E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre premtimet e Bashës për shkollat e larta

Para studentëve, Basha u ndal tek tre angazhimet kryesore të Bashkisë që kanë të bëjnë me përfshirjen në planin urbanistik të godinave dhe ambienteve të reja studentore, ngritjen e një fondi me të paktën 1 milionë euro për stazhin e studentëve si dhe hartimin e Kartës së Studentit, një dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare për studentët e Tiranës.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule si dhe dekanët e disa fakulteteve të pranishëm në këtë ceremoni vlerësuan marrëdhënien e re me Bashkinë e Tiranë dhe shprehën vullnetin për të bashkëpunuar në funksion të cilësisë së jetës akademike në kryeqytet. “Në këtë plan të madh, sigurisht që qyteti duhet të mbajë përgjegjësitë e veta karshi jush dhe unë dua t’ju informoj sot, se ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore; kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve që rezidojnë në këtë qytet”, premtoi Basha.

 Kreu i Bashkisë tha se do të nisë puna për ndërtimin e kampuseve moderne. “Dua të ndalem edhe këtu një çast e të shpall publikisht sot, se në buxhetin e vitit 2012, unë kam si qëllim t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës, një buxhet prej jo më pak se 1 milionë eurosh, për programin e stazheve, për të gjithë studentët që studiojnë në Tiranë. Kjo shumë, e cila jam i sigurt, të paktën do te dyfishohet, por ndoshta edhe trefishohet nga kontributet e institucioneve të tjera private apo publike, do të përdoret ekskluzivisht, për të hapur një vend praktike për këdo student që e dëshiron atë, në institucionet publike, siç është vetë Bashkia e Tiranës, apo vetë institucionet qendrore të shtetit”, tha Basha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-10 13:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›