E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/Buxheti 2012-të sot shqyrtimi nen për nen në Kuvend

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë pritet të nisë sot në (ora 9:00) shqyrtimin nen për nen të projektbuxhetit të shtetit 2012.

Pas miratimit në parim në parlament me votat e shumicës, në seancën e 25 nëntorit, gjatë kësaj jave draft/buxheti i ri u shqyrtua nen për nen në komisionet parlamentare.

Të shtunën, komisioni parlamentar i Ekonomisë, në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi nen për nen vetëm me votat e maxhorancës ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit, të cilin ia përcolli për miratim seancës të së hënës.

Buxheti i ri parashikon që totali i të ardhurave që do të mblidhen për vitin 2012 të shënojë një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliardë lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % . Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %, ose 397 miliardë lekë, që përbëjnë 28.5 % e PBB-së.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur se objektivat që do të përmbushë buxheti i shtetit i vitit 2012 do vazhdojnë të jenë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, por për të mbajtur lart kërkesën e brendshme do të vijohet me rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetjen me rreth 5 % e PBB-së të investimeve publike.

Opozita, ashtu siç veproi edhe me votimin në parim në Kuvend, është deklaruar kundër. Sipas tyre, drafti nuk është realist dhe rrezikon rritjen e borxhit publik të vendit, mbi tavanin e vendosur prej 60 % të PBB-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›