Reforma zgjedhore, Berisha: Ftoj opozitën për bashkëpunim
Berisha i përgjigjet Ruçit: “Duke dëgjuar folësin, fillimisht mendova se po lexon manifestin antikapitalist të radhës, por konstatoj, se u gabova. Ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. Në traditën tonë më të lashtë, të vetmet që nuk komentohen janë vajet, ndaj dhe unë do t’i uroj mirëseardhjen opozitës dhe kthimin e saj në punë”.
TIRANË: Përpos pretendimeve të parashtruara nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, lidhur me zgjedhjet lokale të 8 majit, kryeministri Sali Berisha, që në fillim të fjalës së tij, në seancën e parë kuvendore për këtë sesion të ri parlamentar,
ka deklaruar se ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. “Duke dëgjuar folësin (Ruçin) fillimisht mendova se po lexon manifestin antikapitalist të radhës, por konstatoj se u gabova. Ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. Në traditën tonë më të lashtë, të vetmet që nuk komentohen janë vajet, ndaj dhe unë do t’i uroj mirëseardhjen opozitës dhe kthimin e saj në punë”, - tha Berisha. Gjatë fjalës së mbajtur, Kryeministri tha se zgjedhjet e 8- majit ishin konkuruese dhe që, secila palë mori vlerësimin e ndershëm. Kryeministri Berisha ka pranuar se për votat e hedhura gabim, nuk kishte një kuadër rregullator, duke kujtuar se në disa qytete si Berat dhe Gjirokastër, ato u numëruan, ndërsa në disa të tjera, jo. Por, duke mos u ndalur gjatë në ecurinë e zgjedhjeve të 8- majit, Berisha ftoi edhe njëherë opozitën për të proceduar pa humbur kohë me reformën zgjedhore. “Ju ftoj në interesin tuaj më të mirë e të vendit, të procedojmë bashkërisht, pa humbur kohë, me reformën zgjedhore, të ftojmë specialistët e OSBE/ODIHR-it, Komisionit të Venecias, specialistët tanë më të mirë, shoqërinë civile shqiptare, të ulemi e të adresojmë një për një të gjitha vërejtjet e sugjerimet e këtyre institucioneve, që kanë ekspertizën më të shkëlqyer të zgjedhjeve në Europë e në botë. Ju garantoj se mazhoranca është e vendosur të punojë bashkë me ju, për të konkretizuar në ligj apo vendime, sipas rastit, secilin prej këtyre rekomandimeve”, - tha Berisha. Të njëjtin angazhim, Berisha e bëri publike edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke kërkuar që pjesë e kësaj reforme, të jenë edhe partitë e vogla.
Heqja e imunitetit dhe akuza Ina Ramës
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha foli edhe për angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kuadër, ai kërkoi edhe ndihmën e opozitës, duke e ftuar këtë të fundit, që të votojë projektligjin për heqjen e imunitetit, që javës që vjen.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri tha se mazhoranca është e hapur edhe për ligjet të tjera, zbatimi i të cilave është në funksion të proçesit të integrimit. Berisha, iu adresua dje edhe organit të akuzës. “Dua t’ju garantoj se lufta simetrike që ka bërë deri më sot institucioni i prokurorisë së këtij vendi, duke mos hapur as edhe një dosje të vetme të qindra e qindra zyrtarëve, përgjegjës për katandisjen e Shqipërisë në një nga 24 vendet më të korruptuara të planetit, nuk e ka dëmtuar mazhorancën. Absolutisht jo. Ka dëmtuar palcërisht opozitën, ka bërë të mundur riciklimin e atyre që duhet të përballeshin me ligjin, dhe jo me karriget që ju tani ofroni, se druajnë që ju disorientojnë, megjithatë, këto janë punët tuaja”, - tha ai.
Arsimi privat
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha foli edhe për arsimin privat, duke i kthyer përgjigje akuzave të opozitës. “...Nuk zgjidhet problemi i cilësisë duke anatemuar arsimin privat. Ata që kanë si pasuri kryesore arsimin, e kanë atë, sepse e kanë komponentin privat më të fuqishëm se komponenti publik. Urdhëroni të bashkëpunojmë, të përcaktojmë kritere e standarde, por jo të anatemojmë. Me anatemë, asgjë nuk zgjidhet. Nihilizmi është doktrinë fanatike, tërësisht e pavlerë dhe, nuk duhet harruar se nihilisti ka gjithnjë një urrejtje dhe përçmim për atë që beson. Ndaj, duhet çliruar nga nihilizmi. Arsimi privat është një proces që ekziston në çdo vend të lirë”, - tha Berisha.