E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullore e re për sigurimet e makinave, ja si do vihen çmimet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 06-09-2011 10:41

Me liberalizimin e tregut të sigurimeve në sektorin e transportit, mënyra e vendosjes së tarifave është përcaktuar qartë në rregulloren e hartuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, e cila ka hyrë në fuqi menjëherë, bashkëngjitur ligjit “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”. Sipas rregullores në fjalë, është Autoriteti që përcakton primin e rrezikut për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik, jo më pak se 1 (një) herë në vit. Ndërsa Shoqata e kompanive të sigurimeve, me kërkesë të Autoritetit, mund të llogarisë primin e rrezikut për produktet e sigurimit të detyrueshëm, të cilat kuptohen si rezerva të detyrueshme, që kompanitë duhet të mbajnë të ngrira pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes. Sipas rregullores që përcakton metodën e tarifave të reja të sigurimeve, Shoqata e kompanive të sigurimit bashkëpunon me Autoritetin dhe ka rol këshillues. Më pas, drejtoria e Administrimit të Rrezikut në AMF, pasi shqyrton e këshillohet me materialet e Shoqatës, harton tabelat e primit të rrezikut, për produktet e sigurimit të detyrueshëm dhe Bordi i Autoritetit i miraton ato. Rregullorja dikton që Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin, 10 ditë përpara fillimit të zbatimit të tarifave të primeve të sigurimit të detyrueshëm, në sektorin e transportit. Po sipas Rregullores, Shoqëria e sigurimit, së bashku me njoftimin, depoziton në Autoritet, bazat teknike të përdorura, metodikën e përdorur për llogaritjen e primit të sigurimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm, si dhe materiale mbështetëse. Është Shoqëria e sigurimit që përcakton vetë tarifat e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Primi i sigurimit përbëhet nga elementet e përcaktuara në nenin 99, të Ligjit nr. 9267, datë 29.07.2004. Në rast se Shoqëria zbaton tarifa të primit të sigurimit të detyrueshëm, më të ulëta se primi i rrezikut, i përcaktuar nga tabelat e Autoritetit, ose të tilla që, produkti rezulton me humbje, atëherë Shoqëria duhet të depozitojë në Autoritet, së bashku me tarifat dhe një plan biznesi, i cili ndër të tjera, duhet të përmbajë mënyrën dhe kohën e kompensimit të humbjes. Shoqëria e sigurimit mund të ndryshojë tarifat e primeve për sigurimin e detyrueshëm, por jo më shpesh se 1 (një) herë në 6 muaj. Shoqëria publikon primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, në faqen e saj të internetit dhe i mban ato të afishuara në faqe, gjatë gjithë periudhës së zbatimit. Ndërsa, provigjoni teknik i dëmeve dhe i primeve, llogaritet sipas përcaktimeve të Rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “Mbi bazat, metodat e llogaritjes si dhe mënyrat e mbajtjes së provigjoneve teknike të sigurimit të jojetës”. Ndërsa, është vetë shoqëria e sigurimit, e cila përllogarit nivelin e provigjoneve teknike të sigurimit të detyrueshëm, i cili duhet të jetë, jo më i ulët se niveli minimal i provigjoneve teknike, i llogaritur nga Autoriteti. Nga ana tjetër, AMF verifikon çdo tre muaj, nivelin e provigjoneve teknike të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo shoqëri sigurimi. Rregullorja parashikon gjithashtu, që në hartimin e tabelave të primit të rrezikut, duhet të merren parasysh një bazë të dhënash të tregut, për një periudhë që përfshin, të paktën 5 vitet e fundit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›