E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Kume: Duhet të preket edhe Kushtetuta

TIRANE- Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume deklaroi dje, se për të realizuar një kod zgjedhor të pranueshëm nga të gjithë është e hapur mundësia që të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Gjatë një intervistë, Kume shprehet se "Duhet patjetër që dy partitë e mëdha të kenë vullnete të shprehura qoftë në sistem, nëpërmjet prekjes së Kushtetutës, qoftë edhe në dispozitat e parashikuara në kodin zgjedhor dhe që e rregullojnë një gjë të tillë".

Sipas tij, e rëndësishme është që zgjedhjet e reja të nxjerin një qeverisje dhe parlament të qëndrueshëm. Për sa i përket formës së sitemit zgjedhor, Kume shprehet se kjo është çështje dakortësie mes palëve. "Rruga, e cila mundëson pasqyrimin sa më real të vullnetit të shqiptarëvve në strukturën e parlamenti nuk është vetëm Kushtetuta. Gjendet zgjidhja e ndërmjetme, optimale midis dy faktorëve shumë të rëndësishëm. Nga njëri krah është faktori që ka të bëjë me domosdoshmërinë e ndërtimit të një parlamenti me një strukturë politike që t'i përqaset sa më shumë vullnetit të shqiptarëve dhe e dyta ndërtimit të një parlamenti, i cili të prodhojë një qeverisje të qëndrueshme", ka sqaruar dje, ish-kreu i KQZ-së. Duke iu referuar standardeve që duhen plotësuar në zhvillimin e zgjedhjeve, Kume thekson se rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it për vitin 2009 dhe për këtë vit janë rruga më e mirë se si mund të përmirësohet cilësia e zgjedhjeve. Javën që shkoi, komisioni i reformës zgjedhore u mblodh për herë të parë në mjediset e Kuvendit. komisioni i reformës zgjedhore drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Damian Gjiknuri nga PS dhe Ilir Rusmali nga PD, ndërkohë që janë zgjehdur tashmë ekspertët e Komisionit, Bledar Çuçi i socialistëve dhe Oerd Bylykbashi i demokratëve. Pritet që të merren edhe mendimet e partive të vogla joparlamentare, të cilat nuk janë të përfaqësuara në këtë komision, për të nisur punën. Ndërkohë që nga ndërkombëtar është kërkuar ë reforma të jetë gati para zgjedhjeve të 2013.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›