Reforma elektorale kundër të pabindurve
Është ndoshta ky shkaku që Partia Socialiste zbuloi dje dy detaje të rëndësishme të reformës zgjedhore, të cilën ajo duket se do të mbrojë në mirëkuptim të plotë me PD gjatë muajit shtator. Koalicioni i përbërë dhe komisionerët ligjorë do të jenë risia e kësaj reforme. Të dyja propozimet në fakt duket se janë negociuar dhe janë të gatshme për t’u konkretizuar. Si për ta bërë më të besueshme luftën opozitare, Xhafa kërcënoi Berishën të mos merret me datën e zgjedhjeve, kërcënim që Berisha e pret duke qeshur, se realisht nuk është marrë fare me atë datë, po ua ka lënë në dorë të tjerëve disa herë publikisht ta vendosin.
Po le të kthehemi tek efektet e këtyre dy propozimeve.
Së pari, koalicioni i përbërë është gjetur si formula më e mirë nga të dy palët për të shmangur krizën me aleatët e vegjël pa identitet politik dhe duke lënë jashtë dy blloqe të tjera opozitare, një nga e majta dhe një nga e djathta. Dashamir Shehi dhe Ilir Meta do të përsërisin kështu simetrinë e vitit 2005, por me peshë të ndryshuar elektorale.
Propozimi i dytë, ai i komisionerëve ligjorë, duket po ashtu në funksion të kësaj ideje. Meqë Shqipëria do të ndahet në 12 zona zgjedhore dhe numërimi do të bëhet i përqendruar, atëherë është e thjeshtë që të ngrihen 12 trupa gjykues, qoftë dhe me nga 3 ose 5 gjykatës që të vlerësojnë rezultatin e dalë nga grupet e numërimit. Te grupet e numërimit partitë mund të fusin përfaqësuesit e tyre. Kjo i jep më shumë legjitimitet procesit të numërimit dhe ul profilin e KQZ, duke e kthyer atë në një institucion administrativ, pa rol në vendimmarrjen për mandatet.
Të dy reformat e propozuara transformojnë tërësisht infrastrukturën zgjedhore dhe i vetmi problem mbetet kontrolli gjatë ditës së votimit, me qëllim që kutitë të mos mbushen nga njerëz të papërgjegjshëm në zona të thella apo në zona ku mund të bëjnë kompromise komisionerët lokalë.
Por thelbi i këtyre ndryshimeve ka parasysh pikërisht dhe dy opozitat simetrike në të dy anët. Me gjendjen aktuale të sistemit zgjedhor dhe depërtimin që kishte bërë në infrastrukturë LSI, deri në KQZ, ishte shumë kushtëzuese për socialistët. Me këtë sterilizim politik të situatës, LSI nuk ka mundësi t’i bëjë presion PS me KQZ apo komisionerët lokalë dhe do të detyrohet të negociojë për grupet e numërimit dhe vëzhguesit nëpër qendra votimi. PD po ashtu ka mundësi të shmangë presionin që i bënin demokristianët me anëtarin në KQZ dhe pozicionet që kishin në komisionet lokale. Kjo mund të rrisë zemërimin e tyre dhe mund të kemi një afrim të tyre me Shehin në kërkim të një poli më të fortë të së djathtës.
Të dyja këto blloqe, si LSI, ashtu dhe LZHK, po bëjnë përpjekje të sulmojnë formulën e koalicionit të përbërë, me qëllim që të theksojnë identitetin e tyre politik. Por pas këtij sulmi nuk ka vetëm paranoja, por dhe disa të vërteta. Sipas një sondazhi të kryer nga një institut prestigjioz javën e kaluar, PS e vetme shkon deri në 48 për qind dhe LSI në 9 për qind, por kur i pyet njerëzit për koalicionin PS-LSI, ky koalicion bie në 44 për qind dhe LSI shkon 13 për qind. Kjo bën që Ilir Meta të bëhet agresiv ndaj koalicionit të përbërë dhe të shtyjë Gjinushin të jetë në koalicion me PS, me shpresë se kështu rriten votat për të.
I njëjti fenomen ndodh në sondazh dhe me PD-PR-PDR dhe Dashamir Shehin. PD shkon në 41 për qind e vetme dhe 52 bashkë me LZHK, por, kur i pyet njerëzit sa do të votonin vetëm për koalicion PD-Parti Republikane, rezultati bie në 38 për qind dhe LZHK në të njëjtën pyetje merr 8 për qind të votave. Ky çrregullim që vjen nga afrimi i partive të diskredituara në të dy koalicionet, është një tregues interesant që po krijon hezitime në krijimin e koalicioneve dhe mbajtjen hapur të pazareve.