Bregu: Qeveria shqiptare do të vazhdojë bashkëpunimin me opozitën

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu në një deklaratë ka përshëndetur konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, për Ballkanin Perëndimor. Në deklaratë theksohet: “Këshilli vlerëson zhvillimet e fundit pozitive, bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës, ngritjen e Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore, ngritjen e grupit të punës për reformën e rregullores së Parlamentit, si dhe votimin e ligjeve me 3/5 nga opozita”.
Bregu ka theksuar se konkluzionet e Këshillit vlerësohen zgjedhjet lokale të majit si konkurruese dhe transparente, duke inkurajuar vazhdimësinë e dialogut konstruktiv politik, për funksionimin e duhur të institucioneve dekomratike. Këto zhvillime pozitive thuhet në këtë deklaratë, duhet të ndihmojnë për të kapërcyer ngërçin që ka dominuar skenën politike në Shqipëri.
“Siç kuptohet qartë në konkluzionet e Këshillit, problemi i vetëm që ka penguar për 2 vjet me radhë marrjen e statusit të vendit kandidat, pavarësisht pretendimeve boshe të kryetarit të Partisë Socialiste, i cili nuk pranon as sot përgjegjësitë e tij, ka qenë ngërçi politik i krijuar nga mungesa e vullnetit të opozitës, për të votuar ligjet me 3/5, për t`u angazhuar në reformën zgjedhore dhe për të bashkëpunuar në plotësimin e 12 prioriteteve të BE-së.
Nëse opozita nuk do të kishte refuzuar për 2 vjet rresht bashkëpunimin me maxhorancën për përmbushjen e kriterit politik, sot statusi i vendit kandidat do të ishte realitet. Në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm theksohet se BE, mbetet e agazhuar për të mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të garantuar vazhdimin e bashkëpunimit me opozitën dhe shoqërinë civile, me detyrimin madhor për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit dhe plotësimin e detyrimeve që sjell procesi i integrimit”, ka përfunduar Bregu.