KIEV – Zelensky do të takohet me princin saudit përpara bisedimeve të paqes SHBA-Ukrainë

KIEV, 10 mars /ATSH/- Presidenti Volodymyr Zelensky do të udhëtojë sot në Arabinë Saudite për të takuar princin e kurorës, Mohammed bin Salman, përpara bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë për përfundimin e luftës me Rusinë, sipas “Reuters”.
SHBA-ja, dikur aleatja kryesore e Ukrainës, ka ndryshuar politikat e saj me synimin për t’i dhënë fund luftimeve sa më parë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me Moskën, ndërsa ka ndërprerë ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacionit të shërbimeve sekrete për Kievin.
Zelensky pritet të takohet me Mohammed bin Salman, Arabia Saudite e të cilit ka luajtur role të ndryshme ndërmjetësuese që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022, duke përfshirë ndërmjetësimin e shkëmbimeve të të burgosurve dhe pritjen e bisedimeve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, muajin e kaluar.
Bisedimet e nesërme midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas – takimi i parë zyrtar që nga takimi i tensionuar i Zyrës Ovale midis Zelensky dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump – pritet të përqendrohen në një marrëveshje dypalëshe për mineralet dhe mënyrën e përfundimit të luftës.
Zelensky tha se nuk do të merrte pjesë në bisedimet me zyrtarët amerikanë dhe se delegacioni ukrainas do të përfshinte shefin e tij të shtabit, ministrat e tij të Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe një zyrtar të lartë ushtarak në administratën presidenciale.
“Nga ana jonë, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të biem dakord për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, tha Zelensky në një postim në X.
“Propozime realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizet shpejt dhe në mënyrë efektive”, shtoi ai. //a.i/