E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore dhe Territoriale, Balla: Vijojmë edhe pa opozitën

Partia Socialiste konfirmon se do të vazhdojë punën për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, pavarësisht njoftimit të kreut të PD-së, Sali Berisha, se opozita do të tërhiqet nga diskutimet. Vendimi i opozitës erdhi pas përplasjes me maxhorancën për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca shpreson që opozita të reflektojë me nisjen e sesionit të ri parlamentar në janar. Megjithatë, ai theksoi se edhe nëse kjo nuk ndodh, PS do të vijojë procesin e reformave.

“Teoritë ‘ne ikim, ne nuk vijmë, ne nuk votojmë’ janë çështje të tyre. Ata shohin punën e vet, ne shohim punën tonë. Vendimi i tyre është emocional dhe i mirëkuptueshëm, por besojmë se emocionet do t’u kalojnë dhe në janar t’i rikthehen punës,” u shpreh Balla.

Ai paralajmëroi se nëse opozita nuk merr pjesë në komisione, atëherë prishet dakordësia për barazinë mes shumicës dhe pakicës, çka mund të çojë në ndryshimin e përbërjes së komisioneve.

“Nëse ata mendojnë se mund të marrin peng komisionet, ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë përcaktuar se kush është shumica dhe kush pakica,” tha Balla.

Sa i përket zgjedhjes së Avokatit të Popullit, ai shtoi se PS ka qenë e gatshme të ulet me opozitën, por ka marrë përgjigjen se “nuk ulen me ne”.

“Nuk uleni me ne? Ne zgjodhëm kandidatin që sollët ju,” deklaroi Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›