E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat kundër ligjit, rrisin faturën e parave

Ndryshimet në ligj do shtyjnë edhe për një vit e gjysmë afatet e dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe do rrisin faturën.


TIRANË- Shumica ka miratuar dje me votat kundër të opozitës, projektligjin që u jep të drejtën e shpërblimit edhe familjarëve të të gjithë atyre të dënuarve që, për shkak të vetë dënimit, nuk kanë mundur të lënë trashëgimtarë.

Por, duket se kundër kësaj nisme ka qenë (përveç opozitës) edhe Ministria e Financave, e cila edhe gjatë seancës së parë, kur u diskutua i njëjti projektligj, është shprehur kundra një nisme të tillë, me argumentin se kjo do të rrisë, së pari, faturën financiare dhe, së dyti, do të paralizojë procesin që tashmë ka nisur për dëmshpërblimin e të përndjekurve.

Por, për të evituar një përplasje publike me nismëtarin e këtij projektligji dhe Ministrinë e Drejtësisë si plotësuese e këtij drafti, Ministria e Financave nuk është paraqitur fare dje në Komisionin e Ligjeve për të dhënë vlerësimet e saja.

Kështu, vetë Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, në fillim të mbledhjes së djeshme ka deklaruar se kjo ministri është vënë në dijeni për projektin e ri, por që për arsye që ai s'i bëri të ditura, nuk ishte e pranishme me përfaqësuesit e saj në këtë seancë.

"Sot ishte parashikuar që në mbledhje të merrte pjesë edhe Ministria e Financave, e cila ka marrë draftin që javën e kaluar, por që sot nuk ka mundur të dërgojë përfaqësuesin e vet", - u shpreh Rusmali.

Ndërkohë që, siç mësohet nga Ministria e Financave, ajo nuk ka pasur dijeni për draftin e ri dhe, aq më pak, të jetë ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve.

I kontaktuar nga "Shekulli", zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar se kjo ministri nuk ka qenë e ftuar në mbledhje, ndërsa ka bërë të ditur, gjithashtu, se ajo e ka bërë një herë të ditur qëndrimin e saj në mbledhjen e qeverisë.
"Nuk na ka ftuar njeri të marrim pjesë në mbledhje për të dhënë mendim.

Ne e kemi shprehur një herë vlerësimin tonë në mbledhjen e qeverisë për këtë nismë, si dhe e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë edhe publikisht", - u shpreh zëvendësministri Shehu. Ndërkohë që, gjatë mbledhjes së parë, drejtoresha e buxhetit në këtë ministri, Mimoza Dhembi, deklaroi qëndrimin kundër këtij drafti.

Shqetësimi i shprehur prej saj për shtyrjen e afateve të zbatimit të ligjit dhe, për rrjedhojë, edhe të dhënies së dëmshpërblimit, është pranuar dje edhe nga Ministria e Drejtësisë, e cila me anë të drejtoreshës së saj të kodifikimit, ka deklaruar se ligji aktual ka parashikuar një vit si afat për dorëzimin e kërkesave, ndërsa propozimi e shpie këtë afat në një vit e gjysmë.


"Ky ndryshim ndikon tek dispozitat e tjera të rakordimit midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Jashtme dhe Postës Shqiptare, për të nxjerrë numrin total të kërkesave të paraqitura, si dhe për të përcaktuar skemën 5-vjeçare të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›