Turizmi në Kosovë, si në kohë lufte
Kosova nuk e ka rërën dhe detin, mirëpo i ka shtigjet e gjata malore dhe të përshtatshme për skiatorë, të cilat do të joshin shumë turistë të huaj. Zhvillimi i sektorit të turizmit do t’i sjellë vendit miliona euro në vit! Këto janë vetëm disa nga fjalët e mëdha të zyrtarëve qeveritarë në konferenca të ndryshme me gazetarë, ndonëse fjalët e tilla asnjëherë nuk u shfrytëzuan për të hartuar strategji shtetërore për tërheqjen e investitorëve të huaj. Mirëpo, për 12 vjet në liri, turizmi në Kosovë zhvillohet si në kohë lufte, ku askush nuk joshet ta vizitojë vendin, ndonëse resurset nuk mungojnë.
Papërgjegjësia institucionale ndaj këtij sektori ka shkuar aq larg sa që vendit i mungon edhe strategjia e sektorit, e cila e përshkruan konceptin strategjik të zhvillimit të turizmit, duke dhënë drejtime strategjike dhe zhvillimin e produkteve turistike, në mënyrë që vendi të shndërrohet në njërin nga destinacionet e shumta turistike ndërkombëtarë për sjelljen e turistëve të huaj. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka arritur ta përgatisë vetëm një draft-strategji të Turizmit 2011 – 2020, e cila ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Injorimi institucional i këtij sektori tërheq pas vete edhe një kosto të lartë financiare, ku numri i turistëve që e vizitojnë Kosovën është më i ulëti në rajon dhe Evropë. Statistikat zyrtare thonë se gjatë vitit 2009, Kosovën e kanë vizituar vetëm 39 mijë vizitorë të jashtëm, shifër e cila është më e ulët se numri i turistëve mujorë në Maqedoni apo Serbi, të cilat vende po ashtu nuk kanë det e të mos krahasohemi me Shqipërinë dhe Malin e Zi, apo Kroacinë. Gjatë vitit të kaluar në Serbi kanë qëndruar rreth 2 milionë turistë, ku shumica prej tyre e kanë vizituar kryeqytetin serb dhe qendrën turistike dimërore Kopaonikun.
Ndërsa numri i përgjithshëm i turistëve në Maqedoni, vetëm gjatë muajt gusht 2010, ka arritur rreth 110 mijë, shumë më shumë sesa në Kosovë. Shumica prej tyre kanë vizituar Liqenin e Ohrit, Strugës dhe pikat malore Mavrovën dhe Kodrën e Diellit. Edhe Kosova ka qendrën turistike dimërore shumë të njohur vite më parë “Brezovicën”, mirëpo të pakët janë ata vizitorë vendorë që dëshirojnë ta vizitojnë këtë qendër, e lëre më vizitorët e huaj. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e huaja nuk arritën t’i bindin banorët lokal se zhvillimi i kësaj qendre është në të mirën e tyre dhe u sjell shumë më shumë të ardhura. Ashtu siç është duke funksionuar, kjo qendër po shkon drejt shkatërrimit, pasi që as turistët vendorë nuk dëshirojnë të shpenzojnë aty, pikërisht për shkak të mungesës së investimeve. Shkatërrimi i kësaj qendre është pasojë e një menaxhimi të keq nga strukturat paralele, të cilat me çdo kusht tentojnë t’i largojnë investimet e huaja, pasi që i humbin edhe ato pak përfitime që kanë nga turizmi. Nuk është vetëm Brezovica, e cila do të mund të joshnin turistët e huaj. Por, janë edhe atraksionet tjera natyrore dhe kulturore si: Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimës, Ujëvara e Mirushës, Lugina e Zhupës, Kalaja e Novobërdës etj. Për ta përmirësuar imazhin e Kosovës karshi investitorëve të huaj, Qeveria e Kosovës shpenzoi rreth 6 milionë euro nëpërmjet kompanisë izraelite “Satchi&Satchi”, mirëpo efekti i këtyre shpenzimeve po kalon pa u vërejtur për shkak të fokusit të gabuar të marketingut. Izraelitët që morën miliona nga buxheti i varfër i Kosovës, më shumë u fokusuan në marketing vendor, për shkak të kostos më të lirë dhe përfitimeve më të mëdha, sesa në marketing ndërkombëtar, prandaj nuk mund të flitet për sukses në përmirësimin e imazhit negativ të vendit në botë. Për ta tejkaluar këtë situatë, Qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen e zhvillimit të sektorit të turizmit, duke angazhuar kompani të specializuara ndërkombëtare në marketing, e jo kompani që kanë lidhje të ndryshme me zyrtarët e lartë partiakë.
Marrë nga e përditshmja “Zëri”