoku i lagjes e kishte rrahur dy ditë më parë dhe, për të marrë hak për këtë, dje ai vendos që të provojë me një armë të ftohtë.
E godet dy herë në bark duke i rrezikuar jetën 12-vjeçarit kundërshtar, por mbetet pa lëvizur në momentin që shikon gjakun dhe kupton se çfarë kishte realizuar.
Ngjarja e rëndë e cila ka përfshirë dy djem të moshës 12 e 13 vjeç ndodhi dje rreth orës 15:00 në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Cërrikut". I plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë.
Mesditën e së hënës, 13-vjeçari K.Ll., pasi një sherri fyerjesh e sharjes që më pas ka kaluar në rrahje dy ditë më parë, ka marrë një thikë dhe ka goditur personin me të cilin ishte zënë.
Plagët e marra në bark kanë bërë që 12-vjeçari Xh.H. banor i lagjes "Brigada XVII Sulmuese" të transportohet menjëherë në spital nga personat e gjendur aty rastësisht. Por gjendja e tij e rëndë ka bërë që mjekët të këshillojnë transportin për në Spitalin Ushtarak.
Dëshmitarë në vendngjarje shprehen se dy adoleshentët, banorë në lagje të ndryshme, luanin në të njëjtin shesh.
Sherri mes tyre ishte regjistruar dy ditë më parë kur i dëmtuari me thikë e kishte rrahur adoleshentin tjetër. Askush nuk do ta mendonte se i mituri do të përdorte thikën kundër 12-vjeçarit dhe as ky i fundit nuk kishte mundur ta evitonte hakmarrjen e ftohtë.
Por, me gjithë "guximin" për të qëlluar, 13-vjeçari ka mbetur i shokuar në momentin e ndërgjegjësimit të asaj çka ka kryer, ndërsa ka mbetur pa lëvizur në vendin e ngjarjes deri në kohën kur të afërmit e tij kanë ardhur për ta marrë.
Për familjet dhe për komunitetin përreth ngjarja është konsideruar e rëndë, sidomos për shkak të moshës së personave të përfshirë. Po për këtë arsye, policia nuk ka mundur të ngrejë akuzë ndaj të miturit
. Adoleshenti është autori i një krimi me moshën më të vogël të regjistruar në Elbasan vitet e fundit.
Banorët e lagjes dhe prindërit e fëmijëve kanë kërkuar ndërhyrjen e psikologëve në shkolla, masa më të rrepta nga drejtuesit e shkollave dhe një kontroll më të imtësishëm nga policia të situatës për të mos lejuar që të ndodhin ngjarje të tilla të rënda ku përfshihen fëmijë.
Vetëm dy ditë më parë, në Fier, një 13-vjeçar qëlloi me thikë një 14-vjeçar në oborrin e pasmë të shkollës.
Drejtuesit e policisë në Elbasan e cilësojnë ngjarjen e një dite më parë të veçuar dhe pa një lidhje me ngjarje të tjera
. Është kërkuar analiza edhe e personalitetit të fëmijës dhe arsyet që e kanë çuar atë drejt një sjelljeje kaq agresive ndaj një bashkëmoshatari. Ndërkohë, burime spitalore konfirmojnë se 12-vjeçari, pas një ndërhyrjeje dhe mjekimit nga specialistët ka kaluar gjendjen kritike ku ishte prej disa orësh dhe konsiderohet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në bazë të statistikave, gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 20 raste të plagosjes me thikë, ndërsa brenda muajit rreth 7 të tilla, të cilat kryesisht janë kryer nga adoleshentët në grindje e sipër.