Reforma pensioneve, Manjani: Kompensim dhe bonus për pensionet e ulta

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha se, “institucionet e linjës kanë ndërmarrë një proces të reformimit të skemës së sigurimeve shoqërore dhe po diskutojnë me ekipin e Bankës Botërore, dy platforma reformash sistemike dhe një parametrike”.
E pranishme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në interes të pyetjes drejtuar nga deputet të mazhorancës, Manjani shpjegoi se, “ajo që po diskutohet është fakti nëse do të ndryshojmë mënyrën sesi funksionon skema e sigurime shoqërore, nëse do te ketë nevojë për konsolidim, apo e dyta që ka të bëj me variabliat sesi llogaritet pensioni, ku futen të gjitha ndryshimet demografike, siç është plakja e popullsisë, apo do të ketë ndonjë ndryshim të moshës së daljes në pension apo një përshpejtim të rritjes së moshës së daljes në pension”.
Sipas saj, me reformën e vitit 2015 është marrë vendimi për barazimin e moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, e cila do të jetë 67 vjeç. Rritja e moshës së daljes në pension për gratë ka filluar dhe vijon aktualisht, ndërsa rritja e moshës për burrat do të nisë në vitin 2032, duke u barazuar plotësisht në vitin 2056 në moshën 67 vjeç. Gjithashtu, mund të bëhet një rishikim i variablave dhe parametrave në llogaritjen e pensioneve.
Manjani tha se, ndërkohë së fundi është bërë një mënyrë sesi të lidhet pensioni me masën kontributive.
“Këtu përshembull pas vitit 2015 janë mënjanuar tavanet administrative që përcaktojnë një maksimum të masë së pensionit, që në atë kohë ka qenë 24 mijë lekë dhe ndërkohë është hequr dhe është bërë lidhje e drejtpërdrejtë e masës së kontributit me masën e pensionit”, u shpreh ajo.
Manjani theksoi se, “ky është një nga parimet më të rëndësishme të skemë së sigurimeve shoqërore dhe do të vijoj të jetë i tillë, ku të gjithë qytetarët do të marrin atë që kanë kontribuar kundrejt skemës”.
Gjithashtu vijoi ajo, në reformën e pensioneve kemi parasysh parimet e qëndrueshmërisë financiare të skemës; universalitetit ( që ofron mbrojtje shoqërore për të gjithë qytetarët pavarësisht nëse kanë mbushur vitet minimale të përfitimit të pensionit minimal që lidhet me 15 vite kontribute, apo pension social që përfitojnë të gjithë qytetarët kur mbushin 70 vjeç); parim i rëndësishëm është edhe pensioni suplementar dhe në reformën që po ndërmarrin të gjithë këto elementë do të merren parasysh paralelisht me parimin e mjaftueshmërisë
“Parimi kryesor në skemën e sigurimeve është ai kontributiv. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë të tillë. Por të gjitha pensionet që konsiderohen të ulëta dhe nuk sigurojnë një minimum jetik, do të kompensohen me forma të tjera alternative, siç është bonusi financiar që nuk do të jepet vetëm në fund të vitit, por dhe në periudha të tjera të vitit mbi bazën e të ardhurave të ekonominë dhe të ardhurave nga kontributet”, u shpreh Manjani.
/a.f/