E Martë, 3 Nëntor 2026

OTAVË – Carney: Kanadaja nuk do të jetë kurrë pjesë e SHBA-së

OTAVË, 10 mars /ATSH/- Ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney tha se Kanadaja nuk do të ishte “kurrë” pjesë e Amerikës – pasi fitoi garën për të pasuar Justin Trudeau si kryeministër i vendit.

Carney – i cili drejtoi bankën qendrore të Britanisë së Madhe midis viteve 2013 dhe 2020 – do të zëvendësojë 59-vjeçarin pas fitores së garës për udhëheqjen e Partisë Liberale.

Trudeau, i cili ka shërbyer si kryeministër që nga viti 2015, njoftoi se do të jepte dorëheqjen në janar pasi u përball me thirrjet për t’u dorëhequr nga ligjvënësit e tij.

Carney, 59 vjeç, është aktualisht kryetar i kompanisë kanadeze të investimeve alternative “Brookfield Asset Management”.

Ai tani do të duhet të vendosë se kur të thërrasë zgjedhjet e përgjithshme në Kanada – të cilat duhet të zhvillohen më 20 tetor ose më herët.

Në vitin 2013, ai u bë i pari jo-shtetas britanik që drejtoi Bankën e Anglisë që kur u themelua në 1694.

Që nga roli i tij në Bankë, ai ka mbajtur një sërë postesh në sektorin e financave dhe ka punuar si këshilltar i Trudeau.

Duke u prezantuar nga vajza e tij Cleo pas fitores së tij, Carney tha: “Kush është gati të mbrojë Kanadanë me mua?

“Partia Liberale është e bashkuar dhe e fortë dhe e gatshme të luftojë për të ndërtuar një vend edhe më të mirë”, tha ai.

Duke iu referuar luftës tregtare të Donald Trump dhe fjalimit të tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së, Carney tha: “Ne e kemi bërë këtë vendin më të madh në botë dhe tani fqinjët tanë duan të na e marrin. Në asnjë mënyrë”.

Ai tha gjithashtu se amerikanët donin burimet, ujin, tokën dhe vendin kanadez.

“Nëse do t’ia dilnin, do të shkatërronin mënyrën tonë të jetesës”, shtoi ai.

“Amerika nuk është Kanada. Kanadaja nuk do të jetë kurrë pjesë e Amerikës në asnjë mënyrë apo formë”, tha Carney. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›