E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në shëndetësi, Vasili: Prioritet mjekësia e familjes

TIRANë- “Sektori shëndetësor po kalon një reformim tashmë të plotë, ku mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari mbetet prioritet e Qeverisë", kështu deklaroi sot Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në konferencën "Sfidat e ekonomisë sociale të tregut në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri".

Kreu i Shëndetësisë tha se "asnjë objektiv nuk mund të arrihet e të sigurohet, përfshi dhe ekonominë, pa një shëndet të plotë për popullatën që kërkon jo vetëm përmirësim, por dhe reformimin rrënjësor të sistemit shëndetësor".

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka identifikuar si prioritet të sajin aksesin për shërbime shëndetësore të barabartë për të gjithë, të sigurtë dhe cilësor.
"Mbi të gjitha mbetet prioritet krijimi i një strukture efektive të sistemit shëndetësor, duke shkuar kështu drejt një sistemi jo vetëm kosto-efektiv, por në të njëjtën kohë, më të përgjegjshëm ndaj nevojave të popullatës", nënvizoi Vasili.

Duke u ndalur në ndryshimet kryesore që kërkohen si pjesë e reformës në sektorin e shëndetësisë, ai përmendi zbatimin në një shkallë më të gjerë të mjekësisë së familjes/kujdesit shëndetësor parësor, shoqëruar me elementë të rëndësishëm strukturorë, si dhe transformimin e ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar.

Përgatitja e një strategjie rikonfigurimi për shërbimin spitalor për të riorientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor, rritjen e efiçencës së spitaleve, institucionalizimin e sistemeve të llogarive kombëtare shëndetësore, mbeten ndryshime kryesore, pjesë e reformës në shëndetësi.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›