E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma kushtetuese

TIRANE - Këto nuk janë zgjedhje politike, por administrative! Jo, nuk janë administrative, por politike! Madje, dikush doli e tha se mund të quhen edhe referendare por fytyra e vërtetë e 8 majit ka mundësi të jetë kjo: meqë zgjedhjet dita-ditës po bëhen herë gjysmë administrative, herë gjysmë politike, ndoshta më saktë do të ishte të cilësoheshin: zgjedhje deledash. E nëse janë të tilla, përse? Askush nga analistët televizivë nuk e ka shpjeguar deri më tani si e qysh është ngjizur ky 8 maj. Në Shqipëri, shumë dukuri nuk shpjegohen dot me një arsyetim global e juridik. Nuk ka sens e as kuptim të thuhet: ligjet janë të mira, por nuk zbatohen. Kodi Zgjedhor është i mirë, e megjithatë zgjedhjet rregullisht manipulohen… KQZ është organ kushtetues, por anëtarët e saj emërohen e komandohen si kukulla cirku nga partitë. RTSH, me ligj quhet publik, por është megafon privat i qeverisë…Liria e Fjalës garantohet me ligj, por televizionet duhet të japin kasetat…Të gjithë janë të barabartë para ligjit, por udhëheqësit nuk ndëshkohen. Por, a mund të quhet i mirë një ligj, n’daç edhe Kushtetuta, nëse nuk zbatohet më së pari nga politikanët? Një Kushtetutë e quajtur e mirë që lejon të shkelet, është më dëmsjellëse se një Kushtetutë me cene që nuk lejon kërkënd ta përdhosë. Ndaj duhet hulumtuar: nga se buron kjo rrokopujë e tejzgjatur që mundëson funksionimin e cungët të sistemit? Ngaqë shkelet Kushtetuta dhe ligjin partitokracia e bën plastelinë? Apo mos vallë klima konfliktuale është rrjedhojë e Kodit Zgjedhor që pjell pareshtur krerë pa dinjitet, pa fytyrë, pa moral e pa përgjegjësi? Padyshim, faj ka edhe formula bipartizane e ndërtimit të infrastrukturës zgjedhore si dhe e kuadrit ligjor.
Që shkaktarë të krizës morale, ekonomike e sociale, të keqqeverisjes, të rritjes së çmimeve, të papunësisë, krimit dhe korrupsionit, si dhe e ngërçit të institucioneve janë të zgjedhurit tanë, kjo, besoj, nuk diskutohet…Na e kanë futur kokën në morsë, duke na thënë: ose më zgjidhni mua, ose do të bëhet qameti! Midis dy të këqijave, zgjidhni atë që paraqet më pak rrezik. Pikërisht për të na mbajtur rob të votës kundër e jo të votës pro, të votës së verbër, militante e jo të votës së alternativës, nuk u bënë paraprakisht ndryshimet ligjore, as ato të OSBE-ODIHR. Nuk u respektuan as kërkesat e përsëritura të BE-së që të kryen reforma të thella, si kusht i padiskutueshëm për integrim, pasi kjo gjendje terrori ‘o me mua, o kundër meje’, u leverdis atyre lart, kapove, të cilët, sido që të bëhen zgjedhjet, përsëri kanë për të dalë të fituar! Kam përshtypjen (qofsha i gabuar!) se krerët tanë thellë-thellë nuk e dëshirojnë integrimin, anëtarësimin në BE, sepse jashtë BE-së ndjehen më të lirë të sillen me pushtetin dhe pronat si uzurpatorë tipikë ballkanikë…Ja përse nuk bëhen reformat, ja përse jemi më të fundit në Ballkan, duke mbetur me hurin e ngërçit në…dorë!
***
Qëllimi edhe i kësaj beteje zgjedhore, e fokusuar mbi kasetat e dy fytyrave të dy kryetarëve, deri tash i ngjan një dueli mesjetar: o njëri, o tjetri “rinoceront” do të mbijetojë, me gjasë, pas 9 Majit. Nisur nga përdorimi i “heshtave” në mësymjet e fushatës, po hamendësohet sikur, me demek, njëri nga të dy kryetarët ka për të dalë përfundimisht nga skena….Por kjo hata nuk mund të bëjë vaki, pasi secili syresh, sipas traditës, ka për të shpallur fitoren për vete, duke mos pranuar humbjen, ngaqë llogaritja e humbjes dhe e fitores, ashtu si në zgjedhjet e kaluara vendore, në ndryshim nga ato parlamentare, ka për të qenë e vështirë të llogaritet. Kështu, marrja e tri komunave katundi mund të balancojnë humbjen e kryeqytetit, gjë që të kujton atë shprehjen e famshme të Haxhi Qamilit: ‘sa kam me vete Kavajën dhe Rrushbullin, nuk pyes as për Tiranën, as për Evropën!’…Në zgjedhjet e kaluara Berisha humbi kryeqytetin për të tretën herë, bashkë me shumicën e qyteteve kryesore, por meqë mundi të fitojë më shumë komuna periferike, (ai e di se si!) shpalli se harta e Shqipërisë është blu, blu, blu!…Humbjen në qytetet kryesore ai e shoqëroi më pas me hakmarrjen, duke bllokuar hapur e pa ngurrim vendimmarrjet dhe investimet në qytetet ku pat humbur. Prandaj dështimet, mangësitë dhe defektet e kaluara do të duhej të ishin ndrequr paraprakisht. Para se të bëhet bilanci e protestat ‘u vodhën apo nuk u vodhën votat’, duhej zgjidhur dilema e trashëguar: a është ky sistem zgjedhor ai që do mund të na garantonte zgjedhje të ndershme e të drejta, pavarësisht nga synimet, dyshimet, vjedhjet, manipulimet nën rrogoz që vijnë prej oreksit të kryetarëve të përjetshëm të partive? E, për më tepër, sa i dobishëm është ky sistem bipartizan dhe, a mundëson ky kod zgjedhor e kjo Kushtetutë përfaqësimin real të vullnetit të popullit, pa hile e pa dyshime të ndërsjella? Fajin pra edhe në këto raste e ka ligji, sepse kësi mysybete, në vendet demokratike nuk ndodhin, jo se qytetarët e politikanët janë më të mirë, por se ligji ua vë të gjithëve kufirin te thana.
***
Tensioni në rritje nuk po pyet as për thirrjet paraprake të ndërkombëtarëve, të cilët kërkojnë qetësi dhe pranim të rezultatit, gjë që e shton e nuk e pakëson dyshimin e trashëguar se zgjedhjet, pashmangshmërisht do të vidhen sërish. Tek ne është provuar më se një herë se qetësia, garancia dhe siguria nuk vijnë me thirrje, as me lutje, edhe kur ato kërkohen nga Brukseli, nga Washingtoni, madje edhe nga Krokodili. Vështirë të gjesh një qytetar që nuk dyshon se zgjedhjet do të manipulohen, por se si e si qysh e di vetëm “ai”!…E gjithë kjo tollovi nuk le vend të flitet për alternativat, për vlerat e kandidatëve, as për këshilltarët, për emrat e për peshën e tyre, si përfaqësues direkt të popullit, të cilët po ashtu do të zgjidhen me “votë të lirë” e nesër do të jenë vendimmarrësit e punëve nëpër Bashki. Nuk po flitet edhe pse tash është provuar që një kryetar bashkie a komune, nëse nuk ka shumicën në Këshill, është i destinuar të mbetet handikap, i paralizuar, buxhetngrirë.
Fokusimi i fushatës vetëm në dy emra: te Rama e te Basha, te dy parti, te dy kampe, pra, kush nga të dy krerët do të fitojë kryeqytetin, ka bërë të mundur që emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish nëpër provinca e qytete kryesore të ngjajnë si kontur, si meze, si aperitiv, ndërsa pesha e këshilltarëve të jetë thuajse e pandjeshme…Sistemi dypolar i vendosur me ndryshimet e Kushtetutës provoi se është po aq i dëmshëm, sa sistemi njëpartizan. Nëse do të kishim një klasë politike të ndërgjegjshme e të përgjegjshme, koha që kaloi do të kish mjaftuar e tepruar për të kuptuar se ngërçi i institucioneve, tejzgjatja e krizës, mosmarrëveshjet pa zgjidhje, sherret e grindjet kanë dëmtuar rëndë të gjitha pushtetet, ekonominë, standardet, duke vënë më se një herë në rrezik jo vetëm paqen sociale, por edhe procesin e integrimit…Sepse është ngërçizuar sistemi zgjedhor, me një KQZ partiake, me sondazhe të fabrikuara, po aq sa mediat; sepse është maksimalizuar fuqia e kryeministrit; sepse është bërë butaforik e deklarativ figura e Presidentit të Republikës; sepse pushteti vendor dhe ai ekzekutiv janë decentralizuar deri në atë shkallë sa të bllokojnë e akuzojnë për dështime njëri-tjetrin; sepse fuqia ka mbetur e akumuluar vetëm te dy kryetarë partish, duke nxjerrë shpesh jashtë loje edhe Kuvendin, edhe rolin e deputetit, edhe këshillat bashkiakë; sepse ka mbetur në zgrip mirëfunksionimi i organeve të Drejtësisë…E, në këtë hulli mbrapshtie ka për të qenë i mangët, i cungët mbarështrimi i pushtetit vendor ku përplasen përditë interesat e qytetarëve.
Ja përse ia vlen të shtrohet një pyetje e thjeshtë: a ka peshë, vlerë dhe autoritet të mjaftueshëm një kryetar bashkie, qoftë ky edhe i kryeqytetit, i cili do të ketë marrëdhënie armiqësore me pushtetin qendror, apo, më keq akoma, nëse nuk do të ketë shumicën e këshilltarëve në Këshillin bashkiak? Pa asnjë dyshim apo dallim, një kryetar bashkie që nuk ka një shumicë këshilltarësh që mbështesin projektet e tij ka për t’u gjendur në të njëjtën paralele me një kryeministër që nuk ka shumicën në Kuvend. Por nëse kryeministri, në një rast të tillë, automatikisht rrëzohet, bashkë me qeverinë e tij, kryetari i Bashkisë nuk bie, nuk dorëhiqet…E këtë e kemi parë e shijuar në vitet që lamë pas…Prandaj do të ishte punë e paqme, e mençur dhe e ngutshme që këto halle mbi halle të ishin zgjidhur para fushatës zgjedhore. Një zgjidhje normale që e kanë shumë vende demokratike, do të kishte pas qenë: kandidati që fiton Bashkinë, automatikisht duhet të fitojë të drejtën që nga lista e paraqitur prej tij të futen 50 plus 1 nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit bashkiak, plus votat që do të fitonin vetë këshilltarët…Kjo formulë, (kështu më duket e ka Italia) duke qenë demokratike, -pasi buron nga votëbesimi që merr kryetari,- do të garantojë një qeverisje të qetë, të përgjegjshme, të decentralizuar e normale të bashkive…Por njëkohësisht, me këto ndryshime kushtetuese do të duhej të ishte rishikuar edhe harta e pushtetit vendor; duhej pra të ishte kryer edhe reforma administrative, për të cilën nuk flet kurrkush as në këtë fushatë.
***
Mandatin e kaluar kam parë me hidhërim se si në Këshillin bashkiak të kryeqytetit, pas devijimit të LSI-së djathtas, në krah të PD-së, buxheti dhe projektet madhore bllokoheshin me një absurditet të pafytyrë, sepse opozita e djeshme, nëpërmjet trafikimit, u bë shumicë bllokuese. Këshilltarët komandoheshin me celular nga partia, pa pasur frikë apo drojë nga kamerat dhe nga sytë e publikut. Kjo paralizë nuk ndodhi vetëm në Tiranë, por në gjithë bashkitë ku kryetarët ishin socialistë. U ngrinë e nuk u miratuan harbutërisht buxhetet, vendimet e rëndësishme, lejet e ndërtimit, strehimi, investimet kapitale etj, etj…U bllokua në Tiranë unaza e madhe dhe e vogël, aq sa trafiku ka hyrë e ka mbetur në kaos; mbeti gjatë në letër e në rrokopujë rindërtimi i sheshit Skënderbej, edhe pse u financua nga të huajt; u bllokua kredia e BERZH-it, ndihmat për të pastrehët, ndërtimi i disa parkingjeve nëntokësore, ngrohja e çerdheve dhe kopshteve, prishja ose jo e Piramidës, etj…E ky “ngërç” investimesh e projektesh nuk u shkaktua vetëm nga defektet e decentralizimit, meqë pushteti ekzekutiv, dmth qeveria qendrore, ka ende shumë në dorë, por edhe me ndihmën e grupit të këshilltarëve partiakë nëpër bashki…Qëllimi është mirëfilli politik. Jo, ndoshta gabim të quhet politik, pasi fundekrye synimi mbetet diabolik, madje edhe antiqytetar (sot thuhet ‘të parët jeni ju!’) pasi, duke bllokuar, herë me bojkot e herë me kundërshti absurde vendimmarrjen, investimet, buxhetet dhe kryerjen e reformave të qenësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, synohet diskreditimi i kryetarëve “armiq”, mbi të cilët, pashmangshmërisht, në zgjedhjet e pritshme besohet se do të bjerë mëria, pakënaqësia, zemërimi popullor, e kështu “armiqtë”, pas katër vitesh, do të humbasin. Paçka se kjo “Sali-politikë” shkon në dëm të qytetarëve, bllokimi i institucioneve dhe i pushteteve të pavarura, kur këto nuk i nënshtrohen kryetarit të partisë, përqendrimi i fuqisë në një dorë, me sa duket ka mbetur e vetmja politikë që zbatohet “me sukses” nga të dy krahët…Aq sa, kur Berisha deklaron: të parët jeni ju qytetarët, vetëkuptohet: i pandëshkueshëm, pas ndryshimeve kushtetuese, është vetëm kryeministri e shpura e tij, nj’ashtu si kur thotë: do të ndëshkohen drejtuesit që detyrojnë nëpunësit dhe nxënësit të dalin me detyrim-përcaktim nëpër mitingje, automatikisht këta (ofiqarët) duhet të kuptojnë e veprojnë të kundërtën…Sa më sipër janë vetëm disa nga arsyet e domosdoshmërisë për Reforma kushtetuese. Pa reforma në sistem, demokracia mbetet në ngërç, ndërsa Evropa do të na lërë jashtë derës, pavarësisht se si e për kë do të votojmë ne qytetarët e zakontë e pavarësisht kush do të fitojë apo humbasë në zgjedhjet e radhës…!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›