E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha; Hetimi i dokumenteve të falsifikuara, me rëndësi për liberalizimin e vizave



Hetimi i dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit është një element mjaft i rëndësishëm në tërësinë e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Deklarata është bërë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë së diplomimit të 22 oficerëve, që përfunduan një kurs trajnimi në fushën e hetimit të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit, organizuar nga Zyra Rajonale e Sigurisë së Ambasadës së SHBA në Tiranë. “Në stadin aktual kur Shqipëria po përfundon përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, asgjë nuk ka më shumë rëndësi sesa kuadrit legjislativ dhe pajisjes së kufijve tanë me teknologjinë më të fundit të kontrollit, t’i bashkëngjitet përvoja më e mirë njerëzore dhe trajnimet më të përparuara të Policisë Kufitare dhe në veçanti Policisë Kriminale, për të parandaluar, zbuluar dhe goditur çdo tentativë për të keqpërdorur kufirin shqiptar për aktivitete kriminale”, - u shpreh Basha. Basha deklaroi se Policia e Shtetit do të ketë përkrahjen e plotë materiale, financiare, teknike dhe politike, me qëllim forcimin e sigurisë dhe kontributin e vazhdueshëm për sigurinë rajonale e më gjerë. Ministri Basha garantoi për vullnetin e hekurt të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, për të vazhduar partneritetin e shkëlqyer mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe amerikane në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›