E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi për Presidentin: Jo nga mazhoranca, konsensual

Edhe pse vet është zgjedhur me forcën e kartonit të mazhorancës, presidenti Bamir Topi kërkon që pasuesi i tij të jetë konsensual. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kreu i Shtetit tha se zgjedhja e pasardhësit të tij duhet bërë me konsensus për të mirën e vendit, jo thjesht sepse thonë ndërkombëtarët.

“Përpara se ta thonë ndërkombëtarët e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Ne në një farë mënyrë po kujdesemi gjithnjë e më shumë që të jemi në rregull me ndjesinë e ndërkombëtarëve se sa me atë që duhet të kemi ne konkretisht, qoftë si shoqëri, qoftë si institucione. Unë do t`a konsideroja jo fort elegante që të merresha me identikitin e pasardhësit që do të jetë në zyrën e presidentit te Republikës, por duke njohur tashmë problematikën e atij institucioni, por edhe lidhjet kushtetuese që ky institucion ka me institucionet e tjera, pra duke e parë në një farë mënyre situatën në pamje “3 dimensionale”, si qytetar, si ish parlamentar, por edhe si president, unë do t`a konsideroja procesin e zgjedhjes së Presidentit jo vetëm nga pikpamja kushtetuese, por edhe nga fryma e zgjedhjes; dhe këtu jam dakord me mjaft zëra që jo vetëm duhet të jetë një process serioz e i kujdesshëm, por nga ana tjetër duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë. Marrja në mënyrë shumë të thjeshtë e këtij problemi, duke e konsideruar presidentin, qoftë edhe nga rradhët e një vendimarrje të thjeshtë mazhoritare, më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni dhe për vendimarrje të rëndësishme që presin Shqipërinë në kuadrin e reformave të ndryshme, në kuadrin e një klime të ekuilibruar në politikën shqiptare, por sidomos përsa i përket rëndësisë së institucioneve të pavarura, që ato ta ruajnë pavarësinë e tyre, ta zhvillojnë këtë pavarësi, të rrisin integritetin e tyre qoftë moral apo profesional dhe tek e fundit do të kemi një Shqipëri akoma më të mire”tha ai.


Sa i përket gjendjes së drejtësisë shqiptare Presidenti Topi tha se të gjithë faktorët duhet të kontribuojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe se një tregues i reformave do të ishte heqja e imunitetit për zyrtarët.


“Unë mendoj se zërat që e identifikojnë drejtësinë si një çështje që ka nevojë patjetër të rigjenerohet besoj që janë zëra racionale dhe drejtësia që të rigjenerohet, që të marrë fizionominë vet, në kushtet e një vendi që aspiron të anëtarësohet në BE, duhet patjetër që të jetë produkt i një bashkëpunimi të të gjithë zërave politikë, i një vullneti politik të përbashkët, të reformave që kanë nevojë të zhvillohen më tej për sistemin e drejtësisë, por edhe të institucioneve të cilat kanë nevojë patjetër që të rrisin përgjegjësinë e tyre, që të kenë një sistem drejtësie të pavarur, por të përgjegjshëm dhe nga kjo pikpamje unë shfrytëzoj rastin në këtë studio të nderuar për të thënë që vetëm nëpërmjet reformave, të cilat detyrimisht duhet të fillojnë me heqjen e imunitetit në mënyrë që politikanët qofshin këta të karrigeve më të larta të shtetit, por edhe gjyqtarët e prokurorët, do të ndihen njësoj si qytetarët e duke u ndjerë njësoj si qytetarët do të ndjehen të përgjegjshëm për hallet që kanë qytetarët. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të cilat janë pjesë e rëndësishme e jetës politike, por edhe për çështje të ditës, sikurse janë çështjet e pronave, apo çështje të tjera, që kanë nevojë për një sistem drejtësie të drejtë dhe korrekt” u shpreh Topi.

Ndërkohë i pyetur për bashkëpunimin e klasës politike shqiptare, Kreu i Shtetit tha se kur ka vullnet politik gjërat realizohen. Sipas tij kjo është çështje e një kulture politike, e cila ende dëshmon që Shqipëria nuk e ka përmbyllur periudhën e tranzicionit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›