E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma parlamentare, PS depoziton platformën, ja pikat kryesore

Bushati: “Faza e parë që do të prezantohet ditën e hënë ka të bëjë esencialisht me ndryshimin e rregullores. Pra, me sjelljen e një konsensusi minimal, me sjelljen e rregullores aty ku ka qenë në vitin 2009, për të evituar të gjitha ato ndryshime të njëanshme, që kanë asfiksuar rolin e opozitës në Kuvend”

TIRANË Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të depozitojë ditën e hënë në Kuvend reformën e parë parlamentare e cila është konceptuar të përfshijë dy faza kryesore: a) depozitimi i një projekt-rregulloreje të re për Kuvendin; b) ngritja e grupit të punës për të adresuar të gjitha vërejtjet, që janë evidentuar në raportet e Brukselit lidhur me funksionimin e Kuvendit. Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka deklaruar dje në mesditë, përmes një konference për shtyp, se Partia Socialiste po e ndërmerr këtë hap si domosdoshmëri e kërkuar nga deklarata e përbashkët e Baroneshës Katerinë Ashton dhe e Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle pas takimit të tretë të Këshillit të Stabilizimit Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së ku një element thelbësor zë thirrja për një reformë urgjente parlamentare me qëllim rikthimin e funksionimit normal të këtij institucioni. Bushati sqaroi gjithashtu se, prioritet i parë i identifikuar në opinionin e Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, është nevoja për garantimin e funksionimit të duhur të parlamentit mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike. “E çmoj të nevojshme të rikujtoj edhe njëherë tjetër që raporti analitik i Komisionit Europian ka evidentuar një sërë mangësish për mënyrën sesi funksionon Kuvendi i Shqipërisë dhe kjo është arsyeja pse është shoqëruar edhe me prioritetin për një reformë të qëndrueshme dhe tërësore parlamentare. Problematikat e mënyrës sesi funksionon parlamenti sipas Komisionit Europian kanë të bëjnë me mosfunksionimin e parlamentit mbi konsensus, me keqpërdorimin e postit të Kryetares së Kuvendit, me cilësinë e dobët të legjislacionit, një trysni kohore me të cilën përballen komisionet parlamentare me vendime afatshkurta dhe jo konsesuale të konferencës së kryetarëve”,- tha Bushati, duke argumentuar për pasojë se, PS-ja ka gati platformën të bazuar në dy faza. “Faza e parë që do të prezantohet ditën e hënë ka të bëjë esencialisht me ndryshimin e rregullores. Pra, me sjelljen e një konsensusi minimal, me sjelljen e rregullores aty ku ka qenë në vitin 2009, për të evituar të gjitha ato ndryshime të njëanshme që kanë asfiksuar rolin e opozitës në Kuvend dhe që e bëjnë menaxhimin e jetës parlamentare larg së qeni të standardeve të BE-së. Duke rishikuar pjesën e ndryshimeve të njëanshme përmes propozimit tonë ne synojmë që në parlament të rikthehet vota e fshehtë, të garantohen të drejtat themelore të opozitës, të garantohet delegimi i atributeve të Kuvendit në instanca të tjera dhe të sigurohet transparenca e buxhetimit të veprimtarisë parlamentare”,- tha Bushati. Por ky është vetëm hapi i parë, sipas deputetit socialist. Faza e dytë lidhet me adresimin e të gjitha mangësive të evidentuara nga raporti analitik i BE-së sëbashku me përfaqësuesit e maxhorancës përmes një komisioni ose grupi pune të përbashkët, mundësisht me asistencën e OSBE-së.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›