Letra e Patozit, Bylykbashi dhe Gumi negociatotët e PD-së
Patozi i shkruan Ruçit: “Do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar komisionin parlamentar të reformës zgjedhore në të gjitha etapat e tij”
TIRANË Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi do të jenë dy negociatorët e mandatuar nga Partia Demokratike për të diskutuar me opozitën rreth modaliteteve, për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, ka informuar dje përmes një letre dërguar homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, se një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, është koha e përshtatshme për të filluar diskutimet për reformën e ardhshme zgjedhore.
“Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”, - thuhet në letrën, që Patozi i ka dërguar Rucit. Pak ditë më parë, përmes mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi para deputetëve socialistë se, do të mandatonte deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi si përfaqësuesit e PS-së të cilët do të punonin jo vetëm për të thithur propozimet dhe mendimet e deputetëve, apo aleatët opozitarë, por edhe në negociatat me mazhorancën për modalitetet e kësaj reforme. Pas hedhjes së hapit të parë, pra të përcaktimit të negociatorëve nga dy partitë kryesore në vend, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Patozi, kërkon që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët edhe OSBE/ODIHR-it si dhe Komisionit të Venecias, që të asistojnë në të gjithë proçesin e reformës. “Do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje”, - thuhet në letrën e Patozit. Në mbledhjen e fundit të konferencës së kryetarëve, u vendos që në programin e punës të përfshihej edhe një pikë e veçantë, që ka të bëjë me reformën zgjedhore. Në këtë program është parashikuar, që brenda mesit të tetorit duhet të ngrihet komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Siç edhe sqarohet në një pikë të veçantë të këtij programi, shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare do të bëhet menjëherë sapo të përcaktohen detyrat, numri, dhe përbërja e komisionit. Nisur nga eksperiencat e kaluara, një komision i tillë duhet të drejtohet në mënyrë bipartizane nga një përfaqësues i mazhorancës dhe i opozitës, ndërsa raportet e përfaqësimit në të duhet të pasqyrojnë përbërjen e forcave politike në Kuvend.
N.P