Vendimi, Kushtetuesja rrëzon dispozitën për kombësinë
Gjykata Kushtetuese rrëzoi si të papajtueshëm me Kushtetutën dispozitën, që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë. Aleanca Kuq e Zi e cilëson vendim historik, ndërsa PDIU-ja kërkon që qeveria të heqë nga pyetësori për regjistrimin e popullsisë pyetjet mbi etninë dhe fenë.
TIRANË Me gjashtë vota pro dhe dy kundër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si të papajtueshëm me Kushtetutën, dispozitën, që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë në ligjin e gjendjes civile, nëse nuk bëhet mbi baza e prova. Duke e cilësuar dispozitën si anti-ligjore, Kushtetuesja duket se, ka kërkuar për pasojë shpalljen si të papajtueshëm të gjitha neneve të ankimuara, që lidheshin me termin “kombësi”. Padia në Kushtetuese u bë nga gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit "kombësia" të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8 të ligjit “Për gjendjen civile”, të termit “kombësinë, në përputhje me kombësinë e prindërve”, si dhe nenit 58 të po këtij ligji që flet për procedurën e marrjes së kombësisë. Sipas padisë së bërë, tre gjykatat argumentonin se kjo pjesë e ligjit cënon rëndë parimet kushtetuese. Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende, (që mund të zgjasë me muaj) për të sqaruar qartë nëse janë marrë parasysh të gjitha nenet e kontestuara që lidhen me kombësinë, Aleanca “Kuq e Zi” e ka cilësuar vendimin historik. "Në një vendim historik Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozitat, të cilat lejojnë ndryshimin dhe falsifikimin e kombësisë. Besoj se është një sfidë tjetër e fituar e Aleancës Kuqezi dhe unë sot pyes a ka njeri ende në Shqipëri që nuk e kuptuar se ndryshimi i kombësisë është antikushtetues, a ka ende njeri sot në Shqipëri që nuk e ka kuptuar se procesi i regjistrimit mbi baza etnike është një proces në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e këtij vendi. A ka ende njeri në Shqipëri që nuk e kupton se ky Kuvend në të paktën dekadën e fundit ka votuar ligje të cilat jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën, por janë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Kombësinë nuk mund ta ndryshosh, ta tjetërsosh apo ta shesësh. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndau integritetin nga servilizmi, ndau njëherë e mirë kuqezinjtë nga faqezinjtë",- tha Endrit Shabani, përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi. Sipas përfaqësuesve të Aleancës Kuq e Zi qeveria tashmë duhet të tërhiqet nga regjistrimi etnik, duke qenë se Gjykata Kushtetuese delegjitimoi ndryshimet e kombësisë. Edhe PDIU-ja në anën tjetër ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “PDIU pret zbardhjen e argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse në të është përfshirë edhe përcaktimi i anti kushtetueshmërisë të censusit të popullsisë, sikurse PDIU-ja kishte kërkuar publikisht nga gjykata. Gjithsesi, fakti që ndryshimi i kombësisë sipas vendimit të gjykatës është antikushtetues nëse nuk bëhet mbi baza e prova, kjo vërteton se censusi me pyetje mbi baza etnike dhe fetare nuk duhet të zhvillohet”,- thuhet në njoftimin për shtyp të PDIU-së. Për pasojë, PDIU-ja i bën thirrje qeverisë shqiptare, të heqë nga pyetësori pyetjet mbi etninë dhe fenë.