E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, 4 vjet pa Kushtetutë!!

Share

Nga Brizida Gjikondi

Në 21 Prill 2008, filloi dhe de jure rrokopuja e Shtetit të së Drejtës në Shqipëri, Kushtetuta e hartuar me aq mund, ekspertizë dhe asistencë ligjore qoftë dhe ndërkombëtare u dogj me benzinën e etjes për pushtet diktatorial të mendjeshkurtërve që ende na udhëheqin.

Prej një sërë ndryshimesh ato më me efekt vdekje-prurës për Kushtetutën ishin : 1. Sanksionimin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës me 70 plus 1 për qind të votave në raundin e katërt dhe të pestë. 2. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga mazhoritaro-proporcional në proporcional-rajonal me lista të mbyllura.

Me pak fjalë u zhburrërua Presidenti i Republikës së Shqipërisë duke e kthyer në qenie zvarranike me kapistall, kapistall të cilin do e tërhiqte mamuthi me i fortë i radhës.

Ky deformim thelbësor për ta zgjedhur Presidentin e Republikës jo më me Votim të Cilësuar pra me shumicën bindëse të Deputetëve si përfaqësues në masivitet të shqiptarëve, por me një shumicë të thjeshtë të tyre, ish një thikë e pabesë në dinjitetin dhe autoritetin jo vetëm të Presidentit si figurë superiore Institucionale në Shqipëri por edhe ne themelet e vetë Shtetit shqiptar.

Ata (Berisha-Rama) prishën ekuilibrat e Kushtetutës, aktit themeltar të shtetit duke deformuar me dashje dhe qëllime ogurzeza në mënyrë të pakorrigjueshme zgjedhjen dhe ekzistencën e Institucioneve Kushtetues duke krijuar kështu dhe paradokse si ligjore dhe Institucionale, Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me votim të cilësuar. Avokati i Popullit zgjidhet me votim të cilësuar ndërkohë që Presidenti ka ulur kokën dhe jo vetëm përballë një votimi të thjeshtë Ushtarësh Partie. Nuk do mend e kalem të kuptosh arsyen pse këta dy lider tejet ambicioz kërkuan dhe arritën me kartona të tufëzuar të zhburrërojnë vlerat dhe reputacionin e një Institucioni sa jetik aq dhe mbi palët si Presidenti. Ata me anë të Presidentit kapin edhe detyrat që ushtron ai dhe emërimet kushtetuese, sidomos njërën, emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe mos harrojmë falë mungesës së një Prokurori të Përgjithshëm kurajoz mafia politike-ekonomike ka bërë kërdinë ndër shqiptarë dhe vlerat e tyre, duke kapur Presidentin ata kapin Prokurorin e Përgjithshëm, duke kapur Prokurorin ata kapin çelësat e burgut që do i tundin armikut me skërmitje dhe çelësat e lirisë personale. Dhe se kanë gabim ka vite që ky ritual përsëritet. Ose Prokurori i Përgjithshëm është një mirënjohës i bindur i politikës ose është një inekzistent i trembur. Edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese po ky President i sakatosur i emëron sipas Kushtetutës, por do ish e kotë të vazhdoja çdo shqiptar madhor i këtij prilli 2012 njeh krizën amorale që ka përfshirë jo vetëm Gjykatën Kushtetuese me anëtarët e saj të skaduar por vendimmarrës, por edhe shumë institucione dhe titullarë që edhe pse janë kompetencë ekskluzive e Presidentit kullufiten në heshtje nga Ministra tejet servilë pushtetesh ndaj pa moral profesional. Ndërkohë që shkruaj e shkruaj mërzia nuk pakësohet përkundrazi, skuptoj për çfarë e do Berisha dhe Rama që çdo pushtet edhe atë që nuk ju takon ta kenë në duart e tyre, kush i udhëheq në miopinë e tyre, kaq pak i duan shqiptarët. Ndryshimet e tyre makabre të 21 prillit jo vetëm vunë nën hyqëm politik Presidentin e Republikës por i dhanë edhe hallkën e fundit gardhit të skllavërisë ndal lirisë dhe demokracisë shqiptare, ata binomi (Berisha Rama) përcaktuan në Kushtetutë aplikimin e listave të mbyllura për zgjedhjet parlamentare, domethënë jo vetëm Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm por edhe deputetët që skllavërisht do votojnë për prokurorin filan dhe gjyqtarin fistek. A ka më diktaturë të kamufluar se kaq ?! Ku lisat i harton dhe i kopsit i pari i Partisë dhe i voton në mënyrë profane dhe plot mirëbesim shqiptari i thjeshtë, pa e ditur se vota që ai hedh plot shpresë ndryshimi në kuti është si veza Kinder Surpreza, votë e cila do konvertohet jo në një Deputet dinjitoz dhe kurajoz siç mund tia ofronte lista e hapur por në një qenie pa palcë kurrizore dhe integritet personal, ne një qenie puthadorësh i titullarit të Partisë pasi ndaj e kanë zgjedhur dhe kamufluar qoftë dhe ligjërisht. Një maraz i madh të kap kur dëgjon rrenat dhe broçkullat e tyre, ndërkohë që njëri mburr shëndetësinë shqiptare si avangarde europiane dhe tjetri na sqaron virtualisht nga ajri se: jo shëndetësia është e kohës së qametit dhe se veç ky do e rregulloj këtë qamet, ti kupton se sa larg janë të dy këta makutër të vlerave tona nga realiteti dhe perceptimi ynë dhe rrejnë e rrejnë fiks si gjeli i Migjenit, ndërkohë na kanë ngritur pusinë dhe po na bëjnë kërdinë.

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita

- Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?

Kur ti këndon thonë se asht afër drita…

Por un s’besoj me sonte në fjalët e ksaj bote..

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›