E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?

31-03-2011 / Nga Rexhep Kastrati

Ashtu siç pritej, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli antikushtetuese mënyrën e zgjedhjes së Behxhet Pacollit president të Kosovës. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese është me shumë paqartësi, ashtu siç është edhe vetë Kushtetuta e Kosovës, sepse mënyrën e zgjedhjes së Pacollit president e quan antikushtetues, por nuk sqaron se Behxhet Pacolli a është president i ligjshëm, apo nuk është. Mossqarimi i kësaj çështjeje, në të vërtetë, ka krijuar një anarki juridiko-kushtetuese, të cilën duhet ta sqarojë vetë Gjykata Kushtetuese, sepse askush tjetër nuk mund ta interpretojë juridikisht vendimin e saj. Nga sqarimet që mund t’i japë kjo Gjykatë, do të shihet më saktësisht se çfarë do të ndodhë me Behxhet Pacollin, por edhe me tërë skenën politiko-institucionale në Kosovë. Nëse Gjykata Kushtetuese do ta quajë të ligjshëm Pacollin në postin e presidentit të Kosovës, atëherë, del se është i paligjshëm qëndrimi bojkotues i partive opozitare, pra do të dalë që fajtore do të jenë ato. Por nëse Gjykata Kushtetuese do ta quajë jo të ligjshëm Pacollin në postin e presidentit, atëherë do t’i hapej rruga një krize institucionale dhe politike në Kosovë, e cila mund t’i ketë disa zgjidhje. Njëra nga ato është rikonfigurimi i skenës politike shqiptare, dhe mundësia për krijimin e formulës së koalicionit ndërmjet PDK-së, AAK, ndonjë deputeti të “Vetëvendosjes” dhe minoriteteve etnike. Me këtë rast, AKR-ja do të mund të tërhiqej nga koalicioni, sepse supozohet se posti i presidentit të vendit do t’i ofrohej Blerim Shalës nga AAK-ja, e jo Behxhet Pacollit. Natyrisht, se në këtë përllogaritje, është e pritshme që partitë aleate me AKR-në, të mos pranojnë të dalin nga koalicioni. Po ashtu, mund të ketë edhe ndonjë deputet të LDK-së që mund t’i bashkohet Listës “Rugova”. Në një situatë të tillë, është e mundur që të arrihet numri i nevojshëm i 2/3 të deputetëve për të qenë i rregullt fillimi i votimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në këtë formulë koalicioni mund të kandidohen dy kandidatë nga i njëjti koalicion qeverisës, me kusht që zgjedhja e presidentit të bëhet tek në raundin e tretë të votimeve. Mirëpo, kjo formulë koalicioni  ka disa probleme, ndër të cilat duhet theksuar situatën e brendshme në PDK, në kontekst të shtimit të zërave kundër Hashim Thaçit, e që do të mund të çanin edhe grupin kuvendor të saj, si dhe qëndrimin e AAK-së se nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në me Hashim Thaçin kryeministër. Të dy problemet, natyrisht se vështirësojnë funksionimin e kësaj formule koalicioni, por edhe mund të imponojnë një krizë më të thellë politiko-institicionale. Edhe pse kjo formulë përkrahet shumë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, megjithatë, është e vështirë të jetë e realizueshme, pikërisht për shkak të zërave kundër Hashim Thaçit brenda PDK-së, si dhe për shkak të qëndrimit të AAK-së, të ngritur në kanon politik, për të mos hyrë në bashkëqeverisje me PDK-në, me Hashim Thaçin kryeministër. Po ashtu, AAK ka pas deklaruar se nuk hyn në qeveri me PDK-në pa LDK-në. Nëse AAK do t’i mbajë edhe më tej këto qëndrime, atëherë, mundësia e një koalicioni PDK, AAK, ndonjë parti nga koalicioni i partive rreth Behxhet Pacollit, ndonjë deputet i koalicionit të “Vetëvendosjes” dhe minoritetet, mund të mos jetë i realizueshëm, edhe pse nuk mund të përjashtohet tërësisht.
Një formulë tjetër koalicioni do të ishte një koalicion me bazë të gjerë, e në të cilën do të ishin partitë kryesore politike në Kosovë, pra PDK, LDK, AAK dhe minoritetet, e pse jo edhe “Vetëvendosja”, edhe pse kjo e fundit mund ta kërkojë postin e presidentit për Adem Demaçin. Kjo formulë koalicioni, mund të duket më funksionale dhe më e përshtatshme për kontekstin në të cilin gjendet Kosova, e që ka të bëjë me negociatat me Beogradin. Kjo formulë koalicioni, në të vërtetë, do të ishte formula tradicionale e Kosovës, që ka funksionuar edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, e që është formulë që siguron stabilitet politik në Kosovë, por edhe bashkëpërgjegjësi për marrëveshjet eventuale me Beogradin, si dhe numër të mjaftueshëm votash në Kuvend për t’u votuar ato marrëveshje. Por edhe kjo formulë koalicioni i ka vështirësitë e veta, sepse do të ketë vështirësi akomodimi politiko-institucional për partitë më të vogla se PDK dhe LDK, për shkak se çështja e posteve kryesore institucionale do të diskutohej ndërmjet partive më të mëdha. Në këtë rast, LDK do të kërkonte që president i Kosovës të jetë një personalitet i propozuar nga ajo, e që sipas gjasash, mund të jetë Veton Surroi. Përveç kësaj, Isa Mustafa, ka kërkuar që një qeveri me bazë të gjerë të ketë një mandat të kufizuar kohor deri në vjeshtën e këtij viti, ose më së largu deri në pranverën e ardhme, e pastaj të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Në anën tjetër, po ashtu, është një vështirësi tjetër, që ka të bëjë me negociatat me Beogradin, pasi që LDK-ja dhe AAK-ja e kanë quajtur jo të domosdoshëm angazhimin e Kosovës në këto negociata, biles e kanë quajtur edhe të dëmshëm, kurse “Vetëvendosja” është tërësisht kundër negociatave të tilla. Pra, edhe kjo formulë koalicioni është pak vështirë e realizueshme, por është më afërmendsh sesa formula e parë ndërmjet PDK-së, AAK, ndonjë partie të koalicionit rreth Behxhet Pacollit, ndonjë deputet i koalicionit të “Vetëvendosjes” dhe minoritetet. Formulën e një koalicioni me bazë të gjerë e mbështesin shumica e ambasadave në Kosovë, përveç ambasadës amerikane që është për formulën e koalcionit PDK, AAK dhe të tjerë. Mirëpo, situata do të vështirësohet nëse nuk do të realizohet as formula e parë e as e dyta e koalicionit politiko-partiak, sepse atëherë do të jetë e pamundur të zgjidhet presidenti i vendit, e që sipas pikës 6 të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, do të bëjë që të “shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”. Mirëpo, mundësia e fundit, pra që Kuvendi të shpërndahet, edhe pse nuk mund të përjashtohet, është më pak e besueshme, sepse atëherë vendi do të ishte pa buxhet, derisa të përfundonte procesi i ri zgjedhor, e që do ta thellonte edhe më shumë krizën në Kosovë, por edhe për faktin se shumica e partive politike duan një ligj të ri zgjedhor, për të cilin duhet kohë derisa të miratohet. Po ashtu, do të vihej në rrezik edhe procesi negociator me Beogradin. Prandaj, mbetet opcioni i vetëm i mundshëm realisht, koalicioni me bazë të gjerë, i cili do ta udhëhiqte Kosovën në procesin negociator, por edhe do të bënte të mundur miratimin e ligjeve themelore, siç është ligji për buxhetin, ligji i zgjedhjeve etj. Dhe natyrisht, koalicioni me bazë të gjerë do të kishte mundësi që ta anulonte rritjen e pagave nga 30% e deri në 50%, si dhe do ta shtynte shitjen e Postë-Telekomit të Kosovës. Duket se Hashim Thaçi  ka qenë i vetëdijshëm për rrjedhën që mund të marrin zhvillimet politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prandaj edhe është ngutur që të miratojë projektbuxhetin me rritjet e përmendura të pagave dhe me shitjen e Postë-Telekomit, e që do të ishte blerje paraprake e votave në zgjedhjet e parakohshme, që sipas të gjitha gjasave tashmë janë të pashmangshme në Kosovë. Mbetet të shihet se a do të arrijë ta miratojë këtë projektbuxhet sot kur është planifikuar leximi i dytë, dhe a do të psojë ndryshime, ashtu siç ka kërkuar opozita: të hiqet nga ky projektbuxhet privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›