Reforma që rrënoi arkeologjinë shqiptare
l.kamniku@yahoo.com
Pas reformës që u krye në Akademinë e Shkencave, e cila solli si pasojë krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), në të cilën u inkuadrua edhe Instituti i Arkeologjisë, arkeologjia shqiptare pësoi një katastrofë të vërtetë. Veç shkurtimit të gati 75% të punonjësve të saj, si arkeologë, punonjës ndihmës/shkencorë, teknikë, bibliografë, laborantë, skicografë, topografë, fotografë etj., ky institucion pati edhe pasoja të tjera të rënda, si mbylljen e laboratorit të restaurimit, laboratorit fotografik, arkivit shkencor, kabinetit të skicografëve, bibliotekës shkencore etj., sektorë tepër të rëndësishëm në arkeologji, pa të cilat nuk mund të bëhet një punë e mirëfilltë shkencore.
Për të kuptuar më mirë shkatërrimin dhe rrënimin që i është bërë arkeologjisë, na duhet të rikthehemi në vite, të cilat, për hir të vërtetës, ishin vitet më të lavdishme të arkeologjisë shqiptare.
Historiku i kërkimeve arkeologjike shqiptare zë fill pas Luftës së Dytë Botërore, dhe pikërisht në vitin 1948, me ngritjen në Tiranë të Muzeut Arkeologjik-Etnografik dhe krijimin e Sektorit shkencor të Arkeologjisë. Brenda një periudhe të shkurtër Sektori i Arkeologjisë, që ishte i atashuar pranë Institutit të Shkencave, u plotësua me specialistë të arkeologjisë, që ishin shkolluar jashtë Shqipërisë. Gërmimet e para filluan në tumat e Matit, në të cilat u zbuluan objektet e para të kulturës ilire. Zbulimet më të bujshme ishin ato që u bënë në Maliq, të cilat edhe sot konsiderohen si zbulimet më të rëndësishme të periudhës prehistorike. Në të njëjtën kohë u zhvilluan gërmimet në qytetet antike të bregdetit shqiptar, si në Durrës, Apoloni, Butrint, Lisus, Orikum etj. Zbulimet më të rëndësishme qenë ato të qyteteve ilire, si Amantia, Olimpia, Dimali, Antigonea, Bylisi etj. Këto gërmime sollën rezultate të jashtëzakonshme. Pionierë të këtyre zbulimeve ishin 4-shja e shquar: Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islami dhe Frano Prendi, të cilët udhëhoqën dhe drejtuan arkeologjinë shqiptare për mbi 40 vjet. Rezultatet e jashtëzakonshme që arriti arkeologjia shqiptare, botimet që i pasuan këto rezultate, bëri që jehona e këtyre zbulimeve ti kapërcente kufijtë e Shqipërisë së izoluar komuniste. Studimet e arkeologëve shqiptarë u botuan në revistat më autoritare në Europë e gjetkë dhe janë vlerësuar nga personalitetet më të mëdha të arkeologjisë botërore. Këto rezultate krijuan edhe një imazh të mrekullueshëm të arkeologjisë shqiptare, aq sa një arkeolog i huaj (Garashinin) pati thënë se Arkeologjia shqiptare hyri nga dera e madhe në arkeologjinë botërore. Duhet theksuar se, kur arkeologët e parë firmosën lindjen dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare, identiteti i Shqipërisë thuajse nuk njihej, ndërsa gjeneza shqiptare ishte pothuajse e mjegullt.
Me kalimin e viteve, me zgjerimin e hartës së gërmimeve, sektori i arkeologjisë u shtua me arkeologë të rinj, si Aleksandra Mano, Dhimosten Budina, Hëna Spahiu, Zhaneta Andrea, Muzafer Korkuti, Beb Jubani, Neritan Ceka, Faik Drini etj., të cilët i dhanë një shtytje më të madhe zbulimeve dhe studimeve arkeologjike shqiptare.
Tashmë arkeologjia shqiptare kishte krijuar reputacionin e saj dhe përballej me sukses në arenën ndërkombëtare. Ajo ishte vendosur në ballë të shkencave albanologjike. Në vitin 1972 u zhvillua në Tiranë Kuvendi I i Studimeve Ilire dhe 13 vjet më vonë, në vitin 1985, u zhvillua Kuvendi II i studimeve ilire. U botua revista shkencore Iliria, që dilte dy herë në vit, në të cilën u shpalosën rezultatet shkencore të zbulimeve arkeologjike.
Është fakt se regjimi komunist, për shkak edhe të propagandës ideologjike, i përkrahu zbulimet arkeologjike. Shteti i atëhershëm i pati stimuluar, si gërmimet, por edhe botimet dhe nuk i pati kursyer fondet për arkeologjinë. Në fillim të viteve 80 pati një zgjerim të madh të gërmimeve arkeologjike, të cilat u shtrinë gati në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kjo solli edhe një fluks të madh të punonjësve të rinj arkeologë. Në fund të viteve 80 numëroheshin rreth 120 punonjës shkencorë, ndihmës shkencorë dhe specialistë të tjerë. U krijuan qendra të reja arkeologjike në rrethe, të cilat u quajtën Bërthama Arkeologjike, që u shtrinë në disa qytete të vendit, si në Shkodër, Kukës, Peshkopi, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Sarandë. Pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike organizoheshin mbi 30 ekspedita arkeologjike në vit.
Gjatë këtyre viteve u ngritën edhe muzetë e profilit arkeologjik. Veç pavionit arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar (1981), u hapën 5 muze arkeologjikë, si në Tiranë, Durrës, Korçë, Apolloni dhe Butrint, të cilët ruajnë objekte me vlera unike. Ato, së bashku me qendrat arkeologjike të vizitueshme, si Lisusi, Durrësi, Apollonia, Bylisi, Antigonea, Butrinti etj. vizitoheshin nga mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë dhe të huaj.
Ndonëse arkeologjia shqiptare ishte në majat dhe në pararojë të shkencave albanologjike, arkeologjia si institucion dhe arkeologët shiheshin si punonjës të dorës së dytë, në krahasim me kolegët e tyre të historisë, gjuhësisë, folklorit etj. Që me krijim e Institutit të Shkencave, ishin krijuar edhe institutet e historisë, gjuhësisë, folklorit etj., kurse arkeologjia i ishte atashuar si sektor (sektori i arkeologjisë dhe etnografisë) Institutit të Historisë. Edhe pas krijimit të Akademisë së Shkencave në vitin 1972, arkeologjia mbeti përsëri e mënjanuar dhe aneks i Institutit të Historisë. Vetëm në vitin 1976 arkeologjia u organizua si institucion më vete, por vetëm si qendër (Qendra e Kërkimeve Arkeologjike). Do të ishte viti 1991 kur, me iniciativën e prof. Neritan Cekës, atëkohë politikan i lartë dhe deputet, u krijua Instituti i Arkeologjisë. Përse ishte krijuar ky handikap për arkeologjinë shqiptare, e cila vijon të jetë e tillë edhe sot e kësaj dite?! Në vijim do të përpiqemi ti përgjigjemi kësaj pyetje, gjithnjë sipas pikëpamjes sonë. Arsyeja kryesore, sipas nesh, është se arkeologjia si shkencë historike, merret me vetëm me historinë e lashtë të Shqipërisë dhe nuk merrej me bëmat e trimëritë e politikanëve dhe familjarëve të tyre. Është për këtë arsye që, për mbi 60 vjet, nuk u pranua asnjë arkeolog shqiptar si anëtar i Akademisë së Shkenca, kur gati gjysma e saj ishte dhe është e mbushur me historianë.
Periudha e pas viteve 90 përbën një etapë të re për arkeologjinë shqiptare, atë të hapjes, ballafaqimit dhe bashkëpunimit me arkeologjinë e huaj. Arkeologët shqiptarë dëshmuan se ishin në një nivel profesional me kolegët e tyre perëndimorë. Por vitet 90 sollën edhe rrjedhjen kuadrit specialist jashtë vendit, të cilët u larguan për një jetë më të mire. Pjesa më e madhe e arkeologëve të rinj, që ishin për specializim jashtë, nuk u kthyen më. Megjithatë, falë pasionit dhe punës vetëmohuesve të pjesës së mbetur të arkeologëve, arkeologjia shqiptare i mbijetoi sfidave dhe vështirësive të mëdha të periudhës së rëndë dhe të gjatë të tranzicionit. Shkurtimet e njëpasnjëshme që ndërmorën qeveritë shqiptare gjatë këtyre viteve sollën edhe një rrudhje të stafit që merreshin me arkeologji, por u arrit që të ruhej struktura e institucionit, gjë që i siguroi edhe një mbarëvajtje normale të punës kërkimore e shkencore.
Katastrofa më e madhe ndodhi në arkeologjinë shqiptare pas reformës së tre viteve të fundit. Institutet e studimeve albanologjike u shkrinë në një institucion të vetëm, që u quajt Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA). Për të drejtuar këtë institucion u vendosën në krye të studimeve albanologjike njerëz pa asnjë reputacion në shkencat albanologjike, siç ishte, p. sh., z. Adrian Marashi, që u emërua drejtor i QSA-së. Z. Marashi kishte mbaruar s
