Reforma në shëndetësi me kosto të lartë humane
Adem Harxhi
Diçka po ndodh në shërbimin tonë shëndetësor. Ka disa kohë që përgatitet një reformë. Kjo ndodh tamam para syve tanë. Gjithandej flitet për kostot e larta të shërbimit shëndetësor dhe askush nuk flet për çmimin më të lartë e të fshehtë të kësaj reforme që është gërryerja e zëmrës së gjithë sistemit shëndetësor. Reforma do të prishë marrëdhëniet doktor-pacient. Por edhe pse rreziku i këtij erozioni dihet, përpjekjet në drejtimin e gabuar vazhdojnë të bëhen. Kjo reformë, që mundohen ta paraqesin si një sukses, e zhvesh doktorin nga vendimmarrja. Ai lihet pa fuqi për të bërë gjërat e duhura për shëndetin e njerëzve.
Kjo do të thotë se kjo reformë rrit frustrimin e doktorëve dhe rrit rrezikun e pacientëve. Në ditët tona, kompanitë e inshurancave ndërhyjnë ashpërsisht në marrëdhëniet doktor-pacient. Sa më shumë rritet dominimi i inshurancave, aq më shumë vendimmarrjet mjekësore largohen nga duart e doktorëve dhe pacientëve të tyre. Vendimmarrja mjekësore kalon në duar të burokratëve të pafytyrë e të pamëshirshëm. Rezultat i paevitueshëm i kësaj është transformimi i mjekëve në shitës të depersonalizuar të shërbimit shëndetësor, që do të thotë vdekje e përkushtimit mjekësor.
Gjenerata ime e mësoi mjekësinë sipas parimit kap sa të kapësh. Mjekët e rinj shikonin mjekët e moshuar, ashtu si çirakët observonin mjeshtrin në kohën e esnafëve mesjetarë. Të rinjtë duhet të asimilonin mënyrën e të vjetërve në arritjen e diagnozës dhe në mjekimin e të sëmurëve. Shumë rrallë ndodhte, që ndonjë nga drejtuesit e praktikave, të shpjegonte hapat mendore që e çuan në këtë përfundim klinik. Pak vite më parë, kudo në botë, pati një reaksion të fortë kundër kësaj metode kap sa të kapësh. U bënë përpjekje për të vendosur një strukturë më të organizuar. Studentët e mjekësisë dhe mjekët e rinj u mësuan të parapërgatitin algoritmet dhe udhëheqësit praktikë kërkonin të merrej vendimi duke formuar ato që quheshin Pema e vendimmarrjes .
Kujtoni Dr. Haus tek filmi me të njëjtin emër. Kjo metodë përdoret, akoma, sot, nga disa stafe të vjetra në Amerikë dhe në Evropë. Algoritmet klinike mund të jenë të vlefshme vetëm për diagnozat dhe mjekimet e rasteve të thjeshta, që rëndom quhen run-of-the-mill. Këto vlejnë për të dalluar streptokokun e fytit nga faringiti viral. Por ato nuk vlejnë kur doktorit i duhet të mendojë më thellë, kur simptomat janë të zbehta, multiple dhe konfuzionuese, ose kur rezultatet e testeve nuk janë ekzakte. Janë pikërisht këto raste, ku më shumë se kurrë na duhet një doktor me gjykim të drejtë. Algoritmi e largon mjekun nga mendimi i tij i pavarur, madje, e detyron atë që të mos veprojë sipas mendimit të tij. E shndërron mjekun në një zanatçi esnafesh.