E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, LSI hedh hapin e parë

Deputeti Vangjel Tavo, theksoi nga Kuvendit se “nuk ka më kohë për të humbur, ndaj morëm këtë nismë zyrtare për të bërë fakt vullnetin tonë për të reformuar sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri".

Përmes kësaj nisme "LSI fton të gjitha partitë parlamentare, por jo vetëm, të lënë mënjanë retorikat mediatike dhe t'i bashkohen kësaj nisme, e cila synon të kthejë dialogun në institucion dhe për çështje konkrete. Nëse e duam integrimin ky është momenti për t'u shprehur", deklaroi Tavo.

Sipas tij, LSI ka propozuar krijimin e një komisioni parlamentar, i cili kërkohet të jetë gjithëpërfshirës, pa veto dhe pa kushte.  "Kemi propozuar një komision që të respektojë këto standarde: rëndësinë parësore të reformës zgjedhore, pjesëmarrjen e gjerë, jo vetëm politike; vendosjen e agjendës së integrimit mbi atë të politikës së ditës; vendosjen e debatit politik në institucionet vendimmarrëse",tha Tavo. Sipas kësaj partie, në reformën e re zgjedhore duhet të marrin pjesë të gjitha partitë që kanë mbi 2% të elektoratit.

Pikat e kërkesës:
1.    Të krijohet Komisioni Parlamentar për kryerjen e reformës zgjedhore.
2.    Komisioni të përbëhet nga një deputet i secilës parti parlamentare, si dhe nga një përfaqësues zyrtar i partive jo parlamentare që në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009 kanë marrë mbi 2% të votave të vlefshme.  Në përbërje të këtij komisioni do të jenë edhe 5 (pesë) përfaqësues nga organizatat kryesore të shoqërisë Civile për çështjet e reformës zgjedhore, pa të drejtë vote. Në ndihme të punës së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, KQZ dhe Ministria e Brendshme caktojnë nga dy përfaqësues ekspertë. Ky Komision mund të caktojë edhe ekspertë të tjerë ligjor për hartimin e amendamenteve për çdo çështje qe ky komision do të shqyrtojë.

3.    Komisioni drejtohet nga dy kryetarë që i përkasin partive të mëdha parlamentare. Mungesa e njërit prej kryetarëve nuk shtyn, ndalon apo pezullon mbledhjet e programuara të komisionit. Sekretari i Komisionit zgjidhet nga Partitë e tjera parlamentare.
4.    Komisioni do të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:
a.    Shqyrtimin, propozimin e zgjidhjeve dhe adaptimin e tyre në norma ligjore, duke marrë në konsideratë  rekomandimet e raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR të dhëna pas zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2009 dhe të zgjedhjeve vendore të Maijt 2011. 
b.    Shqyrtimin, propozimin e zgjidhjeve  dhe adaptimin  e tyre në norma ligjore të çështjeve të tjera jashtë atyre që sugjerojën raportet e OSBE/ODIHR, te cilat  mund të propozohen nga të paktën një e treta e anëtarëve më të drejtë vote të Komisionit Parlamentar. 

c.    Hartimin si dhe  paraqitjen për shqyrtim  e miratim ne seancë plenare të projekt  amendamenteve ligjore të propozuara nga ky komision për reformën zgjedhore .
5.    Komisioni do të funksionojë në mbledhje të rregullta sipas një kalendari pune të vendosur nga të paktën shumica e anëtarëve. Çdo anëtar i komisionit që përfaqëson një parti politike ka të drejtë vote.
Vendimet ne Komision si rregull merren me shumicë votash të gjithe anetareve me të drejtë vote.  Nëse nga rrethanat e caktuara konstatohet se puna e komisionit bllokohet, atëherë vendimet merren me shumicën e anëtarëve që përfaqësojnë parti parlamentare.

6.    Komisioni në fillim të punës së tij  miraton Rregulloren per ushtimin e veprimtarise së tij, e cila miratohet me shumicën e votave  të anëtareve  me të dretjë vote.

7.    Komisioni harton  dhe miraton  listën e çështjeve ose grup çështjeve të cilat i nënshtrohen diskutimit në komision, sipas radhës së paravendosur nga vete komisioni.
Asnjë projekt amendament ligjor për një çështje të caktuar nuk mund të hartohet e miratohet pa u diskutuar më parë çështja në parim në mbledhjen e hapur të komisionit. Si rregull, mbledhjet e Komisionit zhvillohen të hapura, përveç rasteve kur vetë komisioni me shumicë votash vendos ndryshe.  Në prezantimin e çdo çështje për diskutim Kryetari i Komisionit, ose çdo person tjetër i ngarkuar nga komisioni duhet të relatojë çështjen, problemet, rëndësinë që ajo paraqet, zgjidhje të mundshme të problemeve, avantazhet dhe disavantazhet për cdo zgjidhje të ofruar.

8.    Në punën e tij Komisioni ka si prioritet arritjen e  konsensusit për zgjidhje më të pranueshme nga të gjithë anëtarët, pasi të jetë marrë më parë mendimi i anëtarëve pa të drejtë vote dhe i përfaqësuesve të KQZ-së dhe Ministrisë së Brendshme. Për çështje të veçanta, Komsioni mund të organizojë edhe aktivitete më të gjera duke ftuar edhe ekspertë të huaj.
9.    Projekt amendamenti  që diskutohet dhe miratohet në komision u jepet  ekspertëve  për tu paraqitur në formën e një amendamenti ligjor. Amendamenti i paraqitet përsëri komisionit për aprovimin përfundimtar sipas rregullave të mësipërme.

10.    Komisioni pasi ka shqyrtuar të gjitha çështjet që ka pasur në axhendën e tij , rivlerëson amendamentet ligjore në tërësi dhe ja paraqet ato Kuvendit për shqyrtim ne seancë plenare.
11.    Komisioni do ta kryej këtë veprimtari për një periudhë  6 (gjashtë) mujore. Kuvendi mund të vendos zgjatjen e këtij afati, nëse komisionit për përmbushjen e veprimtarisë së tij i nevojitet  shtesë afati.
12.    Kuvendi i Shqipërisë për veprimtarinë e këtij Komisioni Parlamentar ngarkohet të verë ne dispozicion një fond të veçantë për përballimin e shpenzimeve operative të nevojshme.
/S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-10-10 13:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›