Topalli në Gërdec: Angazhim maksimal i shtetit që jeta të normalizohet sa më parë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi dje fshatin Gërdec, për të takuar banorët e për të ndjekur nga afër zbatimin e masave të ndërmarra për normalizimin sa më të shpejtë të situatës. Ajo u takua dhe bisedoi me banorë të zonës të prekur nga tragjedia, të cilët i kërkuan mbështetje për të rinisur sa më shpejt ndërtimin e shtëpive të tyre. Kryetarja e Kuvendit, siguroi edhe një herë banorët e Gërdecit se qeveria dhe gjithë shteti është angazhuar plotësisht në menaxhimin sa më efikas dhe të shpejtë të situatës,për të bërë kompensimin sipas faktimeve të kryera nga grupet e vlerësimit, të ngritura në zonë. “Ne po veprojmë shumë shpejt që të rinisë jeta dhe të kthejmë besimin tuaj tek ajo’- vijoi më tej kryeparlamentarja Topalli, duke shtuar se kjo kërkon një kurajo të madhe. “Mua më vjen shumë mirë që ju keni filluar rindërtimin e shtëpive tuaja, aty ku kjo gjë ka mundësi të bëhet, dhe kjo më bind se ju jeni njerëz me kurajo të madhe”- tha më tej Topalli. Kryetarja e Kuvendit u njoh me propozime të banorëve të dëmtuar, mbi mënyrat më efikase të marrjes së dëmshpërblimit. “Qeveria nuk do të kursehet në mbështetjen financiare e do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë banorëve, si deri më tani, në mënyrë që në një kohë sa më
të shpejtë të fillojë rikuperimi i dëmeve materiale, gjë që kërkon mendimin e të gjithë komunitetit”- siguroi ajo. Më tej Kryetarja e Kuvendit, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencës në Bashkinë e Vorës, ku kryeparlamentarja u informua nga Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, për nisjen e procesit të lëvrimit të fondeve të dhëna nga qeveria. “Ngjarja e Gërdecit na bën të reflektojmë dhe na nxit për bashkim në një reformë të madhe shtetërore në Kuvend", tha dje. jo ngjarje na ka bërë të gjithëve të mendojmë fort, të reflektojmë thellë. Kjo është një ngjarje e rëndë, që tregoi se segmente të caktuara të shtetit kanë qënë të dobëta.Më takon të them, se ka përgjegjësi në hierarkinë e shtetit
që nis nga Kuvendi, Presidenca, qeveria, Ministria e Mbrojtjes e me radhë”- tha znj.Topalli. Në këtë drejtim, ajo u shpreh se duhet të bashkëpunohet për të ndryshuar shumë ligje që institucionet tona të mund të parandalojnë situata të tilla. “Kuvendi, Presidenca, Qeveria, Ministria e Mbrojtjes duhet të funksionojnë siç duhet, agjencitë e ndryshme, SHIU dhe SHISH-i duhet të informojnë atëherë kur duhet. Inspektoriatet që kanë qenë jashtë funksionit të tyre, të gjithë duhet t’i nënshtrohen reformave. është detyrë e Kuvendit, e liderëve kryesorë të forcave politike, që të bashkohen për një reformë të madhe shtetërore. Aty ku është e domosdoshme, të ndërhyjmë me reforma, sepse nuk mund të ndodhë në një Republikë Parlamentare që Kryeministri të ketë duart e lidhura e të mbesë pa kompetenca. Duhet të bëjmë reforma, që Kuvendi, Presidenti i Republikës si Kryetar i Forcave të Armatosura, Qeveria, Kryeministri e kështu me radhë,të kenë kompetenca të ndara e të qarta. Ndryshimi i ligjeve është thelbësor në këtë drejtim, sepse nuk ndryshohen institucionet thjesht duke ndryshuar njerëzit,por duke ndërhyrë në pikat e dobëta të mekanizmit të shtetit”- u shpreh Topalli në këtë takim. Në përfundim ajo falënderoi në mënyrë të veçantë ushtarët,forcat e Xhenios,djemtë e RENEA-s,duke nënvizuar edhe një herë se mobilizimi i shtetit do të vijojë me ritme të shpejta për normalizimin e situatës
në Gërdec.