Reforma zgjedhore, Wollfarth: Të përfundojë brenda afatit
Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth i ka bërë apel politikës shqiptare për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda afatit të përcaktuar. Nga Shëngjini Wollfarth ka vlerësuar bashkëpunimin mes palëve, por ka shprehur nevojën për vijimisësi të dialogut.
“Ka një frymë bashkëpunimi mes palëve për reformën zgjedhore.Shpresojmë që fryma e bashkëpunimit të vijojë. Reforma zgjedhore duhet të bëhet brenda afatit të përcaktuar”-ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka përjashtuar mundësinë për implementimin e numërimit elektronik të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës, pasi sipas Wollfarth, një teknologji e tillë kërkon kohë dhe trajnim. Megjithatë, ka shtuar ai, në fund është qeveria shqiptare që vendos për këtë ceshtje.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, kreu i OSBE-së nuk është lëkundur nga deklaratat e tij të mëparshme, duke kërkuar një President konsensual dhe të pranueshëm nga të gjithë.
“Kandidati për President duhet të jetë konsensual dhe i pranueshëm nga të gjithë. Shpresojmë të kemi një produkt konsensual dhe të pranueshëm” është shprehur ai.