Presidenti Topi: Urimet e 22 marsit shkojnë për të gjithë shqiptarët
Politika shqiptare ka shprehur dje urimet e saj për besimtarët bektashinj dhe mbarë shqiptare me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit. Kryeministri Berisha vizitoi dje në në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, ku u prit nga Kryetari i saj, Baba Dede Reshat Bardhi. Kryeministri u uroi të gjithë besimtarëve bektashinj, por edhe mbarë shqiptarëve festën e Sulltan Novruzit. Sipas tij "22 marsi,krahas festës së Sulltan Novruzit si një ditë shprese, ringjallje e besimi, shënon edhe ditën e përmbysjes me votën e lirë,të diktaturës më të egër komuniste. “Dëshiroj t`ju përcjell urimet më të përzemërta bektashinjve shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve në këtë ditë të bekuar, të shenjtë, ditë shprese, ringjalljeje dhe besimi, ditë në të cilën të gjithë shqiptarët kanë një mbarësi dhe mirësi. Krahas Sulltan Novruzit ne sot festojmë ditën e përmbysjes me votën e lirë të diktaturës më të egër të Europës ish-komuniste”-u shpreh kryeministri Berisha. Edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, uroi dje të gjithë besimtarët bektashinj dhe ata shqiptarë,me rastin e Festës së Sulltan Novruzit. “Në radhë të parë i uroj Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit, jo vetëm besimtarëve bektashinj, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. I them të gjithëve pasi ne gëzojmë festat e të gjithëve, që presupozon në mënyrë të qartë harmoninë fetare. Kjo është një ditë kur mbi sakrificat ripërtërihet paqja,pasi ne jemi një popull që kemi sakrifikuar në momente të ndryshme. Edhe në këto momente jemi në një çast kur duhet ta përballojmë një sakrificë të fortë të kapërcimit të asaj tragjedie dhe pasojave që ka lënë ajo, dhe jam i bindur që duke patur edhe një lloj inspirimi edhe nga ajo që jep kjo ditë, mbi këtë sakrificë, me siguri ne do të ngremë paqen, një paqe të fortë një paqe të konsoliduar. Kemi rastin të sjellim në kujtesë të gjithë patriotët shqiptarë duke filluar nga Naim dhe Abdyl Frashëri dhe të gjithë baballarët e tjerë në trevat e Shqipërisë, të cilët nëpërmjet linjës së përçimit të fesë kanë ditur të japin një mesazh të qartë për atdhedashurinë dhe për të gjithë ato vlera që kanë mirëkuptimin në të gjitha trevat e Shqipërisë. Edhe një herë urime për festën - përfundoi urimin e tij Presidenti Topi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i shprehu të shtunën besimtarëve bektashinj urimet më të mira për festën e Sulltan Novruzit. Ajo u prit dje nga Kryetari i saj, Baba Dede Reshat Bardhi. Me rastin e kësaj feste,znj.Topalli ftoi të gjithë që të jenë të bashkuar me njëri-tjetrin, me më shumë dashuri, por dhe me më shumë optimizëm për jetën dhe për ditë më të mira. Pas tyre një grup deputetësh socialistë i përcollën urimet e tyre të gjithë besimtareve bektashinj me rastin e festës së Sulltan Nevruzit gjatë vizitës, që ata bënë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Gjate deklaratës për mediat deputetja e PS-së Arta Dade tha se “zemrat e shqiptareve janë të copëtuara nga ajo që ka ndodhur fundjaven e kaluar dhe unë unë uroj që dhe kjo ditë të shërbejë sadopak për të qetësuar dramën e madhe, tragjedinë e madhe, që pësuan jo vetëm ata që u prekën direkt nga kjo tragjedi, por të gjithë shqiptaret. Uroj dhe sigurisht bashkohemi me angazhimin që të gjithë ata qe u prekën nga tragjedia t’i rikthehen sa më shpejt jetes normale, t’i rikthehen sa me shpejt vatrave te tyre familjare dhe shtepive te tyre”.