E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Wollfarth-Sequi: Transparente dhe gjithëpërfshirëse

TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE/ODIHR në Tiranë Eugen Wollfarth ka cilësuar si fillim inkurajues vendimin e sotëm që u mor në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca dhe opozita për nisjen e punës të komisionit për reformën zgjedhore.

Ambasadori Wollfarth nxiti anëtarët e komisionit të garantojnë transparencë, ndërkohë që bëri thirrje që komisioni të jetë konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Duke ofruar mbështetjen e intitucionit që ai përfaqëson në këtë proces ambasadori Wollfarth u bëri thirrje partive që të bëjnë ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

REFORMA ZGJEDHORE, SEQUI: SHENJË PROGRESI
Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka përshëndetur arritjen e konsensusit në Kuvend të mazhorancës dhe opozitës në lidhje me ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.

Në një deklaratë per mediat, pasi mori pjesë në seancën e sotme të parlamentit ambasadori i BE theksoi se procesi do të bëjë të mundur realizimin e reformave të rëndësishme të vendit duke përfshirë edhe ato zgjedhore.

Ndërkohë sa i përket ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, Sequi u shpreh se një gjë e tillë është një shenjë progresi drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Rruga drejt Bashkimit Europian është e gjatë por ne ju mbështesim. Rruga drejt integrimit bazohet në dialog. Ka prioritete që Shqipëria duhet të plotësojë” ,- deklaroi ambasadori i BE, Ettore Sequi, pas daljes nga salla e Kuvendit të Shqipërisë .
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›