E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, Venecia-ODIHR japin rekomadimet e tyre

Tiranë- Ekspertët e Venecia-ODIHR kanë dhënë sugjerimet e tyre për ndryshimet dhe përmirësimet në shumë prej neneve të Kodit Zgjedhor. Në mënyrë që, siç është edhe shprehur sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, situate të tilla të mos përsëriten më, referuar zgjedhjeve të fundit vendore të 8 Majit. Këto rekomandime përfshijnë:

Rregulla që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore, në rastet kur ata zëvendësohen, një praktikë e përdorur shpesh nga partitë, apo rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qenësishëm, sikundër nuk konsiderohet normale që në momentin e shortit për anëtarët e kolegjit zgjedhor  një gjykatës mund të refuzohet pa motivacion.

Numërimit të votave në Tiranë, dhe problemeve që linden gjatë këtij procesi (votat e hedhura në kutitë e gabuara), propozohen ndryshime dhe qartësime në procedura duke kërkuar përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve.

Ekspertët këshillojnë të specifikohet qartësisht se si duhet të veprohet në rastet kur votat dhe kutitë me materiale merren në dorëzim si të rregullta e pastaj dalin me problem serioze.

Pasi sipas tyre Kodi  duhet të mbahjë më mirë parasysh specifikat e zgjedhjeve vendore, në veçanti ato që lidhen me aksesin në media, financimin e fushatës dhe veçantitë e zgjedhjeve në Tiranë.

Madje kërkohet edhe eleminimi i boshllëqeve të tjera dhe paqartësive, përsa i përket për shembull, zbatimit të pragut në zgjedhjet vendore, kërkesat mbi përfaqësimin gjinor dhe ankimimet.

Ndërkohë sipas ekspertëvë sfida kryesore mbetet largimi nga përbërëja aktuale e komisoneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm. Ky ndryshim theksohet – është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në admnistratën zgjedhore- thuhet në raport.

Ndërsa lidhur me Kodin e Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, nënvizohet nga ekspertët aty ku nuk ka një traditë të gjatë pavarësie të autoriteteve të administratës nga pushteti politik, komisionet në të gjithë nivelet duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme. Megjithëse nuk ka një formulë të vetme të këshillueshme për përbërjen e organit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, paanësia e anëtarëve të tij në ushtrimin e funksioneve të tyre, është e një rëndësie themelore dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Pavarësisht se si është strukturuar administrata zgjedhore, është e rëndësishme që jo vetëm të funksionojë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohet nga publiku se po e bën një gjë të tillë.

Po sipas ekspertëve ka disa variante për të reduktuar polarizimin, që nga rritja e numrit të institucioneve që emërojnë anëtarë, duke ftuar institucione të ndryshme publike që të emërojnë përfaqësuesit e tyre, mes të cilëve një anëtar i sistemit gjyqësor ose anëtarë të pavaruar të shoqërisë civile. Një gjë e tillë vlerësojnë ekspertët – mund të rriste efikasitetin e administratës zgjedhore dhe të kontribuonte në arritjen e konsensusit.

Ndërkaq ata shprehin opinionin e tyre se në vendin tonë është e vështirë të kemi individë apo ente të pavarura. Duhet njohur se në  mjedisin aktual politik në Shqipëri, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të identifikohen individë apo ente që konsiderohen të paanshme, të cilave mund tu besohet detyra për të emëruar anëtarë të paanshëm të KQZ. Kjo megjithatë nuk duhet ti pengojë autoritetet që të kërkojnë ta shohin si një mundësi për ta trajtuar- thuhet në raport.

Raporti i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it thekson  se një peshë të rëndësishme ka vullneti i forcave politike për  zbatimin e ligjeve. Nuk është e sigurt se problemet e përsëritura në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Eksperienca e fundit me zgjedhjet vendore në Shqipëri, tregoi se edhe një legjislacion zgjedhor gjithpërfshirës dhe i detajuar, nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe Këshillit te Evropës dhe standarteve të tjera ndërkombëtare, në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kyç për të zbatuar ligjin  në mënyrë të paanshme dhe të ndershme. Kjo shtojnë ekspertët – i detyrohet në veçanti, një mjedisi të karakterizuar nga polarizimi i rënduar dhe mungesa e besimit mes dy partive kryesore politike. Ndryshimi i sjelljes dhe praktikave nga grupimet kryesore dhe udhëheqësit e tyre është për pasojë i një rëndësie thelbësore, sikundër dhe paanësia e administratës elektorale- thuhet në dokumnetin e përbashkët Venecia-ODIHR.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Reforma Zgjedhore, Ashton: Të kryhet përpara zgjedhjeve të 2013-tës
  2. ODIHR-Venecia: rekomandime për të ardhmen, jo këshilla për të shkuarën
  3. Reforma zgjedhore, kanë filluar bisedimet pozitë-opozitë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›