E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problematikat e mbërritjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në BE

31-03-2011 / Nga Ilirian Dahri

Tashmë që prej  1 janarit të vitit 2007 Rumania dhe Bullgaria janë anëtare me  të drejta thuajse të plota në Bashkimin Europian. Anëtarësimi i dy vendeve ballkanike kompletoi jo vetëm zgjerimin e pestë në Bashkimin Europian por bëri të mundur prurjen e 30 milionë personave në BE në një kohë kur duket se proçesi i zgjerimit ka arritur në një situatë pati (flitet se vetëm Kroacia ka mundësi së shpejti për tu integruar në BE). Pra Rumania dhe Bullgaria mund të konsiderohen për një kohë të gjatë si kufiri lindor i Bashkimit Europian. Kjo nuk vlen  vetëm si një faktor gjeografik.
Këto vende mund të nbeten për një kohë të gjatë me një status  special përsa i përket kostos së ulët të prodhimit dhe nga ky aspekt mund të kenë avantazhe shumë të rëndësishme.
Vendet e kësaj pjese të Europës paraqesin krahun prodhues të Europës së vjetër. Dhe kjo është një veçanti po të shohim edhe spostimin drejt lindjes të disa aspekteve prodhuese sidomos me investimet që vijnë nga jashtë. Bullgaria dhe Romania janë pjesë e këtij procesi. Dy vendet e kishin kuptuar me kohë këtë aspekt duke marrë masa të shumta privatizimi për të tërhequr investimet nga jashtë.
Nisur nga kjo mund të thuhet se Rumania dhe Bullgaria ishin dhe vazhdojnë të jenë ndër ekonomitë më dinamike të Europës juglindore dhe pjesa e manifakturës është ajo që ka tërhequr më së shumti investime nga jashtë sidomos duke filluar pas viteve 1990. U intensifikuan raportet e furnizimeve, prodhimi për të tretët dhe tregtia në nivel lokal. Disa prej ndërrmarrjeve të mëdha perëndimore  vendosën të hedhin themelet e bazës së tyre prodhuese në dy vendet ballkanike duke u gërshetuar më së miri edhe me firmat e vogla dhe të mesme që thithin kapitalet që u vijnë nga jashtë. Shumë prej firmave të famshme për veshjet si Motivi, Elena Miro, Caractere të Piemontes së Italisë që prej viteve 1990 janë instaluar në Bullgari ndërsa Renault  zgjodhi Rumaninë për të prodhuar nëpërmjet blerjes së Dacia –s, makinën Logan e cilësuar si makina prej 5.000 eurosh e destinuar për tregun Europian por edhe për atë lokal.
Edhe pse konkurrenca me vendet aziatike, përsa i përket kostos së krahut të punës, ka filluar të jetë e fortë këto dy shtete janë në gjendje të jenë të suksesshme edhe për faktin se janë efikase brenda tregut Europian. Gjithsesi investimet nga jashtë për këto dy vende prekin më së shumti fushën e tekstileve dhe atë të lëkurës sepse pasqyrojnë edhe specializimin e tyre në këtë fushë. Por firmat e huaja tani kanë filluar të mësyjnë edhe tregun lokal të dy vendeve. Edhe pse Rumania dhe Bullgaria janë kthyer në baza të rëndësishme prodhuese, ngritja e rrogës mesatare ka tërhequr shumë firma të ndryshme që të shikojnë me një interes të veçantë tregun lokal sidomos atë të manifakturës.
Proceset e privatizimit, që kanë ndodhur sidomos në sektorin financiar dhe atë të telekomunikacionit, kanë luajtur një rol vendimtar. Rumania është tregu  dytë për nga rëndësia i Europës juglindore, pas Polonisë.
Deri në vitin 2007 këto dy vende arrinin në rroga mesatare vjetore rreth 5 000 euro që pastaj erdhën në rritje. Kjo ka bërë që kërkesa e brendshme të jetë në rritje dhe paraqet pra diçka të rëndësishme edhe për firmat e huaja të sektorit imobiliar dhe financiar duke stimuluar edhe investimet në ndërtim. Sfidat e ardhshme janë ato të rrjetit të komunikimit dhe ato të sektorit energjetik. Shumë prej sipërmarrësve të Europës perëndimore shikojnë në këto dy vende, vendet ideale për të riprodhuar eksperiencën e fituar në vendet perëndimore. Ka shumë prej këtyre firmave që nuk kanë pasur sukses në vendet e origjinës, ku tregu është i ngopur, dhe kërkojnë të afirmohen në vendet ballkanike ku kjo lloj eksperience shihet si diçka e re.
Dy vendet kanë filluar të transformojnë strukturën e tyre prodhuese përgjatë këtyre 10 viteve të fundit duke lënë mënjanë prodhimin tradicional dhe duke filluar të përshtaten me ato perëndimore.
A do të kërkojnë të ecin përpara këto dy vende apo do të kërkojnë të ngelin vende me kosto të ulët të krahut të punës? Konkurrenca për këtë të fundit tashmë është e fortë po të përmendim këtu se në tregtinë ndërkombëtare vendet aziatike, ato të Afrikës së Jugut por edhe disa vende Europiane, siç është rasti i Moldavisë apo ai i Ukrainës. Gjithsesi besohet se dy vendet do të humbin avantazhet e tyre në këtë fushë sepse rrogat janë gjithmonë në rritje dhe kjo natyrshëm bën që të ngrihet edhe kosto e krahut të  punës krahasuar me vendet e tjera. Dy vendet, kane përshpejtuar shumë kohën për të ngritur firma të vogla dhe të mesme, sipas Bankës Botërore e cila konsideron  Rumaninë si vendin e dytë më të mirë në 175 vende të ekzaminuar, për faktin se ka përmirësuar dhe përshpejtuar procedurat, aksesin në kredi dhe mbrojtjen e investitorëve të huaj.
Ndoshta sfida e dy vendeve duhet të jetë ajo e forcimit në garën globale pa kërkuar të qëndrojnë në pozicionin e lidershipit në fushën e kostove të ulëta në nivel europian. Drejtimi ndoshta duhet të jetë hapja e ekonomive të dy vendeve me jashtë që është diçka shumë jetike për të krijuar lidhje tregtie dhe institucionale me BE. Ndërkaq dy vendet ballkanike mund të përfitojnë nga tregu i brendshëm i cili është gjithmonë në rritje.
Mes këtyre arritjeve vlen për tu përmendur se  problemet me dy vendet ballkanike dhe Bashkimit Europian shpeshherë  janë të shumtë sidomos në disa sektorë si lufta kundër korrupsionit, menaxhimi i fondeve bujqësore, ato të standardeve të sigurisë ushqimore për eksportin e qumështit dhe të mishit dhe në veçanti me Bullgarinë përsa i përket sigurisë problemet me transportin ajror. Për të dy vendet pra, sfidat shpien në përmbushjen e këtyre reformave të nevojshme për mos t’u ndarë nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Së fundmi, hapësira Shengen parashikon kontrolle të kufirit të bashkëpunimit mes forcave të policisë, bashkëpunimit mes shteteve anëtare kundër krimit të organizuar
(organizatave mafioze, trafikut të armëve, drogës dhe emigracionit klandestin) dhe integrimit të të dhënave të policisë Shengen.
Për të bërë pjesë të kësaj hapësirë Shengen, Rumaninë dhe Bullgarinë,  Franca dhe Gjermania nuk kanë qenë dakort (të gjithë vendet e Shengenit duhet të votojnë me unanimitet) për shkak të disa problemeve “juridikë  dhe atyre të policisë” por edhe për mangësi që ka Bullgaria në sigurinë e kufijve me Turqinë në frontin e emigracionit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›